- Çfarë është infarkti i akutit të miokardit?
Infarkt duhet të kuptojmë një zonë të muskulit të zemrës, qelizat e të cilit janë dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme, apo kanë vdekur. Për pasojë të bllokimit të menjëhershëm të njërës prej arterieve koronare. Akute pastaj është sa i përket kohës të cilës ne diagnostikojmë infarktin. Quhet infarkt akut, infarkt që sapo ndodh.
- Cilat janë simptomat?
Infarkti në vetvete është një dramë, sepse si e tillë përjetohet. Pjesa më evidente është dhimbja që është pikërisht rreth zonës së zemrës, apo kraharorit. Është një diskomfort apo mungesë rehatie, e cila mund të jetë si peshë, në formë rëndese apo një marrje fryme e rëndësishme, por kryesisht dominante është dhimbja, e cila ka karakteristike edhe kohëzgjatjen. Dhimbja në infarkt është një dhimbje që zgjat nga 30 minuta, ndonjëherë edhe disa orë. Është e rëndësishme të themi që sa më shpejtë të ndërgjegjësohet individi për natyrën e dhimbjes, aq më jetë shpëtuese është situata. Shpeshherë përveç dhimbjes është e pranishme ndjesia e të vjellave, një dhimbje që hapet në të dyja krahët, por kryesisht në krahun e majtë, dhe kjo është një simptomë që i orienton njerëzit për problemet e zemrës. Shoqërohet me djersitje. me dobësi të theksuar trupore, por elementi thelbësor dhe për t’u vlerësuar është dhimbja, që shpërndahet edhe mes shpatullave.
- A ka shenja paraprijëse?
Infarkti qëllon të shfaqet edhe papritur, pra pa simptoma paraprake dhe kjo është një pjesë që duhet vlerësuar dhe sa me shpejtë të ndërgjegjësohemi që zgjidhje optimale gjendet në këtë situate sepse miokardi është një diagnozë e cila kërkon një trajtim të menjëhershëm spitalor.
- Kur pacienti nuk duhet t’i neglizhojë simptomat dhe t’i drejtohet mjekut kardiolog?
Më parësorja është dhimbja, pavarësisht se jo çdo dhimbje kraharori është ekuivalent me infarktin, por pacienti nuk është i aftë të bëj një diferencë dhimbjen e infarktit dhe dhimbjes nga arsye të tjera. Një nga diagnozat që ngatërrohet më shpesh që vjen për pasojë të ngushtimit të enëve të gjakut, janë problemet e stomakut, gastritet, ulcerat, problemet e spondiliartozës cervikale, dhimbje që vijnë nga një kalkulozë biliare. Por gjithsesi diagnoza që kërkon ndërhyrje më të shpejtë është dhimbja. Në këto kushte që përmenda më lartë, pacienti e ka të vështirë të bëj diferencën. Një person që shfaq një ankesë të tillë është më mirë të bëj një vizitë. se sa një neglizhencë, sepse mund të rezultojë fatale.
- Cilat janë grupmoshat e rriskuara?
Dhimbjet te të rinjtë shpeshherë ne përpiqemi t’i marrim më me sportivitet, duke qenë se grupmoshat që klasifikohen si të rriskuara janë 45 e lartë tek meshkujt dhe 55 e lartë për femrat. Por ajo që po shikojmë sot është se sëmundja e arterieve koronare nuk po njeh moshë. Ka zbritur grupmosha.
- Për cilat arsye ka zbritur mosha?
Për arsye shumë faktorëshe. Është pikërisht shtimi i faktorëve të rriskut, shtimi i faktorëve që çojnë në sëmundjet e arterieve koronare. Kjo sëmundje sot po quhet si epidemi globale. Pavarësisht origjinës, racës, mënyrës së ushqyerjes po merr një përhapje, po thuajse në të gjithë globin. Kjo ndodh nga faktorët e riskut, një pjesë e tyre e ndryshueshme dhe një pjesë e pa ndryshueshme. Vendi ynë në bazë të statistikave është bërë po thuajse i barabartë me vendet ku kjo sëmundje është mjaft e përhapur.
- Cilët janë faktorët e rrezikut të kësaj sëmundje?
Ka dy grupe madhore risku. Janë faktorët e pandryshueshëm, ato të cilët as mjekët, as individët nuk i ndryshojnë dot, siç është mosha, sepse është një sëmundje që rrit probabilitetin e shfaqjes me rritjen e moshës; trashëgimia është pandryshueshme , pra nëse familjarë e kanë patur këtë sëmundje. Por për tej kësaj janë një grup i rëndësishëm faktorësh të ndryshueshëm, të cilët janë: yndyrat e rritura në gjak, duhan pirja, prania e diabetit dhe hipertensioni. Të katërt janë faktorë të rëndësishëm, por të modifikueshëm. Ne jua themi pacientëve se sot përveç gjenetikës që nuk e ndryshojmë dot, faktorët e ndryshueshëm është mirë t’i vlerësojmë çdo ditë.
- Çfarë bëhet në drejtim të këtyre faktorëve?
Vlerësohet shumë shpejtë risku kardiovaskular, madje nëse sot flasim për kontrolle mjekësore rutinë, bazë, të përsëritura të cilat përmbajnë një paketë vlerësimi, si: yndyrat në gjak, presionin arterial, vlerësimi i sheqerit në gjak, vlerësimi i peshës trupore dhe i stilit të jetesës. Pacientët më pak të riskuar janë ata me risk të ulët kardiovaskular, ndërsa tek ata që vlerësohet risk i mesëm apo i lartë janë pacientët që vlerësohen në rutinë
- A ka IAM të heshtur?
Infarkti mund të shfaqet edhe pa simptoma, pra pa dhimbje. Grupi i cili mund të pësojë infarkt të heshtur janë diabetikët, tek të cilët zbehet ndjesia e dhimbjes dhe vetë prezenca e sëmundjes së diabetit e kategorizon pacientin me risk të lartë kardiovaskular. Diabetikëve ju këshillojmë kontrolle rutinë edhe nëse nuk kanë ankesa, ata duhet të bëjnë pothuajse çdo 6 muaj një elektrokardiogramë, vlerësim të yndyrave në gjak. Duke e patur nën kontroll pacientin, kemi mundësi diabetikëve t’ua parandalojmë shfaqjen e infaktit.
- Ku bazohet diagnoza e IAM?
Në bazë të dhimbjes, me elektrokardiogramë që është një ekzaminim bazë dhe i rëndësishëm për diagnostikimin e menjëhershëm të infarktit të miokardit. Për fat të mirë është një ekzaminim i thjeshtë i cili mund të kryhet kudo, në çdo qendër shëndetësore. Edhe një mjek i përgjithshëm nëse bashkon dhimbjen dhe rezultatin e elektrokardiogramës mund të vendos diagnozën korrekte.
- Si e arrijmë në diagnozën diferenciale?
Diagnoza diferenciale është pikërisht ajo që i takon mjekut. Pacienti nëse ka dhimbje të fortë kraharori duhet t’i drejtohet qendrës mjekësore apo spitalit më të afërt, për t’u qetësuar që kjo nuk është një dhimbje që vjen si pasojë të ngushtimit koronar dhe nuk është një dhimbje infarkti, më pas diagnoza i takon mjekut të bëj diagnozë diferenciale sepse shpeshherë pacientët kanë humbur jetë duke menduar se është një dhimbje që nuk i përket infarktit, pra për neglizhencë. Por nëse ai trajtohet sa më shpejtë aq më mirë shpëtojmë jetë. Madje a është e mundur brenda orës së parë të jepet ndihma e shpejtë, sepse qeliza miokardiale fillon e dëmtohet në mënyrë të pakthyeshme që në 30 minutëshin e parë të prezencës së dhimbjes.
- Gjatë këtij sezoni të nxehtë duhet pacientët të kenë një kujdes më të veçantë?
Ekstremet e klimës gjithmonë janë pak problematike për pacientët me probleme të sistemit kardiovaskular. Stina e ftohtë është pak më favorizuese sidomos për sëmundjen e ngushtimit të enëve të gjakut, por edhe stina e nxehtë që jep dehidrimin. Kemi këshilla për pacientët që mjekohen për këtë sëmundje, që jo gjithmonë t’i ulin dozat e preparateve sidomos pa u këshilluar me mjekun, por ndodh që duke ndryshuar përqendrimi i medikamenteve në gjak për shkak të humbjes së theksuar të lëngjeve kur pacientët janë të ekspozuar gjatë në të nxehtë, kjo e forcon efektin e tyre, duke dhënë edhe ulje të vlerave të presionit në gjak. Të ruhen nga orët e pikut të të nxehtit, të konsumojnë shumë lëngje, sidomos ujin për mirëfunksionimin e veshkës e cila bën funksionin bazë të filtrimit të gjakut. Gjithashtu për pacientët e riskuar apo ata me risk të lart për sëmundjet kardiovaskulare të kenë kujdes sepse noti është një sport shumë i mirë, por për këtë kategori themi merrni një kontakt me mjekun përpara se të ushtroni këtë sport sepse temperaturat e ujit mund të jenë disfavorizuese, pasi ndodh që kalimi nga i nxehti ekstrem në të ftohtin e ujit, të ketë ngushtim të enëve të gjakut.
Intervistoi: Freskida MILOTI në emisionin ‘Diagnozë’- RTV ORA