Shqipëria pritet të hapë ambasadën e saj në Sarajevë. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Republikës së Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Krišto.
“Ne dëshirojmë të forcojmë marrëdhëniet me Bosnje dhe Hercegovinën, jemi duke përgatitur hapjen e ambasadës së Republikës të Shqipërisë në Sarajevë.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë jeton një komunitet shqiptar dhe më vjen mirë që komuniteti boshnjak në Shqipëri i ka të garantuara të drejtat e veta gjuhësore, kulturore, fetare, që janë të garantuara në kushtetutën e Shqipërisë”, tha kryeministri Rama.
Më tej, shefi i qeverisë shqiptare kërkoi që Bosnje dhe Hercegovina të lejojë qytetarët e Kosovës të hyjnë me karte identiteti në vend.
“Lëvizja me ID e qytetarëve të Kosovës të sigurohet, sepse është e pakuptimtë të kemi kështu problemesh”.
Nga ana tjetër, Krišto ndër të tjera bëri të ditur se dy vendet nuk kanë mundur ende që të bien dakord për lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Marrëveshja për lirinë e lëvizjes në Ballkanin Perëndimor, që do të mundësonte heqjen e regjimit të vizave midis Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës është bllokuar pas Republika Sërbska ka votuar kundër në Kuvend.
Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor u pajtuan në tetor të vitit të kaluar dhe nënshkruan më 3 nëntor marrëveshjet për njohjen e ndërsjellë të dokumenteve të identifikimit, të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale. Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të Procesit të Berlinit dhe qytetarët e Bosnjës dhe Kosovës llogariteshin si përfituesit kryesor. Bosnje e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës për shkak të kundërshtimit nga Republika Serbe.
Sa i përket samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet në tetor, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se vendet e rajonit duhet të punojnë për të ndërtuar një qasje të re, që të marrin më shumë mbështetje ekonomike nga Unioni.
“Duam të ndërtojmë një qëllim të përbashkët të 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor për ta shfrytëzuar samitin e Tiranës, si një samit ku të marrë jetë plani i një mbështetje të re ekonomike për këto 6 vende”, theksoi shefi i qeverisë shqiptare.