Londra flet shqip, komuniteti shqiptar feston me këngë e valle tradicionale

Mes këngëve dhe valleve tradicionale shqiptare u mbajt dje në Londër aktiviteti që bëri bashkë komunitetin shqiptar në Britaninë e Madhe. Ashtu si çdo vit, edhe sivjet u organizua një koncert i larmishëm me rastin e Festës Ndërkombëtare të Fëmijëve 1 Qershorit dhe Ditës së Komunitetit Shqiptar në Britani. Ky vit shënoi 15-vjetorin e kësaj feste tradicionale-kulturore shqiptare, ku morën pjesë qindra bashkatdhëtarë që jetojnë në Angli.

Nëpërmjet një programi të larmishëm, fëmijët e shkollave shqipe arritën të shpalosin dashurinë për gjuhën, historinë dhe gjeografinë në formën më të bukur artistike, duke treguar atdhedashurinë e krenarinë për origjinën e tyre.

Prej dekash angazhim në shërbim të komunitetit shqiptar në Britani, drejtuesi i Shoqatës Ardhmëria, zoti Lutfi Vata theksoi rëndësinë që ka mësimi i gjuhës, si një mjet për të ruajtur identitetin tonë si komb.

“Shoqata Ardhëmria ka si detyrim mësimin e gjuhës shqipe të fëmijëve që jetojnë në Britaninë e Madhe. Është shumë mirë që të mblidhemi të festojmë, të vallëzojmë dhe këndojmë, por ajo çfarë është më kryesorja, që të ruajmë traditat, të ruajmë kulturën, të ruajmë gjuhën, sepse të gjithë shqiptarët e trevave shqiptare kanë një gjuhë, një gjak dhe një gjeografi. Do u lutesha të gjithë bashkëatdhetarëve që shtatorin e ardhshëm t’i regjistrojnë fëmijët në shkollat shqipe, që të mësojnë gjuhën tonë të bukur”, u shpreh zoti Lutfi Vata.

Ky organizim madhështor është dëshmi e një populli të qytetëruar dhe që përcjell vlerat më të mira të kombit shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights