PAPA KLEMENTI XI – GJON FRANÇESK ALBANI

Në listën e gjatë prej 283 papëve që kanë drejtur Selinë e Shenjtë që prej Shën Pjetrit e deri tek Benedikti i XVI, midis tyre bie në sy edhe Papa Klementi XI, Gjon Françesk Albani (Giovanni Francesco Albani), pasardhësi i 261-të (në të vërtetë i 243-ti) i kësaj selie, të cilën e udhëhoqi për 21 vjet (1700-1721) (saktësisht 20 vjet, 3 muaj dhe 25 ditë) duke u rreshtuar i shtati për nga kohëqëndrimi në krye të Selisë së Shenjtë mbas Shën Pjetrit me 35 vjet, Papa Pio IX me 31 vjet, Papa Gjon Pali-t II me 26 vjet. Para papës Klementi XI, tre papë të tjerë kishin qenë me origjinë shiptare: San Eleuterio (175-189), San Caio (283-296) dhe Giovanni IV (640-642). Biografët kryesorë të Papa Klementit XI duke nisur nga Pietro Polidori, (1727), për të vazhduar me Simon Reboulet (1752) dhe për të përfunduar me Ludovico Barone von Pastor (1930), kanë vënë në dukje bukur mirë veprimtarinë e gjithanshmme pontifikale të këtij pape, ndërkohë për studiuesit dhe publikun shqiptar përveç disa shkrimeve përnjohëse nga At Justin Rrota (Letratyra shqype, 1925, Shkrimtarë shqiptarë,1941), Eqrem Çabej (Elemente 1936, 30-31), Zef Mark Harapi (1941), Vinçenc Malajt (1973/1998, f. 38-43), Rexhep Ismajlit (1985), Engjëll Sedajt (1998), Eqrem Zenelajt (2009). Sipas traditës sonë ne do të duhet të grindemi vijimsisht për parësinë e krahinave nga vijmë. Lidhur me origjinën e Papa Klementit XI ka pasur dy mendime të ndryshme përkatësisht nga studiuesit Engjëll Sedajt (1998) dhe Eqrem Zenelajt (2009), të cilët kanë shkruar secili nga një monografi përkatëse. Të dy autorët Engjëll Sedaj dhe Eqrem Zenelaj kanë punuar në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, edhe pse ky i dyti normalisht duhej të kishte shfrytëzuar dhe marrë në konsideratë punën e të parit të botuar në vitin 1998 dhe që prej vitit 2003 tashmë nuk jetonte më, ndërkohë ai kishte tashmë kishte nisur të hartonte monografinë e tij të cilën e boton 11 vjet mbas Sedajt, por për habi shihet se ai ka punuar pa pasur kontakt me botimet shqiptare. Libri i Sedajt është bazuar në historiografinë dhe burimet dokumentare kryesisht latine dhe italiane ndërsa ai i Zenelajt është bazuar në burimet austriake dhe gjermane.

Sedaj hedh idenë se Papa Klementi XI ishte me origjinë nga Kurbini, ndërsa Zenelaj hamendëson se ai ishte me origjinë nga Kelmendi, por as njëri dhe as tjetri nuk sjellin fakte bindëse që provojnë se nga ka qenë realisht me origjinë familja e Papa Klementi XI, gjë që mbetet të studiohet e të shihet më tej. Sa i takon origjinës së Papës nga Kelmendi, arsyetimi ka ardhur nisur nga emri Klementi që ka mbajtur Papa Gjon Francesco Albani më të ardhur në krye të fronit pontifikal. 

Ky fakt nuk ka asnjë lidhje me vendorigjinën e tij nga krahina me të njëjtin emër ngaqë sikurse dihet kanë qenë gjithsej 14 ipeshkvij të Romës, midis të cilëve edhe Papa Klementi XI, që kanë kryesuar fronin e Shën Pjetrit dhe që kanë mbajtur këtë emër. Për dijeni po sjellim listën vijuese të Papëve që kanë mbajtur këtë emër: Papa i 4-ërt Klementi (91-101), Papa i 157-të Klementi II (1046-1047), Papa i 181, Klementi III (1187-1191), Papa Klementi i 200-të, Klementi IV (1265-1268), Papa i 213-të, Klementi V (1305-1314), Papa i 216-të, Klementi VI (1342-1352), Papa i 221, Klementi VII (1378-1394), Papa i 238-të, Klementi VIII (1423-1534), Papa i 249-të, Papa Klementi VIII (1592-1605), Papa i 256-të, Klementi IX (1670-1676), Papa i 257, Klementi X (1670-1676), Papa i 261-të, Klementi XI (1700-1720), Papa o 264-të, Klementi XII (1730-1740), Papa i 266, Klementi XIII (1758-1769), Papa i 267, Klementi XIV (1769-1774). Mos vallë të gjithë mbajtësit e fronit papal të mësipërm kanë qenë nga Kelmendi? Në favor të tezës së Sedajt se origjina e kësaj familjeje mund të jetë nga Laçi i Kurbinit nuk është përmendja e toponimit Laç, sikurse kanë vërejtur studiuesit e deritashëm, por për mendimin tonë ajo që e bën më të besueshëm këtë hipotezë është fakti se në regjistrin kadastral osman të vitit 1467, në Timaret e vilajetit të Dimitri Gjonimës, konkretisht në fshatin Shillaz [Shullaz], del një familjar me emrin Peter Laçi. Duke ditur se Laçi dhe Shullazi janë ngjitur, mund të mendohet se nga kjo familje mund të adresohet origjina e Papës. Gjithsesi me rëndësi është fakti se ai ishte me origjinë nga Shqipëria.

Historia e familjes Albani në Urbino, fillon nga dy vëllezër refugjatë politikë Gjergji dhe Filipi, bijtë e Mikelit (Giorgio dhe Filippo di Michele de’ Lazi) të larguar nga Shqipëria në vitin 1464.…familja urbinate Albani e ka prejardhjen nga dy emigrantë shqiptarë, Gjergji e Filipi, dy djemtë e Mhill Lacit, dikur luftëtarë nën urdherat e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Këta burra duke mos duruar zgjedhen turke braktisën atdheun e tyre dhe u strehuan ne Urbino…”. Pasi kishin qënë luftëtarë të Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), ata dhanë ndihmesën e tyre edhe në Itali pranë dukës së Urbinos, ku Federico dhe Guidobaldo di Montefeltro, asokohe kapitenë të përgjithshëm të princërve të Italisë i emëruan njerëz të besuar për çështje diplomatike dhe ushtarake.

Aty, me nismën e Altobellit (1445-1564), të biri të Gjergjit, ata ndërruan mbiemrin e babait  (Laçi (ital de’ Lazi) në Albanesi, në Shqipëri, prej nga ku kishin ruajtur përshpirtërinë dhe devocionin katolik.

Më 1494 ndërtojnë pallatin e tyre Palazzo dei Principi Albani (Pallati i princërve arbëreshë) sot monument kulture në atë qytet. I biri i Altobelit ishte Anibali (1530-1591) që u pasua nga Oraci (1576-1633), që pat dy djem Anibalin dhe Karlon. Prej Oracit gjyshit të Klementit XI, shkollimi e kishte kthyer familjen Albani në një familje intelektuale jo vetëm në Urbino, por në të gjithë krahinën e Marches. Nga kjo familje rrodhën, përveç Klementit XI, kardinalë të shquar, diplomatë të njohur dhe burra shteti të sferës së lartë si: Giovanni Girolamo (1509-91): kardinal dhe kont, zvëvendëskomandant i forcave të armatosura të Republikës së Venecias, kandidat për papë në dy konklava, historiograf, këshilltar juridik vetjak i papës Gregori XIII (1572-1584) dhe papës Sisto V (1585-90). Orazio (1576-1653): diplomat, emëruar senator i Romës nga papa Urbani VIII (1623-44). Annibale (1682-1751): kanunor i Shën Pietrit, president i Dhomës Apostolike, sekretar i Memorialeve, kardinal (1711) dhe nunc i jashtëzakonshëm papnor në Vienë, ku edhe punoi për të ratifikuar zgjedhjen e perandorit Karli VI (1711-1740), kryekancelier i Dijes, kryeprift i Bazilikës së Vatikanit. Alessandro (1692-1779), i cili që në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare u bë kolonel i ushtrisë së papës, por shpejt e braktisi karrierën ushtarake, sekretar i Memorialeve, i dërguar në Vienë, kardinal (1721), bibliotekar i Kishës së Shenjtë të Romës, amabasador i Austrisë në Romë, ndërtues i Villa Albanit dhe përkrahës i shkëlqyer i arteve. Gian Francesco (1720-1803): kardinal (1753), mbrojtës i çështjeve të Polonisë, mori pjesë në bisedimet me Katerinën II (1762-93) për të vënë në vend gjendjen e të krishterëve në Rusi, ipeshkëv i Sabinës e më pas i Porto e Santa Ruffinas derisa më 1775 u shugurua ipeshkëv i Ostias dhe Velletrit, mbrojtës i Shtetit Papnor kundër Francës revolucionare dhe luftëtar i zjarrtë për zgjedhjen e papëve Klementi XVII (1758-1769) dhe Pio VII (1800-23); Giuseppe (1750-1834): klerik i dhomës së papës Pio VI (1755-99), i dërguar i posaçëm në Vjenë për të çuar shiritin e bekuar në pagëzimin e kryedukës Ferdinand, që më pas u bë perandor (1835-48), kardinal (1801) mbrojtës i perandorisë së Austrisë, bashkësekretar i familjes Brevi dhe legat në Bolonjë, sekretar shteti i papës Pio VIII (1829-30), dhe komisar i jashtëzakonshëm i papës Gregori XVI (1831-46), bibliotekar i Kishës së Shenjtë të Romës, ipeshkëv i Urbinos dhe legat i Dërgatës së Pesaros dhe Urbinos. Pas vdekjes së Filipit, më 1852, familja u shua. Pema Gjenealogjike e familjes Albani parqitet e plotë në veprën e Jacob Ëilhelm Imhof me titull: Genealogiæ viginti illustrium in Italia familiarum in tres classes secundum totidem Italiæ regiones superiorem, mediam & inferiorem divisæ, & exegesi historica perpetua illustratæ insigniumque iconibus exornatæ studio ac opera Jacobi Ëilhelmi Imhoff. … Accedunt in fine de genealogia & insignibus familiæ de Mediolano-Vicecomitum in Belgio jam florentis epistolæ duæ ab illustri viro ex ea orto ad autorem hujus operis scriptæ. Amstelodami, Ex officina fratrum Chatelain, M.D.CCX/1710, në 5 faqet e saj hyrëse e që mbajnë titullin “Albanensis familiae, frodierno Romano Pontifice insignis, arbor genealogica, illustrata historicà relatione, de