“Zakonisht, vlerat që na udhëheqin varen nga personaliteti, besimet dhe qëllimet e çdo njeriu”

Për “Votra Magazine” Mirsada Sukaj Shtegu, një  e re plot pasion për punën dhe profesionin, në një intervistë ekskluzive nga Kanadaja, për arritjet dhe hobin e saj….Na ndiqni!

Mirsada ka kryer studimet në degën Finance – Kontabilitet pranë Fakultetit Ekonomik në Shkodër. Pas përfundimit të studimeve ka punuar në një bankë të qytetit për afro 4 vite dhe më pas në një institucion shtetëror për gati 2 vite të tjera, dhe si pedagoge në degën Turizëm të Fakultetit Ekonomik po në atë qytet. Këto eksperienca i mësuan shumë rreth dinamikave të tregut të punës, fitoi më shumë siguri në vetvete dhe iu hapi rrugë të reja për të avancuar profesionalisht. Viti 2015 ishte një moment vendimtar, kur së bashku me familjen vendosin të emigrojnë drejt Kanadasë. Sigurisht fillimi nuk ishte i lehtë, por me shumë punë dhe përkushtim u ambientuan me vendin, gjuhën e kulturën.

Aktualisht ndjehet shumë krenare, për rrugëtimin i saj profesional 8-vjeçar pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Investissement Québec në Kanada.

Votra: Mirsada, përshëndetje!

Ju jeni ekonomiste në profesion, çfarë ju ka motivuar të zgjidhnit këtë drejtim?

Mirsada: Në fillim, ishte një zgjedhje e imponuar nga situata në Shqipëri, ekonomia e vendit në përgjithësi, shoqëria e shumë faktorë të tjerë të jashtëm, që nuk mund t’i kontrolloja dot. Por, me kalimin e kohës, me emigrimin, me shumë punë dhe përpjekje mësova ta dua si profesion. Puna që bëj aktualisht lidhet direkt me bizneset dhe me impaktin e tyre socio-ekonomik në vend. Kënaqësia, motivimi dhe gjërat e reja që mësoj në përditshmëri janë të papërshkrueshme.

Votra: Cilat janë disa nga vlerat kryesore që udhëheqin jetën dhe punën tuaj?

Mirsada: Zakonisht, vlerat që na udhëheqin varen nga personaliteti, besimet dhe qëllimet e çdo njeriu.

Për një jetë të përmbushur, për mua janë shumë të rëndësishme dashuria, respekti, komunikimi, bashkëpunimi dhe vendosmëria për të ecur përpara.

Nga ana tjetër në lidhje me punën, përgjegjësia, puna e palodhur, bashkëpunimi, motivimi dhe kreativiteti janë pikat kyçe të suksesit.

Votra: A mund të ndani një përvojë tuajën që ndikoi në pasionin e ekonomistes dhe të këshillueses?

Mirsada: Duke qenë se kam çdo ditë takime dhe shkëmbime eksperiencash me kompani të industrive të ndryshme, nuk mund të ndaj një situatë specifike. Çdo sipërmarrës vjen me projekte nga më interesantet dhe shumë inovative.

Votra: Çfarë ndjeni pas një suksesi në profesionin tuaj?

Mirsada: Suksesi të jep një ndjesi përmbushjeje dhe shpesh, edhe një shtysë për të vazhduar përpara. Pastaj kënaqësi, gëzim dhe ndonjëherë lehtësim, nëse ka qenë një sfidë ose një projekt kompleks.

Votra: Cili dhe ku ka qenë ndikimi më i madh në jetën tuaj?

Mirsada: Oh, ka pasur shumë! Gjithsesi, ndikimi më i madh që mund të veçoj është shembulli që lëmë pas te njerëzit e tjerë, qoftë familje, miq apo kolegë. Sepse në fund ajo që mbetet nga ne nuk janë vetëm arritjet personale apo profesionale, por ndikimi që kemi pasur tek të tjerët dhe mënyra si kemi bërë botën një vend më të mirë për ne, fëmijët tanë dhe brezat në vazhdim.

Votra: Cili është pasioni ose hobi jashtë procesit të punës që ju sjell kënaqësi?

Mirsada: Në rininë time (qesh) kam qenë shumë e apasionuar pas artit, medias dhe televizionit në veçanti. Mund të them që janë pasione të vjetra që mbeten të gjalla edhe sot.

Votra: Si do ta përshkruanit veten me tri fjalë?

Mirsada: E drejtë, sistematike, këmbëngulëse.

Votra: Çfarë objektivash personale keni për të ardhmen?

Sigurisht, për mua familja është primare. Mbajtja dhe forcimi i marrëdhënieve me familjen dhe miqtë mbetet një ndër objektivat prioritare.

Kujdesi për shëndetin fizik e mendor dhe qëndrimi larg stresit.

Pastaj, përmirësimi i aftësive dhe njohurive personale, dhe pse jo pikave të dobëta të karakterit.

Votra: Nga kush të ka ardhur mbështetja më e madhe gjatë këtij rrugëtimi?

Mbështetja me e madhe ka qenë familja ime. Gjithmonë e gatshme të më suportojë iniciativat e mia dhe të më nxisë drejt suksesit. Pa të, shumë gjera do të ishin ndryshe.

Pastaj, ka të bëjë shumë edhe karakteri im, vullneti, disiplina, qëllimet që i kam vënë vetes, edukimi dhe dëshira për të mësuar gjithmonë gjëra të reja.

Në punën aktuale, kam pasur fatin të jem e rrethuar edhe nga shumë njerëz frymëzues dhe një rrjet profesional me kolegë e bashkëpunëtorë të mrekullueshëm.

Të gjitha këto së bashku janë me të vërtetë një sistem që ndërthuren bukur për të realizuar objektivat tona profesionale.

Votra: Çfarë këshille do t’i jepnit brezit më të ri, apo të rinjve në profesionin tuaj?

Mirsada: Kujdesi për veten dhe mirëqenien tuaj është baza e çdo suksesi. Mos ndalni kurrë së investuari në aftësi të reja që ju ndihmojnë në jetë dhe në karrierë. Fokusohuni te qëllimet tuaja dhe përballuni me sfidat pa frikë.

Bëjeni çdo punë me përkushtim dhe ndershmëri, sepse ato shpërblehen gjithmonë.

Votra: Çfarë shpresoni të arrini në 10 vitet e ardhshme, personalisht dhe profesionalisht? 

Mirsada: Në aspektin personal synoj të vazhdoj të rritem si individ duke kultivuar aftësi të reja, të përmirësoj mirëqenien time dhe pse jo te kontribuoj më shumë përmes angazhimeve sociale dhe iniciativave që sjellin vlerë në komunitet.

Në aspektin profesional, synimi im është të avancoj në karrierën time duke fituar eksperienca të reja dhe kompetenca që ndikojnë pozitivisht në fushën ku operoj.

Votra: Mirsada, tani një pyetje për ju si amvisë, cili është gatimi juaj i preferuar?

Mirsada: Mund të them që jam fanse e madhe e ushqimit dhe në familje më pëlqen të gatuaj ushqime tradicionale. Byreku me spinaq mbetet një ndër të preferuarit e mi.

Votra: A mund të ndani me ne një recetë tradicionale, që gatuani në familje?

Duke qenë se jetojmë larg, mundohemi të ruajmë disa nga traditat kryesore të vendit tonë, duke përfshirë edhe ushqimin tradicional.

Byreku, tava e krapit dhe bakllavaja janë gjithmonë pjesë e tavolinave tona në familje dhe mes miqsh.

Nisur dhe nga një botim i fundit i librit “Eating Albania”, nga shtëpia botuese “Votra”, të cilin ia sugjeroj të gjithë miqve të mi, ndjehem më e sigurt në recetat e gatimeve tona tradicionale dhe të shijshme.

Votra: Mirsada, ju falënderojmë që pranuat të jeni pjesë e intervistës sonë në “Votra Magazine”!

Mirsada: Kjo ishte ndër intervistat më të bukura për mua. Ju falënderoj “Votra Magazine”, që punoni me kaq përkushtim!

 Votra: Edhe për ne ishte kënaqësi bashkëbisedimi i ngrohtë dhe plot energji që ju na transmetuat!

Faleminderit!

Back to top button
Verified by MonsterInsights