“Letër gjyshes” është nisma e veçantë e Qendrës së Botimeve për Diasporën që bëri bashkë fëmijët e shkollave shqipe në Europë. Fëmijë të grupmoshave të ndryshme sollën krijimet e tyre në gjuhën shqipe, si pjesë e konkursit letrar, “Letër gjyshes sime”.
Në këto kartolina, fëmijët shqiptarë shprehën dashurinë për një figurë aq të çmuar sa ajo e gjyshes. Pjesë e këtij konkursi ishin edhe nxënës nga shkolla shqipe, “Scanderbeg Parma” në Itali.
Nga të dy klasat e kësaj shkolle u përzgjodhën gjashtë letra, ku vogëlushët shprehnin dashurinë e ushqyer nga familja brez pas brezi.
“Faleminderit prindërve për dashurinë që kanë ushqyer tek fëmijët e tyre për familjen dhe gjyshërit në veçanti. Faleminderit Qendra e Botimeve për Diasporën për nismën me vlerë!”-shkruan në Facebook, shkolla shqipe “Scanderbeg Parma”.
Ersela Lashi është një 11-vjeçare, e cila I ka dedikuar një letër plot emocion gjyshes së saj. Në këtë letër, ndër të tjera Ersela shkruan: “E dashur nëna Kia! Unë që po të shkruaj jam Ersela dhe po më ndihmon motra ime Mersiana, sepse unë akoma nuk di të shkruaj. Këtë vit unë do të përfundoj klasën e parë dhe ndërkohë në shkollën time pasdite mësojmë shqip. O sa më pëlqen nëna Kia, unë kam folur edhe për ty nëna, kam treguar që ti më ke mësuar të bëj petulla dhe ëmbëlsira me arra, ooo sa të mira që janë!”
Ndërsa, Evelin Guri kujton një ngjarje vërtetë të bukur, magjike të takimit të saj me gjyshërit në Ditën e Verës në Elbasan.
“Unë quhem Evelin, kam lindur në Parma dhe mbaj fort lidhjet me Shqipërinë dhe familjet e prindërve të mi. Sot dëshiroj të flas për gjyshen time nga Elbasani. Ashtu si edhe qyteti ynë i bukur dhe gjyshërit e mi janë njerëz shumë të bukur në shpirt dhe shumë të dashur me të gjithë…Në Ditën e Verës, prindërit e mi kishin vendosur t’i bënin një vizitë të befasishme gjyshërve të mi, pasi për një kohë të gjatë ne nuk ishim kthyer në shtëpi. Ata zgjodhën Ditën e Verës, një festë që në qytetin tim është shumë e veçantë…Trokitëm në portën e bukur dhe të vjetër prej druri dhe të gjithë mbetën kaq të befasuar, pa fjalë dhe shpërthyem në të qeshura e lot gëzimi. U përqafuam të gjithë në qark, e gjithë familja, e kjo për mua është imazhi më i bukur që ruaj në kujtesë”, shkruan plot emocion në letrën e saj 11-vjeçarja.
Këto kartolina janë një dëshmi më shumë që askush nuk mund ta zëvendësojë dashurinë dhe përkujdesin e një gjysheje.