Përkujtimi I Luigj Gurakuqi-t

Sot, më 19 shkurt, përkujtojmë në Votër 142 vjetorin e lindjes së një prej figurave më të ndritura të Rilindjes sonë Kombëtare, Luigj Gurakuqi.

Po, kush ishte Luigj Gurakuqi?Lindi në Shkodër, më 19 shkurt 1879, në një familje tregtarësh me bindje të theksuara patriotike dhe kombëtare. I ati, Pjetër Gurakuqi, nguli këmbë në shkollimin e të birit duke e dërguar në shkollat më të mira të kohës. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Mjekësisë, në qytetin e Napolit, Itali.

I rritur në një mjedis familjar ku iu mëkua dashuria për atdheun, veprimtarinë patriotike dhe politike e nisi që në moshë të re duke u bërë pjesë e shoqërisë “Bashkimi”. Falë përkushtimit në këtë veprimtari, në nëntor 1908, dërgohet në Kongresin e Manastirit për çështjen e alfabetit shqip. Në Manastir, shkroi alfabetin e miratuar dhe e shpalli para delegatëve. Punoi fort për krijimin e një shteti të pavarur shqiptar, duke qenë krahu i djathtë i Ismail Qemalit. Mori pjesë në Kuvendin e Vlorës dhe më 28 nëntor 1912 hartoi dhe lexoi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë. Njëri nga firmëtarët ishte ai vetë. Kontributi i tij qe i gjithanshëm; ishte poet, arsimtar, gjuhëtar, diplomat. Vritet në Bari të Italisë më 2 mars 1925, nga dora tradhtare e kushëririt të tij, Baltjon Stamolla.

Në këtë datë përkujtimore, Revista Votra ju sjell në mendje disa nga vargjet e poezisë së tij, “Qindresa” :

… Oh! jeta përnjimend me rrena e vaj Plot qenka n’kët botë t’lashtë! U shueka tepër shpejt lakmimi i saj, Si zjarmi i bam’ me kashtë. Veç nji qëllim i naltë t’ban me durue, E zemrën ta forcon; Ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue, Mjer’ai qi nuk qindron…

©️ VOTRA Magazine / Shkurt 2021 🇦🇱

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights