15 vite “Albanian Roots”, mbrëmja gala që bashkoi qindra shqiptarë në Manhattan

15-vjetori i organizatës shqiptare në New York, “Albanian Roots”, me drejtues zotin Marko Kepi bëri bashkë qindra shqiptarë në Riverside Church në Manhattan. Në mbrëmjen gala, që u mbajt më 10 qershor morën pjesë personalitete të shquara amerikane dhe shqiptare, të cilët janë një aset i vyer për kombin tonë.

Çdo vit, mbrëmjen para paradës organizohet një darkë me vullnetarët, sponsorët, shoqatat dhe të ftuarit. Mirëpo, sivjet, në 15-vjetorin e Paradës Shqiptare u organizua një gala, ku u vlerësuan të gjithë ata që e kanë sjellë paradën në nivelin që është tani. 

Ajo sallë e veçantë e kishës ishte mbushur plot e përplot me njerëz, të cilët mbartnin me vete një copëz histori të “Albanian Roots”. Dikur një grup të rinjsh, sot qytetarë të formuar dhe plot vision, organizuan një mbrëmje magjike për të bërë bashkë shqiptarët. Veç tyre, edhe shumë atdhetarë të tjerë, për vite më radhë iu përkushtuan më gjithë dashurinë e tyre “Albanian Roots”, teksa sot ndodhen anembanë Amerikës në rrugëtimin e tyre të jetës.

Gala ishte si një kujtesë që solli në dritë atë grup të vogël djemsh me në krye Marko Kepin që e organizuan paradën e parë shqiptare me fondet e tyre të vogla personale. Dhe tani në skenë nuk ishte më ai djaloshi i ri, i cili shikonte me adhurim shtetet e tjera në ‘Paradën e Emigrantëve’ duke menduar se ndoshta dhe Shqipëria mund të marrë pjese. Tani në skenë ishte nje atdhetar i flaktë që e di kush është, çfarë do dhe me vete ka një ushtri të tërë që e ndjekin dhe e përkrahin. 

Gjatë fjalës përshëndetëse, drejtuesi i “Rrënjët Shqiptare-Albanian Roots”, zoti Marko Kepi theksoi rëndësinë e kësaj organizate për të bërë bashkë shqiptarë kudo ku janë.

“Ne si organizatë, gjithmonë jemi munduar të jemi shoqatë patriotike shqiptare që i bashkon të gjithë shqiptarët pa dallim trojesh, pa dallim feje, pa dallim krahine, por thjesht për Shqipërinë tonë të madhe, për një Shqipëri etnike, ashtu siç na e ka fal Zoti”, u shpreh zoti Kepi.

Ajo që është konstante në këtë eveniment janë shoqatat që marrin pjesë në Paradë, me ndonjë ndryshim të vogël ndër vite. Këtë vit, ndryshe nga vitet e tjera, çdo shoqatë zgjodhi një përfaqësues për ta nderuar në paradën shqiptare dhe të gjithë ata u ftuan në skenë ku iu dorësuan ‘një brez mirënjohje’. “Albanian Roots” nderoi Aferdita Delaj për kontributin e saj ndër vite në “Rrënjët Shqiptare”.

Votra nderoi Liljana Gashin për kontributin e saj me gratë shqiptare, duke filluar me Motrat Qiriazi në fillimet e saj, e duke vazhduar tani me “Kosovo Center for the Rehabilitation of Torture Survivors”, ku të ftuara në mbrëmje ishin dhe Feride Rushiti dhe Kadire Tahiraj.

Një prej çasteve më emocionuese gjatë kësaj mbrëmje ishte momenti kur mjeshtri i madh i muzikës, Gëzim Nika intepretoi himnin tonë kombëtar. Pjesëmarrësit u ngritën në këmbë për të nderuar himnet kombëtare, atë amerikan dhe shqiptar.

Në këtë aktvitetet të rëndësishëm për komunitetin shqiptar, përshëndetën online kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Kosovës, Albin Kurti, të cilët vlerësuan angazhimin ndër vite të organizatës “Rrënjët Shqiptare”. 

Mbrëmja gala tregoi se sa larg ka arritur Albanian Roots duke shërbyer si një tjetër shkallë për të ecur para dhe për arritje të reja edhe më të mëdha.

Albanian Roots është një grup profesionistësh dhe studentësh të rinj shqiptarë, të cilët janë të përkushtuar dhe të pasionuar për të promovuar kulturën, traditat dhe vlerat e popullit shqiptar në botë. Organizata u themelua në vitin 2009 dhe ka organizuar në mënyrë aktive aktivitete kulturore për të forcuar komunitetin dhe për të festuar kulturën tonë. Gjithashtu, organizata ‘Rrënjët Shqiptare – Albanian Roots’ është një nga organizatat më vitale të komunitetit shqiptaro – amerikan, e cila prej vitesh organizon të vetmen paradë shqiptare në New York, kushtuar traditës, kulturës dhe vlerave tona kombëtare.

Photo credits 📷 Kozeta Zylo-Alba Life

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights