Me datën 14 dhjetor të vitit 2018, kuvendi i Kosovës miratoi tre projektligjet që i japin mandat ushtarak mbrojtës Forcës së Sigurisë të Kosovës. Pra e shprehur thjeshtë, kjo datë shënon ditën kur Kosova heroinë krijoi ushtrinë e saj për të mbrojtur lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e saj.
Ndër shekuj kjo tokë është mbrojtur me gjakun e kuq të të rënëve i cili ngjyrosi flamurin për të valëvitur përjetësisht me emrin shqiptar.
Ushtria e Kosovës sot mban në njërën dorë armën e në tjetrën flamurin blu, por në zemer ajo mban atë kuq e zi.
Më kujtoi kjo tre gjëra; Letrën e Bajronit dërguar nënës së tij, një besim në mitologji dhe Nënë Terezën.
Në të parën Bajroni shkruan se shqiptarët janë të egër për armiqtë dhe se armiku nuk ua pa asnjeherë kurrizin.
Por Bajroni nuk është i pari që është magjepsur nga trimëria dhe burrëria e shqiptarëve kur u cënohet ajo cfarë është e shtrenjtë për ta. Kjo sepse të shumtë janë armiqtë e kësaj toke që u janë dridhur gjunjët nga frika e zjarrit që shpërthen në gjoksin e shqiptarit duke e konsumuar të tërin dhe duke e kthyer në një pegasus strateg.
Prandaj këtu fillon sfida e shqiptarit; të mësojë të mbajë të njëjtin zjarr ndezur për të jetuar në paqe plot dashuri, respekt, tolerancë dhe punë
E askush më mirë se avionët, tanket dhe sniperat e rinj në ushtri nuk e bën më të veshtirë këtë mision, sepse sikur fëmijët që mezi presin të hapin dhuratat e Krishtindjeve, ashtu edhe burri me erën e barotit në mushkëri, është i gatshëm ti provojë.
Shkrova më sipër që e dyta gjë që më kujtoi ushtria e Kosovës është një besim në mitologji, dhe pikerisht në mitologjinë e indianëve të Amerikës. Ata besojnë se fluturat blu janë luftëtaret e rënë për liri. Prandaj dhe une, një bijë shqipërie me burrë të Kosovës në krah, shpresoj që liderat kosovarë të ndjekin rrugën e dëshmorëve, dhe ata, luftëtarët e rënë për liri e paqe, ta bekojnë flamurin në duart e ushtarëve të Kosovës sikur ndër shekuj e kanë bekuar atë që ndodhet në zemrën e tyre.
E treta gjë që më solli në mendje ishte vetë Nënë Tereza, bijë shenjtëreshë e tokës shqiptare, e cila i vuri dlirësisë së rrobës së saj kufirin e blutë të paqes.
Le të mos harrojmë se ashtu sikur nëna e mbron e heshtur bijën e saj që ajo të rritet e fortë dhe e zonja, ashtu i shkund malet zgjimi i saj kur i cenohet sadopak ajo, aq më tepër kur bijtë e nënës Shqipëri janë shpërndarë në gjithë botën dhe kanë ndërtuar folenë në tokën e bekuar të Amerikës.
Prandaj nga zemra ime, mbushur dashuri për ate tokë, i uroj Kosovës së dlirë paqe dhe prosperitet, ushtarakë strategë dhe trashëgimtarë të zotë, të zgjuar dhe të mencur që e dinë se forca e vërtetë qëndron në thellësinë e dijes dhe jo në grykën e pushkës, të cilët punojnë për më të mirën e popullit të Kosovës, duke qenë gati ndaj çdo rreziku që mund ti kanoset asaj.
“Shpreso më të mirën dhe përgatitu për më të keqen!” – thonë amerikanet.
Aferdita Delaj