ejusdem origine et statû praesenti.” Gjon Françesk Albani, i biri i Karlos dhe Elenës, u lind në Urbino, më 23 korrik 1649 në këtë familje të njohur e të afirmuar. Në vitin 1660, kreu shkollën fillore, për të ndjekur më pas Kolegjin Romak Romak, ku studioi greqishten e vjetër, latinishten dhe letërsinë greko romake, veçanërisht atë kishtare. Që këtu ai nisi të shfaqë aftësitë e tij në filologjinë kishtare, diplomaci, kërkimin e dorëshkrimeve dhe librave të vjetër. Në vitin 1668, Gjon Françesku diplomohet për drejtësi në Urbino dhe vijoi të studiojë filozofi dhe teologji. Më 1670 nis karriera e tij kishtare, për të vijuar më 1677 në moshën 28 vjeç, kur Papa Inoçenti XI e emëron si konsultues, asistent në Kongregatën Konsistorale të Papatit si asistent diplomatik i i tij. Ky emërim i dha atij mundësinë e njohjes mjaft të mirë të aktivitetit kanonik në hierarkinë kishtare. Më 1683 emërohet vikar për drejtësi, më 1687 Sekretar i Shkresave në Vatikan, dhe më 13 shkurt 1690 shugurohet kardinal. Duke qenë në këtë post të lartë të administratës papale, ai duhet të ketë ndjekur vazhdimish dhe në mënyrë të posaçme raportet dhe letrat e dërguara nga misionet e Evropës Juglindore dhe sidomos ato nga Shqipëria. Më vdekjen e Inoçentit XII, më 27 shtator 1700, më 9 tetor të po këtij viti nisi konklava e kardinalëve për zgjedhjen e papës së ri. Ardhja e kardinalëve, për kushte të kuptueshme për kohën, u bë me vështirësi. Prej 66 kardinalëve, morën pjesë vetëm 58 prej tyre, midis të cilëve edhe kardinal Barbarigo, miku i Pjetër Bogdanit. Në votimin e 20 nëntorit 1700, Papa i ri fitoi me një shumicë absolute prej 40 votash, zgjedhje e cila u përcoll me një duartrokitje të gjatë dhe u bë publik përmes tymit të bardhë që doli nga oxhaku i mjedisit ku u mbajt konklava dhe me fjalët (Habemus papam), të kardinalit më të moshuar sipas traditës pontifikale më 23 nëntor 1700. Më 18 dhjetor Albani kurorëzohet papë në Lateran të Romës. Aftësitë e tij të shkëlqyera intelektuale prej shtetari të pakonkurrueshëm në njohjen e situatës politike në planin e brendshëm dhe të jashtëm, përvoja e gjatë në të drejtën kanonike, aftësia komunikative me shkrim dhe me gojë, sjelljet e duhura dhe qëndrime të qarta, si dhe kujdesi për ta varfërit do të ishin disa nga cilësitë kryesore që do ta dallonin primatin e Kishës Katolike Romane përgjatë gjithë veprimtarisë së tij pontifikale në një periudhë të turbullt politike. Ai kishte promovuar që në pranverë të vitit 1701 një aleancë evropiane kundër turqve, konkretisht për mbrojtjen e Maltës dhe disa kishave të lindjes, pra kishte ditur të bashkërendonte veprimet politike të shteteve evropiane kundër turqve. I veçantë mbetet urdhërimi nga ana e tij i së Kremtes së Zojës Rruzare me rastin e fitores se Eugjenit në luftën kundër turqve më 5 gusht 1716. Më 1708, Papa themeloi një fondacion prej 4 mijë skudesh për mbështetjen e studimeve të studentëve shqiptarë në Kolegjin Urban të Propagandës Fide. Papa Klementi XI-Albani (Gjon Françesk Albani 1649-1721), kaloi në amshim më 19 mars 1721 duke lënë gjurmë të thella në Kishën Katolike Romane dhe në jetën politike evropiane të kohës, ndaj në këtë pikëpamje veprimtaria e tij pontifikale mund të krahasohet me papët e mëdhenj si Gregori VII, Piu V, Gjoni XXIII, Gjon Pali II. Fryt i