Shkolla shqipe në Ostermundigen të Bernës, kremton ‘Festën e Abetares’

Një ndër shkollat shembullore të mësimit shqip në Zvicër, në Ostermundigen të Bernës, që udhëhiqet prej vitesh nga mësuesja Ida Jashari, më 10 Qershor 2023, përmes një programi artistik shënoi Festën e Abetares në shenjë të përmbylljes së suksesshme të klasës së parë.

Me këtë rast, në bashkëpunim edhe me Shoqatë Kulturore Shqiptare “Bashkimi”, nxënësit u prezantuan me një program mjaft interesant.

Ata recituan poezi të ndryshme në gjuhën shqipe, ndërsa nuk munguan as këngët. Vogëlushët, cilët tashmë kanë nisur jetën e tyre jashtë territorit shqiptar, nuk i fshehën emocionet në këtë ditë tejet të rëndësishme për ta. Për mësuesit ruajtja e traditave dhe gjuhës shqipe mbetet një nga misionet themelore e punës së tyre.

Në mesin e shumë të pranishmeve ishte dhe përfaqësuesi i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bernë, Valon Gashi, i cili përshëndeti aktivitetin dhe vlerësoi punën e mësueses znj. Ida Jashari, e cila ka dëshmuar me kohë se është një mësuese fisnike, e talentuar dhe me virtyte të çmuara për mësimin shqip në këtë rajon e më gjerë.

“Ambasada vlerëson rolin e patjetërsueshëm të mësuesve të gjuhës shqipe në gjithë Zvicrën, si dhe domosdoshmërinë e ndërgjegjësimit të komunitetit shqiptarë për të rritur pjesëmarrjen e fëmijëve në klasat e mësimit të gjuhës shqipe si një element i domosdoshëm për ruajtjen e gjuhës, traditave, kulturës e historisë shqiptare”, shkruan në një postim në Facebook ambasada shqiptare në Zvicër.

Ndërsa drejtuesit e kësaj shkolle, falënderojnë për pjesëmarrje përfaqësuesin nga Ambasada e Shqipërisë në Bern, përfaqësuesin nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë, prindër, studentë, ish-nxënës të shkollës shqipe dhe shumë miq e mike të kësaj shkolle.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights