Skënder Rusi, poeti Korçar që i veshi vargjet e tija me dashurinë dhe pasionin për qytetin e tij të bukur.

Vargu lirik i poetit Skënder Rusi i pavdekshëm sikur vetë qyteti i dashurisë, Korça.

Poeti lirik Skënder Rusi gjatë gjithë jetës së tij i mbushi vargjet e poezive të tija me ngjyrat e pasionit dhe dashurinë për qytetin e tij të dashur, Korçën. I vlerësuar për stilin e tij krijues, Rusi konsiderohet si një nga lirikët më të shquar bashkëkohorë, duke kapur thelbin e temave të tij me një mjeshtëri të pashembullt.
Ai lindi në vitin 1952 në Korçë dhe ka mbaruar studimet e larta për gjuhë-letërsi. Në vitin 1984 është diplomuar për dramaturgji dhe në vitin 1998 për drejtues biblioteke në Kajro. Në vitin 1992 është emëruar drejtor i bibliotekës “Thimi Mitko”, Korçë. Ka botuar 8 libra me poezi dhe dy nga dramat e tij janë vënë në skenë nga trupa e teatrit “A. Z. Çajupi”. Krijime të tija janë përfshirë nëpër antologjitë e disa vende të Evropës si në Gjermani, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, Greqi etj. Ishte kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Bota e Re” në Korçë. Për disa vjet organizoi dhe drejtoi aktivitetin më të madh kulturor në Korçë: “Netët korçare të poezisë” me poetë të ftuar nga Kosova, Greqia, Maqedonia, Turqia, Bullgaria, Rumania, Italia etj. Ndërroi jetë në moshën 72 vjeçare por vepra e tij mundësoi pavdekshmërinë e tij.

Poezi nga Skënder Rusi

DORË E DASHUR

Po bëhen 100 vjet që ke nisur e dridhesh
Si të ishe fluger që tregon drejtimin e erës
Aq sa tani unë kam krijuar bindjen
Që s’je pjesë e krahut, por je pjesë e zemrës

Se vetëm brenda saj gjithnjë fryjnë erëra
E vijnë ca dimra që nuk duan të ikin
Po ti, e vogla ime, mos u fshih nëpër xhepa
As mos ki turp nga sy që të bezdisin

Se je dorë poeti dhe kjo nuk është pak
Gjithnjë veç ngrohtësi u ke falur njerëzve
Gjithnjë e ke urryer dashurinë fals
Dhe shtrëngimin fals me duart e të tjerëve

Dorë e dashur, e di që të kam lodhur
Në 100 vjet kam bërë 1 000 marrëzi
Por asnjëherë më dimër s’jam ndodhur
Sesa kur dridhesh ti

GRATË E POETËVE

Gjithnjë të plagosura
këto gratë e poetëve! (Në librat e tyre
gjen aq shumë ’’të dashura!’’) I torturon mendimi
që vazhdon të ketë ende, Ballo të tilla absurde,
me maska! Gjithnjë Arkimede
këto gratë e poetëve! Kërkojnë enigma
nëpër germa etruske! I tremb humnera
e ndonjë dashurie të djeshme! I tmerron rënoja
e ndonjë tradhtie të mundshme!
Gjithnjë të pagabuara
këto gratë e poetëve! (Megjithatë, nuk japin dot,
asnjë lloj dënimi!) ‘’Eurekat’’ e tyre
s’ia tregojnë asnjë tjetre, I vuajnë vetë pasojat
e çdo dimri! Gjithnjë të dashuruara
këto gratë e poetëve! Paçka se i sheh aq rrallë
nëpër iniciale! O…po ato janë
fillimi i çdo vjershe, Dhe fundi i çdo marrëzie
të madhe!

