Diktatura dhe ndalimi i besimit fetar në Shqipëri, sfidat për të hapur kishën në Libofshë

Në vitin 1967 në Shqipëri u dha urdhri për ndalimin e plotë të besimit fetar nga lideri komunist Enver Hoxha. Me shpërthime eksplozivi dhe tanke u shkatërruan 2172 objekte kulti. Prifti i kishës së fshatit Libofshë, Refail Redhi rrëfen përjetimet e tij, familjes dhe besimtarëve pas shembjes së objekteve të kultit dhe propagandës që i shtyu shqiptarët të mohonin besimin e tyre fetar.

“Ky ndalimi që u bë ra si një goditje për prindërit tanë. Dhe nuk flisnim, sepse kishin frikë edhe nga komunistët, ata vëzhgonin, kush e feston, kush nuk e feston. Luftuan në të gjitha drejtimet, me propagandë, gazeta, teatër, film, si të zhdukej, si të çrrënjosej besimi, por nuk e zhdukën. Kryqi në zemrat e njerëzve në atë kohë ishte i madh, u zvogëlua u bë i vogël, por kurrë nuk u zhduk”, shprehet At Refail Redhi.

Çdo mjet terrori që regjimi përdori nuk e zhduku besimin fetar nga zemrat e njerëzve, pasi ata shkonin dhe faleshin fshehurazi në Manastir, në Kisha dhe ndiznin qiri. Prifti rrëfen një rast në kishën e “Shën Kollit”, ku disa qytetarë nga Durrësi shkuan dhe ndezën qirinj, por një spiun komunist i zbuloi dhe i çoi me pranga në gjykatë në Fier.

Sipas tij, një prej besimtarëve të arrestuar ishte shprehur: “Unë jam me traget, kur më zë furtunë në mes të detit unë nuk them ‘O Parti’, por them ‘O Zot’. Dhe kur zbres në tokë jam i detyruar që të falenderoj Zotin që më shpëtoi”.

Edhe në familjen e Refailit, nëna e tij përpiqej që të ruante besimin dhe ta transmetonte te fëmijët e saj. “Nëna i dinte kur i binin datat dhe kur vinin Pashkët bënte vezë të kuqe. ‘Gëzuar Pashkët’- thoshte nëna. Dhe kur përshëndesnim në mëngjes njëri-tjetrit nuk thoshim mirëmëngjesi, për 40 ditë thoshim ‘Krishti u Ngjall’”, rrëfen prifti 65-vjeçar.

Ndër të tjera ai zbulon se dëshira për t’iu përkushtuar besimit të krishterë dhe për t’u bërë prift lindi qëkur ishte fëmijë.

“Kur isha i vogël, mora një pallto të zezë të madhe, vura një kusi në kokë, një bastun dhe më shoqëronin rreth 15 fëmijë. Ishte një shenjë nga Zoti që një ditë do bëhesha prift. U thosha njerëzve po të hapen kishat do të bëhem prift”, tregon ai.

Një komunist i bërtiti duke i thënë: “Pse hap këtë propagandë apo ke qejf që të fusim në burg”, Ai i kishte kthyer këtë përgjigje: “Unë kam dhunti nga Zoti dhe ti që je komunist do të lësh këtë vend”.

Në vitin 1992, prifti nisi një proces për të rihapur kishën në fshatin e Libofshës. “Në vitin 1992 mblodha format e 100 familjeve, të cilët ishin të gatshëm që të hapeshin Kishat. Fillova në dhjetor të vitit 1990 dhe në vitin 1991 u mlodhën njerëzit në ‘Shën Kozma’ për Pashkën”, rrëfen prifti, teksa kujton kohën kur shqiptarët nisin të praktikonin ritet fetare pas rënies së regjimit komunist. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights