Reshat Sahitaj: “Unë jetoj brenda romaneve të mia ndërsa i shkruaj”

Reshat Sahitaj: Pra, edhe kur shkruaj, unë gjithnjë jetoj më fatin e personazheve te mi. Unë kurrë nuk e ndiej vetën të vetmuar

Votra: Çfarë ju frymëzoi të filloni të shkruani?

Reshat Sahitaj: Mendoj që asnjë krijues nuk e ka përgjigjen e saktë, se kur është frymëzuar të fillojë të shkruajë. Si në çdo profesion tjetër edhe inspirimi për të shkruar, lind vetvetiu natyrshëm, po ndonjë datë apo moment të caktuar. Frymëzimi për t’i shprehur gjërat, ngjarjet, momentet… shfaqet që në fëmijëri, e që pastaj evoluon bashkë më rritjen e fëmijës brenda teje. Sa më shumë të lexosh në fëmijëri, aq më shumë shfaqet dëshira për të shkruar për momentet që i përjeton. Ai/ajo që nuk lexon vepra të klasikëve dhe veprat bashkëkohore, nuk mundet të shkruajë mirë. Pra, përveç aftësisë qe nga fëmijëria, çelësi kryesor është leximi.

Votra: Ku gjeni idetë tuaja për historitë?

Reshat Sahitaj: Brumi i ngjarjeve që zhvillohen në romanet e mia janë nga përvoja e jetës sime. Natyrisht që pastaj duke e futur imagjinatën në përdorim, ato ngjarje ngjyrosën dhe i përshtatën personazheve të jetës së përditshme. Është e njohur thënia se “Jeta është roman”, por, nëse shkrimtari e shkruan jetën ashtu siç ka ndodhur realisht ai nuk është më roman, ose është roman i dobët. Romani nxirret nga jeta, por nëse ato ngjarje nuk rregullohen nuk është më roman.

Votra: A keni rituale ose zakone që ju ndihmojnë të hyjnë në mendësinë e shkrimit?

Reshat Sahitaj: Jo, nuk kam kurrfarë rituale për të filluar apo vazhduar të shkruaj.

Votra: Sa i rëndësishëm është kërkimi në procesin tuaj të shkrimit?

Reshat Sahitaj: Unë nuk shkruaj romane historike, si Sabri Godo e ndonjë tjetër, që të grumbulloj fakte nga e kaluara e largët, që të kërkoj ngjarje historike që realisht kanë ndodhur, që të kërkoj emrat real të personazheve historike. Për të shkruar romane të zhanrit të tillë duhet t’i mbetesh besnik ngjarjeve historike edhe pse përmes imagjinatës ia bën përshtatjen. Romanet e mia i dedikohen jetës aktuale të sotme. Ngjarjet në romanet e mia janë ato që ndodhin sot ose që kanë ndodhur pak kohë më parë, dhe që lexuesit e mi më pak vëmendje të koncentruar e gjejnë ku ka ndodhur, kur dhe kush janë personazhet. Kjo ka bërë që romanet e mia, kurrë nuk qëndrojnë më shumë se dy javë në libraritë e Prishtinës apo Tiranës.

Votra: Cila është pjesa juaj e preferuar e procesit të shkrimit?

Reshat Sahitaj: Sa më përket mua, do të shtoja duke treguar se pjesa më e vështirë e shkrimit të një romani, është fillimi. Gjersa të filloj të shkruaj e kam vështirë, e kur t’ia filloj skam të ndalur deri në përfundim. Kjo gjë është si rezultat që pas përfundimit të një romani, duhet të organizohesh për botimin, për promovimin, për shitjen, takime më gazetarë të televizioneve e të gazetave të ndryshme etj. imtësira, dhe largohesh për një kohë të gjatë nga shkrimi. Pas këtyre pushimeve të detyrueshme, kalon një kohë e gjatë dhe për të vazhduar romanin tjetër është një hezitim i ngarkuar më një peshë herë zhgënjyese e herë ekzaltuese.

Votra: Si arrini të mbeteni i motivuar gjatë të gjithë procesit të shkrimit?

Reshat Sahitaj: Gjatë zhvillimit të ngjarjes në roman, unë bashkëjetoj më personazhet e mi. Herë qeshi në vete duke shkruar, e herë qaj në vete varësisht nga ngjarjet që i zhvilloj. Unë jam sentimental edhe në jetën e përditshme, sepse më prekin thellë në shpirt fatet e njerëzve që kanë përjetuar tragjedi, fatkeqësi e që kanë probleme të ndryshme. Në anën tjetër gëzohem shumë kur dikush më tregon për sukseset e tij në jetë. Pra, edhe kur shkruaj, unë gjithnjë jetoj më fatin e personazheve te mi. Unë kurrë nuk e ndej vetën të vetmuar, madje edhe kur jam krejtësisht vetë.

Votra: zoti Sahitaj, A shkruani me një audiencë specifike në mendje?

Reshat Sahitaj: Jo. Audienca e lexuesve të mi, është heterogjene që përbëhet nga të gjitha moshat, gjinitë dhe profesionet.

Votra: Cili është zhanri juaj i preferuar për të shkruar, dhe përse?

Reshat Sahitaj: Autobiografik është zhanri i të gjitha romaneve të mia. Nga fëmijëria e gjer më tani, kam përjetuar shumë gjëra të mira e të këqija duke filluar nga burgu, liria, robërimi, dashuria, aventura… Kur je i lindur në një shtet të okupuar qoftë nga sundimtari ynë, apo armiku i huaj, asnjë qytetar nuk mundët të bëjë jetë normale, madje as ata të cilët janë bashkëpunëtorë të atij sistemi. Në shtetet diktatoriale, gjithnjë është prezent frika dhe dëshira për liri.

