
Ka qenë realisht një rrugëtim i gjatë, i dhimbshëm, e tejet i vështirë. Në pak më shumë se një shekull nga 1878-1999 shqiptaret e trojet e tyre amtare përjetuan aq shumë dhimbje e vuajtje sa është e vështirë të përshkruhen në pak rreshta. Spastrimi etnik ishte në rendin e ditës të politikës së fqinjit tonë verior perëndimor. Qëndresa e shqiptare kundrejt kësaj politike ka qenë e palëkundur edhe në periudhat më të vështira kur përballë kishim jo vetëm fqinjët por, Fuqitë e Mëdha të kohës si edhe qëndrimin e lëkundur të Perandorisë Osmane.
Dëshmia më e fortë është padyshim Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878-1881. Degët e Lidhjes ishin ngritur në të gjithë qendrat kryesore në të 4 vilajetet shqiptare. Për të kuptuar më mirë se cili ishte arsyeja e këtij bashkimi mbarëshqiptar mjafton të lexojmë pak rreshta nga Memorandumi që banorët e Shkodrës i drejtojnë Ministrit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, Lordit Beacosfield. Në kushtet kur Fuqitë e Mëdha të kohës ishin mbledhur në një Kongres në Berlin më 13 qershor 1878 për të vendosur kufij të rinj në kushtet kur Perandoria Osmane kishte nisur rënien e saj si fuqi e madhe. Trojet shqiptare ishin në linjën e parë të sakrifikimit për të plotësuar ambiciet e orekset shekullore të sllavëve të jugut.
Më 20 qershor 1878 niset nga Shkodra, kryeqendra e vilajetit me të njëjtin emër, një Memorandum i jashtëzakonshëm për kohën, për shkak të forcës së fjalëve që ai përmban.
“ Si nuk jemi e nuk duam të jemi turq, ashtu do t’i kundërvihemi me të gjitha forcat tona kujtdo që do të dojë të na bëjë sllavë, austriakë apo grekë. Ne nuk duam gja tjetër veçse të jemi shqiptarë.” E më poshtë shkruhet, “..Shqipëria e pavarur përveç se do të jetë një mburojë kundër sllavizimit do të jetë një element ekuilibri politik e tregtar mbasi do të pengonte supremacinë e veçantë të çdo kombësie tjetër dhe do të mbante për të gjithë të hapur rrugën e Lindjes….jemi barriera e fundit për të penguar depërtimin sllav drejt Europës….”
Nga ky Kongres trojet shqiptare nuk dolën të paprekura. Kongresi morri vendimin për t’i dhuruar Malit të Zi dy portet shqiptare të Tivarit e Ulqinit. Dorëzimi i tyre u realizua për turpin e atyre që morën këtë vendim, vetëm pas ardhjes së fuqive detare të Fuqive të Mëdha, pasi qëndresa e shqiptarëve ishte heroike.
Në dekadat që do të pasojnë këtë ngjarje të dhimbshme për të gjithë shqiptarët fqinjët tanë të cilët nuk kishin realizuar plotësisht qëllimet e tyre nuk ndërprenë për asnjë çast planet e tyre për të rrëmbyer sa më shumë tokat tona amtare.
Kryengritjet e Mëdha Antiosmane të viteve 1910-1912, të cilat do të dallohen për pjesëmarrjen masive të shqiptarëve të Kosovës, Dibrës, Malësive të MbiShkodrës, Plavës, Gucisë, por edhe të krahinave të Shqipërisë së Jugut e Çamërisë do të sjellin ngjarjen më të madhe në historinë tonë kombëtare, ngritjen e Flamurit kuq e zi në Vlorë. Por fatkeqësisht rrjedha e ngjarjeve në Europë e Ballkan do të sjellin vetëm dhimbje e lot për gjysmën e popullit shqiptar. Njohja e Pavarësisë së Shqipërisë u shoqërua me një nga padrejtësitë më të mëdha të shekullit të kaluar. Kalvari i vuajtjeve të shqiptarëve nuk kishte të mbaruar. Europa mosmirënjohëse ndaj asaj që shqiptarët me në krye Gjergj Kastriot –Skendërbeun kishin bërë për kontinentin plak, vendosi për shqiptarët e trojet e tyre t’i ndante midis fqinjëve sikur të ishin plaçkë tregu. Një popull, që bazuar në prova të pakundërshtueshme historike ishte banor në këto anë mijëra vjet para ardhjes së sllavëve , ta ndante përgjysmë si popullsi e si territor.
Të larguarit nga këto treva do të gjejnë forcën të krijojnë në Shkodër në nëntor 1918 një të quajtur Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, me në krye Hoxha Kadri Prishtinën, një ndër juristët më të mirë të kohës. Komiteti përveç se organizoi e drejtoi kryengritjen kundër pushtuesve të rinj serbo-malazez, ndërmori një fushatë të fuqishme pranë kancelarive të kohës për të kërkuar të drejtën e shqiptarëve për të qenë të bashkuar në një shtet, por mbi të gjitha duke bërë publikisht botës mbarë gjenocidin e spastrimin etnik ndaj shqiptarëve. Sipas informatave që Komiteti mblidhte nga krahinat e mbetura jashtë kufijve politik të Shqipërisë rezultonte se rreth 250.000-300.000 u masakruan dhe u detyruan të largohen gjatë viteve 1912-1921.
Në vitet 30 të shekullit të kaluar ka një tjetër eksod të qindra mijëra familjeve shqiptare shumica drejt Turqisë e pak drejt Shqipërisë, të detyruar agrare e zbatuar nga qeveria jugosllave. Ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore Jugosllavia nën udhëheqjen e Titos, shtrëngesa për të larguar shqiptarët do të jetë edhe më e ashpër. Mendohet se midis viteve 1955-1965 rreth 500.000 janë larguar drejt Turqisë. Më pas largimet do të jenë sporadike, por të pandërprera. Trajtimi i shqiptarëve në ish-Republikën Federative Jugosllave si qytetarë të kategorisë të dytë detyronte jo pak prej tyre për t’u larguar tashmë drejt Europës. Të ndarë në disa republika, pjesë të Federatës, Mali i Zi, Maqedonia e Serbia për shqiptarët jetesa ishte e vështirë në të gjitha drejtimet.
Viti 1968 do të shënojë një vit kthese për fatin e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Demonstratat e viti 1968 konsiderohen si pikënisja e rrugës drejt Pavarësisë. Por duhet thënë se kanë qenë të pafund sakrificat, pasi represioni i autoriteve jugosllave ka qenë tejet i ashpër. E megjithatë ata u detyruan të bëjnë disa lëshime, lejuan krijimin e Krahinës Autonome, hapjen e Universitetit, shkëmbimet me Shqipërinë në fushën e artit, sportit, arsimit, organizimin e Konferencave për 500-vjetorin e Gjergj Kastriot Skënderbeut, Lidhjes Shqiptare të Prizrenit etj.
Shpërthimi demonstratave nga rinia studentore në Pranverë 1981 janë pararendëse të ngjarjeve të viteve të pas 1990. Shqiptarët e asaj krahine martire u përballën me gjithë egërsinë e një shteti policor. Nga ky vit deri në qershor 1999 mund të themi me plot gojën se Apartejdi i aplikuar ndaj popullsisë vendase në Afrikën e Jugut tashmë ishte eksportuar në Europë. Në kushtet kur mbyllen shkollat, largohen nga puna në masë shqiptarët e plot privime të tjera, do të jetë diaspora që mban gjallë jetën në Kosovë. Egërsia e luftës gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, një shtet i krijuar prej Fuqive të Mëdha pa asnjë logjikë historike, shqiptarët mbijetuan fillimisht bazuar në filozofinë gandiane, por pa harruar se duhej edhe të përgatiteshin për luftë. Udhëheqja e urtë e paqësore e dr. Ibrahim Rugovës do të vazhdojë me udhëheqës luftëtarë si heroi legjendar Adem Jashari.
Më në fund fiks pas 80 vjetësh kur Hoxha Kadri Prishtina në emër të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, mbasi me fakte e prova dëshmonte gjenocidin e spastrimin etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë e më gjerë, i kërkonte Fuqive të Mëdha, “… në se nuk na bashkoni me Shqipërinë, ju lutemi, nxehtësisht mos na lini nën një pushtim tjetër të huaj, na merrni nën një administrim ndërkombëtar…..”.
17 shkurt 2007 është jo vetëm dita e Pavarësisë aq shumë të dëshiruar, por është edhe dita për të kujtuar e nderuar të gjithë ata burra e gra që sakrifikuan gjithçka patën për dheun e të parëve tanë.
Ju takon jo vetëm atyre që jetojnë e punojnë në Republikën e Kosovës, por të gjithë brezave të shqiptarëve të shpërndarë në mbarë botën, sidomos atyre që kanë shkëlqyer në fusha të ndryshme, që të punojnë pa u lodhur për Republikën tonë, për forcimin e saj në arenën ndërkombëtare e begatimin e saj.
Urimet më të mira nga zemra në këtë ditë të shenjtë .
Prof. Dr. Nevila Nika
(mbesa e Hoxha Kadri Prishtinës)
Linke referencë
- https://www.votramagazine.com/kosova-should-remember-its-history-as-it-gains-recognition-into-the-various-international-arenas/
- https://www.votramagazine.com/ibrahim-rugova-the-icon-of-independence-and-peace-in-kosovo/
- https://www.votramagazine.com/legacy-of-leadership-kosovos-brave-women-at-the-forefront-of-change/
- https://www.votramagazine.com/new-born-celebrating-kosovos-16th-independence-anniversary-with-a-message-of-
- freedom-and-unity/
- https://www.votramagazine.com/ibrahim-rugova-advocate-of-peaceful-independence-for-kosovo/
Linke referencë të Kosovës
- Qeveria e Kosovës – https://www.rks-gov.net/
- Kosovo Independence Declaration (UNMIK Archive) – https://www.unmikonline.org/