NATA S’ËSHTË GJITHNJË E ZEZË

Dhe nata s’është gjithnjë e zezë
Ju pyesni në qiellin lart
Ca zjarre të shuar përsëri u ndezën
Dhe zogjtë fluturojnë si më parë

Ende jemi në shtëpinë e dimrit
Çdo gjë ka vdekur nën dëborë
Duam dhe s’duam të na ikë
Dhe le të vijë kush të dojë

Unë ju them sot ejani me mua
Edhe mbi shpinë do t’ju mbaj
Do të nisemi natën e do të arrijmë pa gdhirë
Për t’u nisur në rrugë prapë

Unë jam bërë një me natën
Në kokë një pjesë të saj kam futur
Dhe zogjtë u bënë përsëri të kaltër
Dhe nata e zezë përsëri e bukur

Ka ditë kur unë
S’di ç’të bëj me veten,
Dal nga shtëpia
Dhe vetmia për dore më mban,

Kërkoj një lumë ku unë
mund të mbështetem
Të fle mbi ujërat e tij
Pak, fare pak!

Ka ditë që pres hapat e kthimit tënd,
Ato janë nisur,
unë e njoh këtë zhurmë,
Lamtumirë ditët e mia në paqe,

Dhe gjithë ju të tjerat
Që i komandoj unë!
Ka ditë kur unë jam bosh, fare bosh,
Jam ky pyll ku të pëlqen të vdesësh,
Nëse në këtë pyll një ditë do më kërkosh,
Atje do të më gjesh në formën e vesës!

UNË S’TË DHASHË AQ DASHURI SA DUHET
Nesër ti do të qash
Kur të jesh vetëm,
Unë do të jem ajo
Mjegulla e bardhë te dritarja!
Për të folur me ty
Duhet me patjetër
Të thyej, të paktën tre-katër xhama!
Dua të të mbuloj ty të gjithën,
Që të mos të afrohet asnjë tjetër,
Botën e tërë ne e çuditëm
Dhe s’ jemi as të rinj, as të vjetër!
Nesër ti do të qash
Kur të jesh vetëm,
Dhe unë s’të dhashë aq dashuri sa duhet!
Jetojmë në një planet
Ku ende nuk kemi gjetur
Të ngrihet ndonjë monument
Vetëm për puthjet!

DËBORA BLU
Kërkoj të futem brenda syve të tu,
Dhe kjo me asnjë kusht, natyrisht,
Përjashta po bie dëborë blu,
Nuk është dëborë po shpirt!
Trokas në portën që atje më shpie,
Tek sytë e tu të mëdhenj,
Bie dëborë blu,vazhdon e bie,
Është shpirti im që dhemb!
Brenda syve të tu edhe unë
Kërkoj pa asnjë kusht që të hyj,
Por ah,ky qiell rëndoka shumë,
Më lodhën yjet që me dorë i shtyj!
Kërkoj të hyj breda syve të tu,
Paçka se e kam të vështirë
Të të them,të dua,
Ti edhe qerpikët i ke hedhur në luftë,
I mbyll ata që mos më shohësh mua!

DITË PA MËNGJES
Dita lindi por pa mëngjes
Më kot e prita diellin që të vinte,
Jam ulur në një stol
Dhe nuk e di kë po pres,
Nuk e di pse erdhi ai që po ikte!
Sa ngadalë lëvizin akrepat e orës,
Sikur të jenë të sëmurë të tre!
Ma jepni pak pëllëmbën e dorës,
Dua të lexoj kohën që m’u fsheh!
Por mos më thoni që nuk është e mundur
Që s’mund të ketë ditë pa mëngjese,
Brenda pëllëmbës sime dielli rri i strukur,
Sikur ka frikë prej njerëzve!
Do desha tani të ishte mëngjes,
Por edhe ai si dielli fshihet,
Prapë m’u ftoh kjo kafe ekspres,
Dhe kur do ta pi, nuk dihet!

DHURATË
Të dhashë ditët e mia më të bukura,
Dhe vetë mbeta pa ditë!
Midis tyre ka dhe ditë të humbura,
Ditë të lodhura nga marrëzitë!
Të dhashë netët e mia çapkëne

Që i ruaja t’i kisha për vete,
Ato vdesin njëra pas tjetrës,
Si zjarret në duart e njerëzve!
Zjarret e mi janë të vegjël,
Po të mjaftueshëm për t’u ngrohur
Nuk dua asgjë të më kthehet
Paçka se ndjehem i lodhur!
Të dhashë ditët e mia më të bukura,
Që do vijnë me mua përtej kësaj jete,
Secila prej tyre është një hënë delikate
Që fillon e dridhet po e preke!

Back to top button
Verified by MonsterInsights