Plava dhe Gucia, zemra e Bjeshkëve të Namuna.

Plava  dhe Gucia, zemra e ngrohtë bujare, e strukur mes Bjeshkëve të Namuna, ku “miza bren hekurin”

Rruga  e dytë e Kombit u bë ura lidhëse e trevave shqiptare të shkëputura nga toka mëmë që ndodhen në Mal të Zi, nga Plava e Gucia e deri në Ulqin. Eshtë kjo rrugë që do të ndihmojë drejtëpërdrejtë në zhvillimin e turizmit, sepse tani koha për t’i përshkruar këto zona përgjysmohet. Turistët dhe vizitorët e shumtë do të kenë mundësi ta shikojnë me sytë e tyre dhe ta perjetojnë vetë këtë mrekulli të natyrës shqiptare, ku të qetësohet mendja dhe të mbushet shpirti plot jetë.  Rruga Shkodër-Guci është vetëm 100 km dhe mund të bëhet për më pak se 2 orë. Kjo rrugë kalon si një damar nëpër sistemin malor të Alpeve Shqiptare, të cilat përbëhen nga 24 grupe malore me 152 maja më të larta se 2000 m, me një sipërfaqe të përgjithëshme prej 1000 km katërorë, pjesa më e madhe e të cilave shtrihen në territorin e Republikës së Kosovës. Masivi malor i Alpeve Shqiptare i njohur si “Bjeshkët e Nemuna“ është njohur me këtë emër për herë të parë nga shkencëtarët francezë, austriakë, gjermanë etj. Emërtimi “Alpet Shqiptare” është më i pranueshëm, sepse ato vërtetë janë një sistem malor madhështor në të gjitha aspektet: gjeomorfologjike, hidrologjike, floristike, faunistike, vegjetative, peisazhore etj.Në Alpet Shqiptare akullnajat kanë pasur veprim më të madh se në malet tjera të Gadishullit Ballkanik. Nga Shkodra e deri në Rozhajë, të gjitha malet e Alpeve Shqiptare kanë qenë të mbuluara nga masa akullnajore, përveç majave më të larta malore. Nga masivi i Alpeve, dikur kishte akullnaja masive nga veriu dhe lindja. 

Nga  veriu ishte akullnaja e Plavës me gjatësi 35 km dhe trashësi prej 200 metrash, me një sipërfaqe prej 250 km katërore. Në rrugëtimin e vet ajo krijoi morenat ballore dhe në afërsi të Plavës së sotme  basenin terminal të liqenit të Plavës, në një lartësi mbidetare 900 metra. Në anën lindore të Alpeve Shqiptare u formuan shumë akullnaja. Në rrjedhën e sipërme të lumit Ibër ishte formuar akullnaja e Rozhajës, Nga Akullnaja e Pejës qenë krijuar akulnajat e Rugovës (Lumbardhit), dhe të Deçanit. Përveç këtyre akullnajave, në Alpet Shqiptare u formuan akullnaja e Gucisë, Jasenicës, Gërbajës dhe Komariqit.  Liqenet më të njoura në Alpet Shqiptare janë ai i Zanave, Rikavikës, Bukumirit, Gjeravicës dhe i Savinës. Një ekip i gjeografëve britanik ka zbuluar akullnaja të pa eksploruara më parë. Akademikët nga Manchester University gjetën katër akullnaja në Alpet Shqiptare, në territorin e Shqipërisë. Ato janë formuar në një lartësi prej 2 000 metra.  Alpet shqiptare në Mal të Zi kanë një sipërfaqe përafërsisht rreth 250 kilometra katrore dhe shtrihen nga Shkodra deri te Bogicevica në kufi me Kosovën. Masivi malor i Alpeve Shqiptare të Malit të Zi është i kufizuar nga lumenjtë Cem, Lim dhe Ibër. Në veri, Alpet fillojnë nga vargu malor Visitor, Golesh, Greben dhe Zeletin. 

Kur flasim për Alpet Shqiptare në Mal të Zi para së gjithash kemi të bëjmë me majat malore të cilat ngriten mbi dy lugina të bukura të cilat gjenden në afërsi të qytezës së Gucisë pranë qytetit të Plavës. Lugina e parë quhet Gërbaja dhe mbi të ngrihen majat mbresëlënëse malore të Karanfilit, Oçnjakut, Forca, Karanfilit Lulashevicës, Volushnicës, Vojushës…
Lugina tjetër quhet Ropoja dhe fillon nga fshati Vuthaj e shkon në drejtim të kufirit ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe mandej në drejtim të masivit qendror të majave më të larta të Alpeve Shqiptare, të lokalizuara në territorin e Shqipërisë.
Majat malore të Alpeve Shqiptare në Mal të Zi tejkalojnë lartësinë prej 2500 metra. Më joshëset  për t’i pushtuar alpinistët janë Karanfili dhe Oçjaku, të cilat gjenden mbi luginën e Gërbajës, si dhe Maja e Rosit dhe Kollata. 

Territori i Komunë së Plavës shtrihet në veri të trojeve shqiptare. Përfshin një sipërfaqe prej 486 kilometra katërore, rrëzë Alpeve Shqiptare. Kjo komunë është ndërkufitare dhe  në një gjatësi prej 52 km kufizohet me territorin e Shqipërisë.Sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 1991, aty jetojnë 19 305 banorë, që përbëjnë 3,1 përqind të popullsisë së Malit të Zi. 

Popullsia është e përzier dhe atje fliten tri gjuhë: shqipe, boshnjake dhe malazeze. Lugina e Plavës dhe Gucisë me bukuritë e saj të rralla ka qenë e banuar qysh në lashtësi. 

Në dokumentet e shkruara nga koha romake, Plava fillimisht nuk përmendet si vendbanim, por si trevë me emrin Flaviusu (Phlavius). Si vendbanim përmendet vetëm në shekullin e XIII. Në një dokument të vitit 1435 shkruhet se “plavasit udhtojnë në Shkodër për t’u furnizuar me kripë”.

 Veçoritë natyrore shumë karakteristike të territorit të komunës së Plavës, japin mundësi për zhvillimin e llojeve të ndryshme të turizmit, skive, gjuetisë, peshkimit, kajakut, alpinizmit, sporteve në ujë, raftingut etj. dhe tani me rrugën e re është shumë e lehtë të udhëtohet për atje.

Një ndër objektet më të rëndësishme të turizmit të kësaj hapësire gjithësesi paraqet liqeni i Plavës, i dyti për nga bukuria në shtetin e dikurshëm të Jugosllavisë. Përmenden edhe një numër liqenesh malore që njihen me emrin “Sytë e maleve”, nga të cilët më të njohurit janë ai i “Zanave” dhe “Vizitorit”. Janë të njohura dhe burimet e shumta karstike, ku nga më të bukurit  janë “Burimet e Ali Pashës”, pastaj dhe stazat alpine dhe terrenet me majat më të larta në Mal të Zi: Maja e Kollatës dhe Maja e Rosit.

