Ujërat kurative termale të Bënjës së Përmetit

A i keni vizituar ndonjë herë llixhat e Bënjes së Përmetit?

Nëse po, padyshim do të jeni mrekulluar nga bukuria natyrore e këtij vëndi. Vitet e fundit llixhat e Bënjes janë kthyer në një atraksion turistik për vizitorët shqiptarë dhe të huaj.

Burimet e Bënjes gjenden 14 km larg qytetit jugor të Përmetit, vetëm 3 km larg nga vendi ku lumi Vjosa bashkohet me përroin e Lëngaricës. Janë gjithsej 6 burime. E veçanta e tyre është se këto janë burime të hapura në natyrë. Temepratura e këtyre ujërave është, 26 – 32 gradë. Shfrytëzimi i parë i këtyre ujërave me përmbajtje biokarbonatike është bërë që prej vitit 1964. Në këto burime nuk ka hotele dhe shfrytëzimi bëhet në mënyrë ambulatore.

Burimet e Bënjes njihen për vetitë e tyre kuruese. Katër burime përdoren për sëmundjet kronike të reumatizmave, një burim për sëmundjet e stomakut dhe një burim për sëmundjet e lëkurës.

Ujërat termike të  Bënjës janë të qarta si kristal dhe gjithashtu përmbajnë një përqindje të lartë të squfurit. Banjot prej guri janë më autentikët dhe si të tilla tërheqin një numër të madh vizitorësh gjatë gjithë vitit. Dimri, kur temperatura në Përmet bie nën 0 gradë celsius është koha më e mirë për t’u zhytur në këto banja të nxehta. Shëruese por edhe tepër relaksuese këto momente. Por, mos harroni se 20-25 minuta në pishinë zakonisht mjaftojnë! Më shumë se 25 minuta në ujërat shumë sulfurikë mund të jetë mjaft lodhëse dhe jo domosdoshmërisht aq e mirë për shëndetin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights