Shkolla shqipe në Zvicër, hapet klasa e gjuhës amtare në Zyrih

Vijon pa ndërprerje misioni i atdhetarëve shqiptarë në diasporë për të përhapur gjuhën dhe kulturën tonë. Së fundmi, një klasë për mësimin e gjuhës shqipe u hap në Effretikon, Kantoni i Zyrihut në Zvicër.

Një angazhim të veçantë në shërbim të arsimit shqip dhe në hapjen e kësaj klasë dhanë koordinatori i “Shkollës shqipe” në Zvicër, Vaxhid Sejdiu, së bashku me mësuesen Alma Mico.

“Përpjekjet nuk kanë të ndalur. Gjatë gjithë vitit shkollor kemi bërë çmos që të hapim sa më shumë klasa dhe në orët mësimore të gjuhës e të kulturës kombëtare të përfshijmë sa më shumë fëmijë të mërgimtarëve shqiptarë, me të vetmin qëllim që ta mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën amtare”- shprehet zoti Vaxhid Sejdiu.

Hapja e klasës së gjuhës shqipe solli buzëqeshje në fytyrat e vogëlushëve, të cilët u ulën në bankat shkollore të “Shkollës Shqipe” në Zvicër, në pikën shkollore në Effretikon. Një gëzim dhe kënaqësi e veçantë shihej edhe në fytyrat e prindërve, duke i parë fëmijët e tyre në klasë teksa shfletonin abetaren e gjuhës shqipe, leximi e shkronjave apo shqiptimi e fjalëve.

Një njoftim për hapjes e shkollës në gjuhën amtare u bë edhe nga ambasada shqiptare në Bernë. Ambasada u bën thirrje prindërve shqiptarë që t’i dërgojnë fëmijët në klasën shqipe që sapo është hapur.

“Shkolla Shqipe në Zvicër, me një përkushtim e vullnet të pandërprerë po vazhdon misionin e saj në përhapjen e gjuhës, kulturës dhe historisë shqipe tek fëmijët e Diasporës shqiptare në Zvicër. Kështu, më datë 12 maj 2023, u hap edhe një klasë në Effretikon, Kantoni i Zyrihut. Mësimi zhvillohet çdo të premte nga ora 17:00 deri në 19:00. Ambasada e Shqipërisë në Bernë përgëzon mësuese, Alma Mico, prindërit dhe i uron fëmijëve suksese. Me këtë rast, Ambasada i bënë thirrje gjithë prindërve shqiptarë në këtë zonë që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në klasën shqipe të sapo hapur”, njofton ambasada shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights