Ditën e Martë më 11 Korrik 2023, Bashkia e Parmës ftoi shoqatat shqiptare në aktivitetin kushtuar Shqipërisë, në quadër të “Festivalit Ndërkombëtar të të Rinjve” që mbahet çdo vit në qytetin e Parmës drejtuar nga mjeshtri Carlo Devoti.
Artistët shqiptarë, sollën copëza malli nga vendi ynë, pjesën më të mirë, artin, kulturën, muzikën, këngën e mbi të gjitha djem dhe vajza shqiptare kaq të talentuar. Pas takimit institucional mes përfaqësuesve shqiptarë dhe atyre të Parmës në sallën e këshillit bashkiak, u dha një shfaqe artistike në sheshin kryesor “Garibaldi” ku edhe përshëndeti kryetari i bashkisë së qytetit Michele Guerra si edhe aksesorja për Paqen dhe Ndërkulturën, Daria Jacopozzi.
Ajo që vlen për t’u përmendur, është niveli lartë i përgatitjes dhe paraqitjes së të rinjve shqiptarë në këtë eveniment. Këtë e vlerësuan edhe spektatorët italianë, të cilët mbeten të mahnitur nga talenti i artistëve tanë të rinj. Përveç folklorit, artistët shqiptarë sjellin gjithmonë edhe këngë apo pjesë instrumentale, kërcime moderne, klasike, kryesisht evropiane. “Va Pensiero” i Giuseppe Verdit mori shumë duartrokitje pasi u soll në qytetin e lindjes nga të rinj shqiptarë dhe me mjeshtri.
Këto e bëjnë të veçantë por edhe miqësore, të afërt por edhe origjinale paraqitjen e Shqipërisë në të gjitha shfaqet e tyre në këtë Festival. Ndër shoqatat e ndryshme të pranishme në këtë aktivitet, ishte edhe “Shkolla Shqipe Scanderbeg” me mësuese Elvira Lashin, së bashku me disa nga nxënësit të shkollës të shoqëruar nga prindër.
“Nxënësit e shkollës shqipe në Parma e presin me padurim këtë periudhë, pasi edhe për ta është një përvojë shumë e pasur pasi bëhen pjesë e e këtij Festivali me të tilla dimensione, ku çdo ditë është një shfaqje më vete në sheshe e skena në të gjithë qytetet përreth”., shprehet mësuese Elvira Lashi.
Pjesa tjetër shumë e rëndësishme është që të rinjtë shqiptarë në Parma lidhin miqësi dhe shkëmbejnë eksperienca me të rinjtë nga Shqipëria, e shpesh krijohen lidhje miqësore që mbesin edhe në kohë.
“Shkolla shqipe Scanderbeg në Parma bashkëpunon ndër vite me Festivalin Ndërkombëtar të të Rinjve dhe për më shumë në periudhën kur vjen grupi artistik nga Shqipëria. Prindër të shkollës sonë, zgjedhin të dërgojnë fëmijët e tyre të bëhen pjesë e këtij festivali e të përfaqësojnë edhe ato Shqipërinë”, shprehet mësuesja.
Këtë vit grupi përfaqësues i artistëve shqiptarë janë trupa i baletit nga Akademia e Baletit të Tiranës me drejtoreshë Blerina Arbana dhe Kori i Liceut Artistik të Tiranës “Jordan Misja” me dirigjente Ermira Alliu. Janë rreth njëqind të rinj plot energji e talent të jashtzakonshëm.
“Ky është një rast i mirë për ne organizatat vulletare shqiptare në Parma, pasi kemi mundësinë t’i shoqërojmë dhe t’i ftojmë këta artistë që të japin shfaqje të ndryshme në të gjitha qytetet që ne operojmë”, thotë Elvira Lashi, mësuese vullnetare e shkollës shqipe Scanderbeg në qytetin e Parmës.