Meshari i Gjon Buzukut, 470 vjet, një libër-mit

“Kësisoj, mendje nga më të ndriturat e linguistikës shqiptare kanë lundruar në labirintet e këtij libri”

Eqrem Çabejt: “Fakti që gjuha shqipe është nga më të vjetrat e kontinentit dhe fatkeqësia që ajo u shkrua më e fundit, është një sëmundje e rëndë nga e cila ka për të vuajtur gjatë gjuha dhe kultura jonë.”

Nga Zija Vukaj

470 vjet më parë, më 5 janar të vitit 1555 prifti katolik Gjon Buzuku përfundoi së shkruari “Mesharin” e tij, që deri më sot njihet si vepra e parë e llojit dhe njëkohësisht si i pari monument letrar i botuar në gjuhën shqipe. Vetë autori, dom Gjon Buzuku, shkruan në parathënien e “Mesharit” se e mbaroi së shkruami veprën më 5 janar 1555. Ardhja e këtij libri ndodh në epokën mes Reformës dhe Kundër’reformës. Një epokë e Rilindjes evropiane kur idetë humaniste dominuan botën kulturore e shpirtërore të intelektualëve, mendimtarëve, artistëve, por edhe mjaft klerikëve të shquar në mbarë Evropën. Për mjediset kulturore e intelektuale dhe gjithë hapësirat e arenës arbërore shekujt XV- XVI kanë dy spikama të dallueshme mitike, përkatësisht: Skënderbeun, me madhështinë e figurës së heroit kombëtar; dhe librin- mit, Mesharin, një cak kulturor ndoshta më i madhi që i ka ndodhur gjuhës shqipe. Deri sot janë bërë hulumtime pa fund për zbulimin e ekzistencës së Mesharit, për realizimin e nxjerrjes në dritë të këtij guri themeli, për strukturën e tij, për përmbajtjen, funksionin, efektet dhe dobitë e tij në fushën kombëtare, shpirtërore, komunikuese, glotologjike, historike etj. Në panoramën e këtij konteksti historiko- gjuhësor, marrin shkëlqim shumë figura që kanë hedhur dritë mbi Mesharin, por njëkohësisht kanë ndriçuar edhe vetveten nga rrezatimet dhe shkëlqimi i pavdekshëm i këtij libri të bekuar. Këtu mund të veçojmë Gjon Nikollë Kazazin (1702- 1752), kryeipeshkëv i Shkupit. Gjatë qëndrimi të tij në Romë, në vitin 1743, imzot Gjon Nikollë Kazazi zbuloi në Bibliotekën e Propagandës Fide të Vatikanit, të vetmin ekzemplar të ruajtur deri më sot të “Mesharit” të dom Gjon Buzukut, botuar në vitin 1555. Për këtë gjetje, ai njoftoi Gjergj Guxetën në Palermo, të cilit i dërgoi një faqe. Ky zbulim mbeti në heshtje për më tepër se një shekull, deri më 1909, kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi, në Bibliotekën e Vatikanit në Romë, ku gjendet edhe sot me shënimin: Katalogu: R.G. Liturgia III, 194. Më 1743 botoi veprën “Përmbledhje e shkurtër e doktrinës kristiane, përkthyer në gjuhën shqipe për t’u përdorur e mësuar nga fëmijët e këtij kombi”. Për vetë statusin e vet primordial Meshari ka qenë dhe mbetet një stacion i pashmangshëm për të gjithë studiuesit e gjuhësisë, sidomos specialistët e fonetikës historike, të gramatikës historike, leksikologjisë, fjalëformimit, sintaksës etj. Kësisoj, mendje nga më të ndriturat e linguistikës shqiptare kanë lundruar në labirintet e këtij libri, duke dritësuar vazhdimisht aspekte të panjohura të shqipes së shekujve XV- XVI, duke hetuar zhvillimet fonetike të asaj kohe, që reflektohen jo vetëm te gjuha shqipe e Buzukut, por vijnë të projektuara kronologjikisht edhe te Pjetër Budi, Frang Bardhi e Pjetër Bogdani dhe bëhen shpeshherë çelësat e kuptimit dhe të interpretimit të pasurisë së tyre letrare. Kemi kontributin e shquar të Eqrem Çabejt, Namik Resuli, Shaban Demirajt, Willy Kamsit, Kolë Ashtës, Faik Konicës, Martin Camajt etj., nëpër studime të thelluara akademike për aspekte letrare, gjuhësore, liturgjike. Këtu aspekti liturgjik fiton një rëndësi të dorës së pare. E gjitha ka lidhje me gjendjen specifike të shqiptarëve të kohës, që për shumë shkaqe, ndodheshin përballë dy kërcënimeve: së pari, përballë asimilimit apo më e pakta një çorientimi babelik të gjuhës së vet me ekzistencën e saj vetëm orale- gjë që intuita e hollë dhe patriotizmi i Buzukut e kishte nuhatur dhe madje e kishte pare e jetuar të demonstruar ndër bashkëkombësit e vet, e dyta, grigja e besimtarëve dhe e praktikuesve të krishterimit katolik luhatej në zgripin e një apostazie evidente. Dhe apostazia apo felëshimi, vinte nga e para, pra nga kakofonia dhe babelizmi për shkak të mungesës së gjuhës së shkruar. Por këtu mund të sqarojmë diçka, që i jep autorit Gjon Buzuku atribute madhështore, si një lloj babai i gjuhës amtare. Në thelbin e veprës së tij qëndron përkushtimi për ndriçimin shpirtëror dhe intelektual të popullit të tij. Kjo përpjekje përkon me frymën e Rilindjes Europiane, e cila i dha rëndësi dinjitetit njerëzor, zhvillimit intelektual dhe përgjegjësisë individuale. Përkushtimi i Buzukut për të ruajtur dhe lartësuar gjuhën shqipe ishte në harmoni me lëvizjet më të gjera të Rilindjes, që synonin rigjallërimin dhe kremtimin e trashëgimisë kulturore. Libri i lutjeve, Meshari i Gjon Buzukut reflekton jo vetëm devotshmërinë fetare të autorit, por edhe aspiratën e tij për të ruajtur dhe promovuar gjuhën dhe kulturën arbërore. Falë njohjes së eventeve teologjike të kohës dhe realizimit të veprimtarisë së vet prej përkthyesi dhe kompozuesi të Mesharit, brenda bonuseve të Koncilit. Pra, nuk duket e rastësishme, që vepra e Buzukut të gjendet midis fazës së dytë (1551-1552) dhe fazës së tretë (1562-63) të Koncilit të Trentos.