punës së tij janë 261 bulla, 80 shkresa enciklike, 1412 letra, 28 ligjërata, dhe 4 volume Breve, të cilat përbëjnë një material mjaft vëllimor për ta vëzhguar më me kujdes figurën e tij. Të dhëna mbi jetën dhe veprën e tij gjenden pothuajse në të gjitha enciklopeditë dhe leksikonet botërore, sepse ai në të vërtetë përbën një personalitet kulmor në jetën politike, fetare dhe kulturore evropiane. Papa Klementi i XI është personi shqiptar më i përmendur në të gjitha enciklopeditë dhe leksikonët e huaj së bashku me Gjergj Kastriotin (Skënderbeun), Nënë Terezën dhe Ismail Kadarenë dhe të dhënat kryesore mbi jetën dhe veprimtarinë e tij mund të merren në secilën prej tyre. Ndër ne studimet rreth dijë janë të vona, por veçohen P. Vinçenc Malaj, Engjëll Sedaj dhe Eqerem Zenelaj.  Me ardhjen e Papës Klementi XI në Selinë e Shenjtë, për kishën katolike shqiptare fillon një periudhë rilindjeje shpirtërore. Nën kujdesin e tij jezuitët At Filippo Riceputi (1667-1742) dhe At Daniele Farlati (1690-1773) të provincës së Venedikut, ngarkohen të mbledhin letra dhe qarkore ipeshkvnore dhe dokumentë të tjera nga trevat shqiptare me qëllim që të përgatisnin për botim përmbledhjen e mirënjohur “Illyricum Sacrum”, punë të cilën do ta vijojë më pas At Jacobo Coleti (1734-1827). Papa vuri në dispozicionin e tyre të gjithë dokumentacionin e tij persoanl dhe mori përsipër edhe financimin përkatës për të përballuar shpenzimet e duhura për atë projekt. Dëshmitë dokumentare na njoftojnë se një pjesë e madhe e atyre arkivave, humbi teksa qerrja që po i transportonte ato për në Venedik, u mbyt teksa ishte duke kaluar lumin Drin në pjesën e Zadrimës. Vepra e tyre monumentale Illyricum Sacrum, (Iliria e shenjtë) e botuar në latinisht në Venedik në tetë volume në një periudhë kohore prej 68 vjetësh (1751-1819), që më pas u pasua edhe nga volumi i nëntë me autor Frane Buliç (1846-1934), në volumin e VII merr në shqyrtim historinë kishtare nga Dalmacia deri në kufi me Greqinë. Ky korpus, qoftë nga ana përmbajtësore, tematike dhe ajo konceptuale, është një vepër unikale në llojin e saj, e papërsëritshme dhe e pakalueshme deri më sot në historiografinë shqiptare, ballkanike, evropiane e pse jo, edhe atë botërore. Materiali burimologjik i saj përfshin një periudhë kohore që prej mesjetës së hershme e deri në shekullin XVIII.Kjo enciklopedi e trojeve ilirike, ishte fryt i punës së gjatë 125 vjeçare të studiuesve të tre brezave, e cila ende edhe sot ka një rëndësi të dorës së parë për nga burimi që paraqet për të dhënat mbi historinë mesjetare të të gjithë Ballkanit. Asnjë burim tjetër, i botuar ose në gjendje arkivore, nuk e zë dot vendin e këtij korpusi. Aty trajtohen historia e ungjillëzimit të ilirëve dhe përhapja e krishtërimit, që prej periudhës apostolike, ndërtimi i kishave, manastireve, abacive, katedraleve, ndarjet adminstrative kishtare, hierarkia katolike; gjenden qytete, personalitete kishtare e laike të kohës, bula papnore, diploma të ndryshme, privilegje, fletëdhurata, akte sinodale e konçilesh kishtare, gjenealogji, stema, biografi, dëftesa, letërkëmbime, ditare, udhëpërshkrime, kontrata, akte noterjale, relacione të ndryshme të kryeipeshkvinjve, ipeshkvinjve; legjenda, libra, dorëshkrime të vjetër, kodikë etj, që në të shumtën e rasteve autorët i kanë