Votra: Si është një ditë tipike për ju si shkrimtar?

Reshat Sahitaj: Gjatë kohës kur filloj të shkruaj e derisa ta përfundoj romanin, nuk shoqërohem më askënd e as nuk shkoj në lokale për të biseduar më shokë, por as nuk pranoj askënd të më vizitojë në shtëpi. Ardhja e çdo kujt më pengon dhe më dekoncentron.

Votra: Si e trajtoni kritikën ose komentet për shkrimin tuaj?

Reshat Sahitaj: Ne shqiptarët, jetojmë në një kohë ku kritikët janë shndërruar në biznesmenë. Shpesh hasim në kritika superlative për një vepër debile. Shpesh dëgjojmë për shpërblime nga institucionet shtetërore për vepra pa asnjë vlerë. Kjo gjë ndodh ngase kritikët më nuk paguhen nga institucionet tona, e për të ekzistuar shkruajnë kritikë për çdo roman që autorët ua ofrojnë më pagesë. Të rrallë janë kritikët të cilët shkruajnë nga pasioni dhe profesionalizmi siç është Rexhep Qosja, Ali Aliu e disa tjerë.

Votra: Si e trajtoni temën e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore në narrativën tuaj dhe si përpiqeni të ndërgjegjësoheni për sfidat dhe pengesat që shoqëria e sotme përballon në këtë drejtim?

Reshat Sahitaj: Në secilin nga romanët e mia, femra është përsonazhe kryesore e cila përballët me sfida të shumta të shoqërisë sonë. Në secilin roman tim, femra është dominuese pavarësisht sfidave që i përballon gjatë jetës. Në çdo vepër time, femra nuk gjendet përkrah burrit por para burrit, dhe paraqitët më e fortë në shumë aspekte. Gjatë shkrimeve të mia, unë nuk e bëj dallimin femër-mashkull, por si femra edhe mashkulli janë të barabartë në^promblemet që u dalin gjatë jetës.

Votra: Cilat janë mënyrat që ju përpiqeni të përfaqësoni luftën për liri dhe të drejtat themelore të njeriut në shkrime tuaja dhe si përpiqeni të frymëzoni lexuesit për të vazhduar këtë betejë?

Reshat Sahitaj: Në të gjitha romanet e mia, lufta për liri dhe realizimin e të drejtave themelore janë temë qendrore.

Votra: Si e trajtoni temën e diversitetit kulturor dhe multikulturalizmit në shkrime tuaja dhe si përpiqeni të reflektoni ndryshimin dhe pasurimin që sjell diversiteti në shoqëri?

Reshat Sahitaj: Diversiteti kulturor është një gjë e mirë dhe ne shqiptarët gjithnjë jemi treguar më humanistë se humanistët e tërë botës. Diversiteti kulturor ndikon dukshëm në ngritjen e një shoqërie, ku secili marr të mirën e tjetrit dhe anasjelltas. Mirëpo ne shqiptarët nga kompleksi i inferioritetit kemi marrë shumë nga tjetri dhe kemi gati kemi arritur në shkallën e asimilimit të kulturës dhe gjuhës sonë. Na rastis shumë herë të dëgjojmë lajmet televizive ose të lexojmë në romane fjalë të huaja krejt të panevojshme, sepse e njëjta fjalë ekziston në fjalorin e gjuhës sonë. Në anën tjetër nuk mundesh të shkruash për xhelozinë në mes të një çifti bashkëshortor siç shkruan një francez apo anglez. Mentaliteti dhe kultura jonë ndryshojnë nga popujt tjerë, andaj duhet t’i përshtatemi kulturës dhe mentalitetit tonë dhe duke i gërshetuar me të mirat e kulturave tjera pa i dëmtuar rrënjët tona.

Votra: Cilat janë mënyrat që ju përpiqeni të përfaqësoni historinë dhe trashëgiminë kulturore të një kombi në shkrime tuaja dhe si përpiqeni të ndihmoni në mbrojtjen dhe promovimin e kulturës dhe identitetit kombëtar?

Reshat Sahitaj: Në fakt, në shumicën e romaneve të mia, përfaqësohet historia dhe kultura jonë kombëtare, përmes ngjarjeve nëpër të cilat kalojnë personazhet. Forma më e mirë është libri të kalojë në duart e shumë lexuesve. Në anën tjetër, në romanët e mia të botuar nga Shtëpia Botuese “Harmattan” në Paris, mendoj që është forma më e mirë që trashëgimia jonë kulturore të përhapet jashtë trojeve shqiptare. Është kënaqësi kur për romanin tim shkruan në superlativ kritikja e njohur angleze Helenee Stasfford, apo për romanin tjetër po ashtu të botuar në Paris kur shkruajnë kritikë i njohur francezë si: Daniel Leuwers, Laurent Grison, Nicole Barriere , apo për romanët e botuar në shqip kur shkruan akademiku dhe kolosi i letërsisë Rexhep Qosja në dy veprat e tij, për dy romane të mia.

Votra: Cili është mesazhi juaj për krijuesit e rinj, hulumtuesit, kritikët, shkruesit?

Reshat Sahitaj: Të lexojnë dhe vetëm të lexojnë romane jo vetëm vendorët, por edhe letërsi botërore!

Votra: Zoti Sahitaj, ju falenderojmë që pranuat për ftesën për intervistë për Votra Magazine! Ishte kënaqësi të bashkëbisedoje me ju!

Reshat Sahitaj: Faleminderit Votra Magazine! Intervista të tilla të motivojnë dhe të japin kënaqësinë e bashkëbisedimit të ngrohtë.

Back to top button
Verified by MonsterInsights