Etnografia 

Lugina e Plavë-Gucisë, një bukuri përrallore, e strukur atje ku “miza bren hekurin”, në këtë shekull duket e braktisur dhe e ndrojtur nga stuhitë e historisë, të cilat në të kaluarën asnjëherë s’e kursyen. Në atë skaj bote ndër shekuj u zhvilluan ngjarje aq të mëdha e dramatike, sa ndonjëherë ngjante si qendra e botës. Dhe prandaj, sa herë përmendet ajo, të bien ndërmend vetëm histori luftërash të fituara e të humbura, trima e të mundur, ilirë e romakë, grekë, gotë e maqedonas dhe më vonë gjithmonë shqiptarë përballë turqve e sllavëve. Lugina përshkohet nga lumenj të pasur me ujë, të cilët para se të mbushin liqenin e Plavës, lagin fushat anash, ndërsa rrethohet nga male të larta mbi dy mijë metra, të mbuluara me kullota e drurë, ku bora plotëson koloritin e kësaj gjeografie aq tërheqëse për turizmin malor, aq të popullarizuar.  As librat shkollorë e as udhëpërshkruesit, nuk kanë pasur si ta shmangin Plavën. Studiuesit pohojnë se në luginën e Plavë-Gucisë ishin ilirët ata që bënë historinë.  Përmes kësaj lugine, në kohët antike e më vonë, kanë shtegtuar karvanet në rrugën: Dubrovnik – Kotorr – Shkodër – Pejë – Stamboll (Kostandinopojë). Lugina e Plavës ka shërbyer edhe si shteg që ka lidhur Kosovën me Shkodrën.  Konfigurimi dhe pozita strategjike e ka sjellë luginën në vëmendjen e njerëzve në epoka të ndryshme. Gjurmët e mbetura të historisë në këtë anë çojnë në kohë të mugëta, në parahistori, të cilat i qëndruan harresës dhe ende vazhdojnë të rrëfejnë se nëpër këto troje pati jetesë, se në to jetuan a kaluan në kohë të ndryshme, njerëz me kultura e qëllime të ndryshme. Mali Brada i Vezirit ngrihet mbi Krojet e Ali Pashë Gucisë, një prej bjeshkëve që i bën hije Vuthajve nga njëra anë e shtrirjes. Lugina e Vuthajve, nis nga Krojet e Ali Pashës në njërën anë dhe Kërshëllahet, po ashtu të Ali Pashës në anën tjetër dhe përfundon në bjeshkët e larta të Shalës, Valbonës, Kollatës, Qafës së Borit, e rrethuar nga të dy anët me bjeshkë mbi dy mijë metra lartësi mbidetare, kullota të pasura, pyje halore e gjethërënëse me burime që asnjëherë s’shterrojnë dhe që formojnë Limin. Kullat, sikundër edhe në hapësirat e tjera shqiptare, përbëjnë një nga trashëgimitë kulturore që rrëfejnë për identitetin e banorëve të luginës së Plavë-Gucisë. Ato janë pjesë e rëndësishme e ansamblit arkitekturor gjithëkombëtar, fatkeqësisht i pastudiuar në shkallën që meriton në rrafshin kombëtar. Një punë të rëndësishme në këtë rrafsh ka bërë Halil. R. Markishiq, i cili, pavarësisht nga mbiemri që tregon origjinë tjetër, është shqiptar, Gjonbalaj i Vuthajve.

 Në librin “Trashëgimia kulturore-historike e anës së Plavë-Gucisë” ai ka evidentuar thuajse në hollësi kullat në këtë krahinë, me përshkrime e historinë e tyre, ku specifikon stilin dhe arkitekturën, që nuk dallon nga ato të kullave në zonat e tjera shqiptare të Ballkanit, “të përshtatura për nga forma, struktura, ana e brendëshme, me funksione të mbrojtjes nga sulmet dhe për  banim në kushtet e rrethimit. Kulla ka përdhesen dhe dy kate, ndërsa hapësira kryesore mbrojtëse është tavani, prandaj ndërtimi i kulmit mbështetet në mure të larta rreth një metër, me frëngji në të katër anët. Kullat janë prej guri të gdhendur dhe janë ndërtuar nga mjeshtër dibranë. Ndër kullat më tipike në Plavë është ajo e Rexhepagajve,  të ardhur nga Gruemira e Shkodrës. Ndonëse nuk dihet me saktësi se kur është ngritur kjo kullë, pohohet se atë e ka ndërtuar Hasan beg Rexhepagaj. Edhe sot ajo mbetet një nga pasuritë e trashëgimisë shqiptare në Plavë. Kulla të tjera janë: e Ramë Demë beut, e Shaqir beut po në Plavë, pastaj kullat e Ferrajve, të ardhur nga Fundina, në mes të Tuzit e Koplikut, ndër to edhe kulla e Jakup Ferrit. Trashëgimia kulturo-historike e Plavë-Gucisë është e pasur, me interes jo vetëm për hulumtuesit, por edhe për vizitorët e tjerë që shkojnë për të shijuar bukuritë natyrore të vendit.  Shuqo Rexhepagaj nga Plava ka mbledhur një koleksion artefakesh me vlerë, të denja për një muze qyteti a krahine, sikundër edhe Ramë Çelaj në Vuthaj, kullën e vjetër e ka shndërruar në muze etnografik. Por, mbi të gjithë vlen muzeu etnografik, i krijuar nga Dom Nikë Ukgjini, një klerik që shërbeu në kishën katolike në Doli, afër Gucisë. Eksponatet e këtij muzeumi janë me vlera të rralla kulturo-historike. Ato vazhdojnë të presin kohë më të mira, rrugë më të mira e më të shkurtra, që luginën do ta lidhnin me hapësirat e natyrshme kombëtare.

Ismet Azizi

Fotografitë: Alex Selimaj

Back to top button
Verified by MonsterInsights