sjellë të plota e të pacënuara, pra të pashkurtuara e që sot kanë rëndësi të jashtëzakonshme, kur kemi parasysh se për një pjesë të madhe të tyre origjinalet kanë humbur. Papa Klementi i XI kishte dashuri të madhe për vendlindjen dhe thuhej se e përmendte jo pa krenari prejardhjen dhe qenien e tij shqiptare. Identitetin e tij shqiptar e pohoi publikisht edhe Papa Pali VI, në letrën e tij të botuar më 17 janar 1968 në Romë me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut ku mes të tjerave thuhet: “Nuk i harrojme as ato burra të cilët ruajnë edhe fenë e tyre baraz me përkushtimin ndaj Selisë Apostolike për shërbim të së cilës ato dhuruan njerëz të përmendur për dituri dhe virtyte, ku me kënaqësi përkujtojme paraardhësin tonë Klementi XI nga populli shqiptar, i cili krenohej me prejardhjen e hershme të tij shqiptare”. Në vitin 1701, Papa Klementi themeloi për shqiptarët e Italisë një kolegj në San Demetrio Corone dhe me 1708 siguroi një vend të përhershëm për një student shqiptar në këtë kolegj. Por akti më i rëndësishëm historik, i ndërmarrë nga Papa Klementi XI për trojet e Arbënit ishte organizimi i KUVENDIT TË ARBËNIT (1703), për të cilin do të flasim veçmas. Me përkujdesjen serish të veçantë të papës Klementit XI, vetëm 8 vjet pas Kuvendit të Arbënit, më 20 prill 1711 në kuvendin e Shën Pjetrit në Montorinos në Romë, nën drejtimin e misionarëve françeskanë, hapet Katedra e parë e Gjuhës Shqipe. Kur u emërua në Seline e Shenjtë në territorin shqiptar asokohe kishte vetëm katër ipeshkvinj: Pjetër Zymi arqipeshkëv në Durrës, Pjetër Karaxhiq, ipeshkëv i Pultit, Nikollë Vladanji, ipeshkëv i Lezhës dhe Gjergj Teodori, ipeshkëv i Sapës. Ai emëroi Vinçenc Zmajeviçin në kishën metropolitane të Tivarit, Anton Babin në kishën e Shkodrës me 1701 dhe Marin Gjinin ipeshkëv të Pultit, duke plotësuar kështu selitë vakante në dioqezat kryesore shqiptare. Bazuar në literaturën e bollshme përshkrimore, referenciale, bibliologjike dhe biobibliografike rreth personalitetit dhe veprimtarisë së papa Klementit të XI, si dhe interesin gjithnjë në ritje për të, në fund të tetorit të vitit 2007, Biblioteca Oliveriana në Pesaro, realizoi Projektin Arkivistik Albani Klementi XI, (Progetto Archivio Albani), në marrëveshje me familjen Albani posaçërishit me kontin Clemente Calstelbarco Albani, pronar dhe kujdestar i dokumenteve, në bashkëpunim edhe me Ministrinë për të Mirat dhe Aktivitetet Kulturore (Ministero per i Beni e le Attività Culturali), me kontributrin e financuesve privatë. Arkivi është krijuar me dhjetëra mijëra dokumente, pjesa më e madhe e të cilëve të panjohur të Giovanni Francesco-s, dhe personaliteteve të ndryshme të familjes Albani mes shek. XVI e XVIII. Arkivi digjital përmbledh tipologji të ndryshme dokumentesh: letra konfidenciale, urime, letra zyrtare, kronika, kujtime, dokumente administartive etj. Sipas një vlerësimi paraprak mendohet se arkivi do të ketë rreth 150 000 dokumente të fotografuara mënyrë dixhitale, por në gjendjen aktuale deri tani janë të hapura për publikun dhe studiuesit e interesuar  rreth 14 000 dokumente dhe rreth 60 000 fotografi. Në këtë konteskt, vështrimi i thelluar dhe shumëpërmasor i Papa Klementit pret të bëhet edhe më i pasur.

Kastriot Marku

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*