Gjuha Shqipe është zyrtarisht pjesë e kurrikulës së gjuhës edhe në Universitetin e Harvardit, duke u dhënë mundësinë studentëve që të zgjedhin për të studiuar gjuhën tonë. Lajmi i mirë u bë i ditur nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
“Këtë semester studentët e Universitetit të Harvardit mes gjuhëve të tjera do të kenë mundësi të studiojnë edhe gjuhën shqipe. E konsideruar gjerësisht si një nga gjuhët më të vjetra në familjen e gjuhëve indo-evropiane, e ndryshme dhe e vetmja përfaqësuese e një dege të veçantë të gjuhëve indo-evropiane, gjuha shqipe mësohet vetëm në disa institucione të zgjedhura amerikane si në Universitetin shtetëror të Arizonës, Universitetin DePaul dhe Kolegjin Mercy në Dobbs Ferry, Nju Jork, tashmë edhe në Universitetin e Harvardit”, bëri të ditur Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.
Lënda e gjuhës shqipe do të ofrohet gjatë gjithë vitit në tri nivele, njohuri fillestare (elementary), njohuri bazike (intermediary) dhe niveli i avancuar (advanced) në Departamentin e Letërsisë Krahasuese.
Edona Cosovic, vajza e një emigranti shqiptar nga Mali i Zi, tha për “Harvard Magazine” se ishte një nga studentët që nxiti futjen e gjuhës shqipe në Harvard.
E rritur në SHBA, ajo mësoi të fliste gjuhën shqipe në mënyrë jo formale në shtëpi, por e kishte të vështirë ta ruante atë pavarësisht dëshirës së saj të madhe.