Një grua që sjell botën në duart tuaja, njihuni me shqiptaren e suksesshme në Greqi

Një grua e suksesshme dhe nënë e tre fëmijëve ka marrë vëmendjen në vendin fqinj. Greqinë. Ambasada shqiptare në Athinë, së fundmi ka sjellë nëpërmjet një postimi në faqen e saj në Facebook shembullin e sipërmarrëses shqiptare.

Ju prezantojmë Silvana Pelivani-Noti, sipërmarrësen e suksesshme shqiptare që sfidoi vështirësitë e emigracionit dhe ka lënë shenjën e saj në botën e biznesit. Me një pasion të palëkundur për inovacionin dhe punë të palodhur, ajo ia doli të transformojë idetë në një sipërmarrje të lulëzuar. Aftësia për të identifikuar mundësitë e pashfrytëzuara të tregut ka qenë thelbësore në suksesin e kompanisë që drejton, ndërkohë që bashkëpunon me prodhues dhe furnitorë në mbarë botën, duke siguruar aksesorët e fjalës së fundit të teknologjisë.

Silvana nga Tepelena iu bashkua familjes së saj në Greqi në vitin 2000. Së bashku me bashkëshortin themeluan ortakërinë “F.Notis & Sia OE” me aktivitet tregti me shumicë dhe pakicë, import-eksport i aksesorëve teknologjikë. Shumë shpejt kompania e tyre do të bëhej pikë furnizimi për zinxhira dyqanesh me emër në Greqi dhe me një gamë të gjerë aksesorësh me cilësi të lartë, që plotësojnë dhe përmirësojnë përdorimin e pajisjeve moderne të teknologjisë. Por nuk u mjaftua me kaq, duke ndjekur prirjet dhe nevojat e tregut, krijoi dyqanin e sukseshëm virtual www.agm-shop.gr me mbi 30,000 produkte të listuara.

Ajo beson në fuqinë e bashkëpunimit dhe diversitetit dhe nxit një mjedis pune gjithëpërfshirës. Është kjo arsyeja pse personeli i saj ka pasur ndër vite përbërje mikse, me punonjës shqiptarë dhe grekë. Përveç kësaj, me një sens përgjegjësie sociale, Silvana është përfshirë disa herë në dhurimin e produkteve në shkolla në Shqipëri dhe Greqi.

Për të gjithë arritjet e saj në botën e sipërmarrjes, u përzgjodh me meritë në dhjetë anëtarët e bordit drejtues të Komisionit të Biznesit Greko-Shqiptar të Dhomës Tregtare të Profesionistëve të Athinës, për të kontribuar në forcimin e komunitetit shqiptar të biznesit dhe për të qenë një shembull i gjallë për të gjitha vajzat e reja që synojnë të lundrojnë në botën sfiduese por shpërblyese të biznesit. Dhe Silvana me modestinë dhe thjeshtësinë që e karakterizon, ndërsa rrëfen për rrugëtimin e saj shprehet se suksesi nuk është destinacion. Suksesi dhe lumturia e vërtetë për të gjenden në buzëqeshjet e tre fëmijëve të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights