“Përmes pasqyrës”, Shqipëria pjesëmarrëse në eventin e rëndësishëm të librit në Torino

Panairi i 35 i Librit në Torino çeli siparin më 17 maj, ku Shqipëria është e ftuar nderi në këtë event të rëndësishëm të librit botëror. Aktiviteti do të mbahet deri më 22 maj, për të vijuar me promovime librash të përkthyer në gjuhën italiane, panele diskutimesh në prani të autorëve e studiuesish shqiptarë e italianë.

Një lexim në gjuhën e imazhit të veprës “Kronikë në gur”, të shkrimtarit tonë të njohur Ismail Kadare, realizuar nga arkitektja Matilda Pando, pavioni shqiptar ka tërhequr vëmendjen e mijëra lexuesve.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka treguar përmes rrjeteve sociale interesin e madh që ka ngjallur për vizitorët ky sallon, i konceptuar si vepër arti.

“Ka tërhequr vëmendjen e mijëra vizitorëve Salloni Shqiptar në Torino. Një shkëmb që i hapet botës përmes letërsisë. Një vepër sa arkitekturore dhe artistike nga Matilda Pando dhe Ergys Krisiko”, thekson ministrja Margariti.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare për Librin dhe Leximin, Alda Bardhyli tregoi rëndësinë që ka një ngjarje e tillë për gjuhën dhe kulturën shqipe.

“Prezantimi i letërsisë shqipe në edicionin e 35-të të Panairit të Librit në Torino, është një ngjarje e rëndësishme për kulturën shqipe. Për vetë kontekstin historik në të cilën letërsia shqipe u zhvillua për më shumë se gjysëm shekulli, përshfaqja përpara një audience të madhe ndërkombëtare e një historie aspak të ngjashme jo vetëm me vendin fqinj (ftues), por me shumë vende të tjera evropiane, e bën këtë pjesëmarrje të marrë përmasa gati historike. Historikisht bota kulturore shqiptare dhe latine kanë qenë simboli i europianizmit”, u shpreh Alda Bardhyli.

“Përmes pasqyrës” është titulli i edicionit të 35-të të Sallonit Ndërkombëtar të Librit në Torino, që do të mbahet nga 17-22 maj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights