Nga nëna tek nëna…Koha për zanën e dhëmbëve

Kur fëmijët  mbushin 5-6 vjeç, në gojën e tyre formohet shenja e Batman, pra bien dhembët e parë. Çdo prind e ka kaluar në mënyra të ndryshme këtë periudhë dhe është munduar të kthejë diçka plot dhimbje dhe nganjëherë stresuese, në diçka të bukur. Edhe pse ndodh që prindërit të ndihen fajtorë kur krijojnë figura mistike, të gjithë specialistët janë të mendimit që një dozë fantazie është e shëndetshme për fëmijët në këtë moshë kur imagjinata është në kulmin e saj dhe ata vetë e përdorin fantazinë që të kuptojnë gjëra abstrakte që nuk i prekin dhe nuk i shohin, por mbi të gjitha, i mëson ata që të kenë besim edhe në koncepte të tjera abstrakte si guximi, shpresa dhe dashuria.

Fëmijëria duhet të mbushet me magji dhe surpriza sa më gjatë që të jetë e mundur. Nëse në disa vende të Europës i fshehin në tokë, në disa të tjera i djegin dhe në disa të tjera i mbajnë si hajmali, zana e dhëmbëve është versioni më i bukur për mua.

Zana, në shumicën e rasteve është një vajzë e bukur me krahë dhe me shkop magjik, por mund të jetë edhe një balerinë, një dragua, dy burra të vegjël, një dentist etj., dhe ndryshe nga figurat e tjera, fëmijët nuk i mërzit shumë fakti që mund të jenë të ndryshme, sikur do të mërziteshin po të ndryshohej plaku i Vitit të Ri.

Ka prindër që lënë edhe një letër së bashku me paratë nën jastëk, vlera e të cilave varet nga vetë gjendja ekonomike dhe statusi i familjes, por ajo që është e rëndësishme është që të mos teprohet në traditë duke shtuar gjëra të tjera.

Si dhe kur të vijë momenti që fëmijët të arrijnë në një moshë kur fillojnë të dyshojnë mbi ekzistencën e saj dhe kur të jetë gati për të mësuar të vërtetën se janë prindërit ata që i lënë paratë nën jastëk, nuk ka asgjë të keqe t’i tregohet fëmijës, sidomos kur kanë vëllezër të vegjël që të ndihmojnë në përforcimin e idesë së zanës së dhëmbëve. Sa shumë emocion të krijon fantazia e tyre. Të jep ndjesinë e të qenët përsëri fëmijë, krijon edhe ti fantazinë tënde së bashku me ta. Çdonjëri nga ne e ka përjetuar këtë fenomen, Tooth fairy. Mundet të themi: Po çfarë rëndësie ka, një dhëmb po bie e një tjetër do të dalë, por është ajo se çfarë ndien fëmija. Ai ose ajo është ndër fazat e para të ndjeshmërisë së tyre. Përballen me frikën e humbjes  së një dhëmbi pa e ditur se çfarë është ose do të më dhëmbë shumë, po gjak do të dalë, sa e shëmtuar do të dukem e të tjera plot. Por prapë kanë një gëzim atë çfarë do  të marrin. Mendja e tyre plot fantazi udhëton në ëndërrime. Sa bukur ! Ato fluturojnë në hapësira pa kufi. Melisa, vajza ime 6-vjeçare është një fëmijë me shumë fantazi, saqë ndonjëherë me duket sikur me të vërtetë ka ndodhur ajo që thotë. Dhëmbi filloi t’i lëvizte e çfarë bëri, mori në telefon tim vëlla për t’i treguar. Edhe e pyeti: “Sikur të ta jap dhëmbin ty, sa para do të më japësh. Ai tha sa të duhen ty? Pastaj erdhi tek unë daja do të më dhurojë për çdo dhëmb $10..si fëmijë bëri pak llogarinë e i dolën shumë para. Pastaj më tha po dhëmbin tim do t’ia dhuroj “Tooth fairy”. Për fatin e saj, dhëmbi i ra në shkollë dhe mësuesja e mrekullueshme ia ruajti në një çantë plastmasi së bashku me një kartolinë. Ajo ishte e lumtur, sepse gjak nuk i doli, dhimbje nuk pati dhe e gjithë klasa atë ditë e pyesnin sa para do të japin sonte “Tooth fairy”. Fjeti me shumë gëzim, sepse nën jastëkun e saj kishte 5$. Lumturi e sinqertë fëmije.

Manila Vorfa

Back to top button
Verified by MonsterInsights