Koncili ndërkohë lë të hapura hapësirat tashmë të formuara në traditat gjuhësore lokale dhe disa herë i detyron barinjtë e shpirtrave që ata vetë, o nëpërmjet tyre të deleguarit, të shpjegojnë në gjuhën e vendit (vulgari lingua) frytdhënien dhe dobinë e sakramentëve përpara që t’i mbarështojnë dhe leximet e shenjta gjatë meshës, të paktën të dielave dhe ditëve festive.

Do të jenë udhëzimet post-konciliare që do ta ngushtojnë fushën e gjuhëve lokale, pranë atyre popujve që kishin arritur në një traditë të vetën të qëndrueshme.

Në hapësirën shqiptare, ku feja katolike rezultonte minoritare kundrejt ortoksisë greke dhe sllave dhe përballë rrezikut të islamizimit masiv, një arsye e fortë baritore këshillonte një shpjegim të parë të pjesëve të para të Besëlidhjes se Re nëpërmjet leximit të po atyre në gjuhën amtare, ndërsa kanoni dhe pjesët fikse të meshës qëndronin latinisht: e që në meshar, në fakt, mungojnë.

Falë Buzukut, ndërkaq, populli shqiptar pati një tekst organik në gjuhën e vet për pjesën dërmuese të shërbesës së shenjtë e për lutjet themelore të doktrinës se krishterë.

Tekstet e përmbajtura në veprën e Buzukut, në të kundërtën, janë të shumta: Ufici i vogël i Shën Marisë së Virgjër, shtatë psalmet pendestare, litanitë e shenjtërve, disa pjesë të ritualit romak (pagëzimi dhe martesa), Urdhërimet, pjesë të katekizmit, fjali dhe tekste të vetësajuara me një vlerë të madhe demo-etno- antropologjike, dhe, mbi të gjitha sekuenca po thuaj se e plotë e letrave dhe ungjijve të meshave të të dielave dhe të festave të vitit liturgjik të ritit katoliko-romak, me vëmendje të veçantë ndaj meshave të kushtuara shenjtërve të urdhërit françeskan dhe të atyre më popullore të botës shqiptare.

Në një këndvështrim më të përgjithshëm e të kthjellët Meshari është libër- mit për shumë arsye, por sidomos për arsye se fjala shqipe u vu në partiturën e gjuhës. Kësisoj vërtetohet edhe logjika e thënies së Eqrem Çabejt: “Fakti që gjuha shqipe është nga më të vjetrat e kontinentit dhe fatkeqësia që ajo u shkrua më e fundit, është një sëmundje e rëndë nga e cila ka për të vuajtur gjatë gjuha dhe kultura jonë.”

Back to top button
Verified by MonsterInsights