1 Maji është Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve dhe në shumë vende njihet si ditë zyrtare pushimi. Por, çfarë simbolizon kjo datë për shumë shtete në mbarë botën, ku njerëzit ngrihen për të kërkuar të drejtat e tyre.
1 Maji i parë lindi në Paris në 1889. Ideja u hodh gjatë Kongresit të Internacionales së dytë, të mbledhur në kryeqytetin francez.
Objektivi i organizatës së krijuar nga hiri i organizatës së parë ishte ai i koordinimit të aktiviteteve të të gjitha partive kombëtare të lidhura me lëvizjen e punëtorëve. U vendos të realizohej një manifestim i madh për t’i kërkuar autoriteteve publike që të reduktonin ditën e punës në 8 orë.
“8 orë punë, 8 orë argëtim dhe 8 orë për të fjetur”. Ishte kjo moto e krijuar për herë të parë në Australi në vitin 1855 dhe që më pas u përdor nga pjesa më e madhe e lëvizjes së sindikatave.
Një moto që i hapi rrugën kërkesave të tjera të përgjithshme dhe caktimit të një dite, pikërisht në 1 Maj, ku të gjithë punëtorët mund të takoheshin për të mbrojtur autonominë e tyre.
Zgjedhja e kësaj date u bë si pasojë e incidenteve të rënda të ndodhura në ditët e para të majit të vitit 1886 në Chicago, që njihen si revolta e “Haymarket”. Manifestimi masiv u bë një vit më vonë, në të njëjtin qytet më 1 Maj 1887.
Kështu filloi rrugëtimi i kësaj dite e date të rëndësishme, i përqafuar nga miliona punëtorë, i organizuar përmes Lëvizjes sindikaliste dhe partive, që në fokus kanë pozitën socio-ekonomike të punëtorëve.
Sindikata botërore e caktoi 1 Majin ditë në të cilën të gjithë punëtorët ushtrojnë presion për sigurimin dhe avancimin e të drejtave të tyre.
Në Europë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e parë të Gjenevës. Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së dytë, vendosi që pikërisht 1 Maji të mbetet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.
Nga viti 1891, Kongresi i tretë i Internacionales në Bruksel, mori vendim, që: “Dita e 1 Majit do të kremtohet përgjithmonë dhe në të gjitha vendet, si Festa e Punëtorëve, në të cilën punëtorët do t’i identifikojnë, avancojnë dhe mbrojnë me Kushtetutë e ligje; liritë, të drejtat, kushtet e punës, rrogën mesatare të garantuar, pushimin ditor, javor, vjetor dhe pushimet tjera sipas nevojës”.
© VOTRA Magazine / Maj 2021