Shkëlqejnë “Yjet në Butrint”! Një natë në nder të Timo Fllokos bëri bashkë artistët shiptarë dhe për herë të parë, edhe të bijën Linda

Në Butrintin historik u mblodhën dhjetëra personazhe të njohur të botës së artit për të dhuruar dhe për të ndarë së bashku emocione nga mbrëmja “Yjet në Butrint”, organizuar nga Timo Flloko dhe Vera Grabocka.
Mbrëmja ku si kryefjalë kishte poezinë e mirë, interpretimin nga aktorë të ndryshëm dhe muzikën duket se ishte një mbrëmje e mbushur me emocione, magji dhe mbi të gjitha shumë dashuri që erdhi në versione të ndryshme.


Poezitë e Timo Fllokos e shndërruan amfiteatrin historik në një natë që nuk i ngjan asnjë tjetre. Sopranoja e përmasave botërore Nino Matchaize dhe zëri i pakrahasueshëm i tenorit Saimir Pirgu iu bashkuan interpretimeve të aktorëve e këngëve me poezitë e Fllokos që ndër dekada i këndojmë të gjithë.
Luiza Xhuvani, Ema Andrea, Nik Xhelilaj dhe Kristian Koroveshi, studentë të profesor Fllokos, ishin aty bashkë me emrat më të njohur të muzikës shqiptare, Redon Makashi, Pirro Çako, Ledina Çelo, Marsela Çibukaj, Arilena, Rovena Dilo e Soni Malaj.


Nën kujdesin e paarritshëm të regjisores Vera Grabocka, çdo zë i mbrëmjes të së shtunës ishte i kuruar në të gjitha detajet.


Interpretimi i pazakontë i dirigjentit të Orkestrës së Teatrit të Operës dhe Baletit, Jacobo Sipari di Pescasceroli, ishte një shfaqje më vete.


Linda Flloko, vajza e vetme e Timo Fllokos dhe Vera Grabockës, ndonëse gjithnjë ka zgjedhur të rrijë larg vëmendjes mediatike dhe ekranit, nuk kishte si të mungonte në qytetin antik të Butrintit, në një natë magjike dedikuar të atit.


Linda mori rolin e të atit dhe surprizoi të gjithë të pranishmit në Butrint. Ajo u shfaq në skenë me një fustan të bardhë të gjatë dhe interpretoi disa vargje nga poezia “Zogjtë”.


E ardhur nga Amerika, aty ku jeton me bashkëshortin dhe dy djemtë e tyre, Linda dhe interpretimi i saj u prit me duartrokitje nga publiku.


Interesi i të ftuarve kaloi çdo parashikim dhe e ktheu këtë natë në një ngjarje të paharrueshme të poezive të Timo Fllokos që do të mbetet gjatë në kujtesë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights