Tradita, kultura dhe historia jonë u sollën në mënyrë të përkryer nga të rinj shqiptarë, gjatë një organizimi që u mbajt në qytetin e Parmës në Itali.
“Tutto il Mondo nella Scuola” (E gjithë bota në shkollë) titullohet projekti që bashkoi komunitetet dhe shkollat e qytetit të Parmës. Një aktivitet, i cili u organizua në bashkëpunim me “Migrantes”, “Rete Scuole per la Pace” dhe me mbështetjen e Bashkisë së Parmës më 27 maj në kopshtin e madh te qytetit “Parco Ducale”.
Qëllimi i projektit ishte të sillte botën në shkolla, duke krijuar një laborator mes të rinjve për të zgjeruar vizionin e tyre për botën pa paragjykime, por me njohjen dhe pranimin e veçantive, historive dhe përvojave të ndryshme. Në projekt morën pjesë shkolla të shumta në Parma, mes të cilave Ulivi, Rondani, Bocchialini, Meloni, Marconi, Bertoluci, Romagnosi, San Vitale, Giordani dhe Shkolla e Gjuhës dhe Kulturës Shqipe në Parma, “Scanderbeg”.
“Forum Donne Indipendenti” (Forumi i Grave të Pavarura) dhe Shkolla e Gjuhës dhe Kulturës Shqipe në Parma, “Scanderbeg” përfaqësuan komunitetin shqiptar me një program të plotë me muzikë, kostume dhe valle, dëshmi e histori nga Shqipëria.
Mësuesit e shkollës prezantuan histori personale të emigrimit të viteve ’90 dhe sfidat e integrimit për qytetin mikpritës të Parmës. Mirëpo, në këtë aktivitet nxënësit sollën pak nga historia, kultura dhe tradita jonë, nëpërmjet këngëve patriotike dhe ‘vallës së shqiponjave’.
Ky aktivitet ishte një moment krenarie për prindërit dhe aktivistët që prej vitesh punojnë për të përgatitur qytetarë të ndërgjegjshëm e krenarë dhe për të vazhduar rrugëtimin e integrimit dhe bashkëjetesës paqësore kudo ku jetojnë shqiptarët.