Xhahid Bushati: “Mësoja se libri është një mik i mençur dhe një gjysh i urtë. Nga leximet, nisa të hedh vargjet e para. Isha në moshën 12-vjeçare kur botova vjershën e parë.”
Xhahid Bushati ka lindur më 17 maj 1953 në qytetin e Shkodrës. Për dekada e dekada të tëra, Xhahid Bushati është i pranishëm me botimet e tij nëpër të gjitha revistat e fëmijëve, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni e Ulqin. Para dhe pas vitit 1990 është nderuar me çmime kombëtare në konkurset letrare-artistike që janë organizuar nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, nga Shoqata e pavarur e Shkrimtarëve të letërsisë për fëmijë e të rinj, si dhe nga organet e ndryshme letrare-artistike.
Shkruan prozë dhe poezi, pjesë për kukulla, merret me publicistikë e studime të letërsisë për të rritur e fëmijë, etj., por kryesisht i është përkushtuar fushës së letrave për fëmijë.
“Votra”: Zoti Bushati, përshëndetje! Faleminderit që pranuat t’ju intervistonim!
Çfarë ju frymëzoi të filloni të shkruani?
Xhahid Bushati: Është një pyetje që e bëj edhe sot, kur mbi supe kam mbi shtatë dekada vite. Mendoj biseda ime me bibliotekën familjare, e cila ishte e pasur, ku në veçanti shkëlqenin librat për fëmijë. Ajo bisedë nisi në moshën 10-vjeçare, bisedë që vazhdon edhe sot… Mësoja se libri është një mik i mençur dhe një gjysh i urtë. Nga leximet, nisa të hedh vargjet e para. Isha në moshën 12-vjeçare kur botova vjershën e parë.
“Votra”: Cili është zhanri juaj i preferuar në të shkruar, dhe përse?
Xhahid Bushati: Janë vjershat dhe përrallat. Aty spikat dhe rrezaton talenti im.
“Votra”: A keni një rutinë ose orar të caktuar për të shkruar?
Xhahid Bushati: Rutinë, jo. Çdo ditë shkruaj, zakonisht në mbrëmje. Orari nuk e di sa zgjat, por ka pasur raste kur kam përshëndetur edhe ardhjen e agimit dhe ikjen e hënës nga qielli.
“Votra”: Cili është aspekti më sfidues i shkrimit për ju?
Xhahid Bushati: Gjatë procesit krijues, sfida është: ta bëj shkrimin sa më të bukur, të vlefshëm dhe me kulturë.
“Votra”: Si do ta përshkruani stilin tuaj të shkrimit në tri fjalë?
Xhahid Bushati: Poetik, figurativ e plot ngjyra.
“Votra”: Preferoni të shkruani me dorë apo në një kompjuter? Pse?
Xhahid Bushati: Për shumë vite me radhë kam shkruar me stilograf apo stilolaps vetëm në fletore katrore. Kam kohë që e bëj më pak. Vendin e ka zënë laptopi. E bëj për të zënë kohën e humbur në raport me plakjen e moshës sime.
“Votra”: Ku e gjetët frymëzimin për historitë tuaja ose personazhet në librat tuaj për fëmijë?
Xhahid Bushati: Ka shumë burime. Po përmend disa prej tyre: – fëmijëria ime, – fëmijëria e vajzës sime, përftesat nga leximet e librave artistikë, – bisedat me fëmijët që i bëj enkas, dhe shpesh… etj. Jam një dëgjues i mirë kudo që ndodhem…
“Votra”: Çfarë kohe të ditës e gjeni më të favorshme për të shkruar?
Xhahid Bushati: Për mua është nata dhe vetëm nata. Ajo më fal qetësi dhe më fal frymëzim. E kam aleate, ndaj dhe nuk e “kritikoj”.
“Votra”: A keni rituale ose rutina shkrimi?
Xhahid Bushati: Jam një krijues i ngadaltë dhe i kujdesshëm. Nuk punoj me formate apo skema. Një krijim nuk i ngjan krijimit tjetër, qoftë në poezi, qoftë në prozë. Vij për të sjellë gjithmonë një motiv të ri.
“Votra”: Cili është aspekti më i vështirë i jetës së një shkrimtari për ju?
Xhahid Bushati: Kur sprovat nuk realizojnë vlerat dhe stilin e shkrimit.
“Votra”: Si festoni momentet e rëndësishme ose sukseset në rrugën tuaj të shkrimit?
Xhahid Bushati: Duke ndjerë përgjegjësi më të madhe dhe kërkesa më të rrepta ndaj vetes.
“Votra”: Cili është libri juaj i preferuar, dhe si ka influencuar në rrugën tuaj të shkrimit?
Xhahid Bushati: Kur nuk e kisha të kristalizuar personalitetin tim artistik, doemos kam pasur ndikime nga leximet e mia, si të letërsisë shqipe ashtu edhe të huaj, sidomos franceze dhe italiane. Ndikimi i parë, tani shumë më pak, kanë qenë librat poetikë të lirikut të shquar për fëmijë Xhevat Beqaraj. Unë i përkas asaj ‘Shkolle poetike’. Për këtë jam krenar! Mendoj se i kam shtuar vlera të mëtejshme kësaj ‘Shkolle’.
“Votra”: Çfarë këshillash do t’i jepnit shkrimtarëve për fëmijë?
Xhahid Bushati: Zakonisht nuk jap këshilla. Për hir të intervistës, po them ca fjalë këshille, atë që i them shpesh vetes: “Letërsia për fëmijë është e vështirë. Po i hyre kësaj rruge, duhet talent, sakrificë, të kulturohesh çdo ditë, edhe po të rrëzohesh duhet të ngrihesh në këmbë e të vazhdosh rrugën më me guxim!”
“Votra”: Si e trajtoni kritikën ose komentet për shkrimin tuaj?
Xhahid Bushati: Me shumë përgjegjësi. Kjo është arsyeja që i lexoj disa herë. Kritika dhe komentet, tek ndërgjegjja ime krijuese kanë rolin dhe vlerën e Mësuesit.
“Votra”: Si e balanconi shkrimin tuaj me përkushtimet e tjera në jetën tuaj?
Xhahid Bushati: Sinqerisht po ju them: – Unë kam ardhur në këtë jetë të bëhem shkrimtar. Kjo nuk është mendjemadhësi. Kjo është përgjegjësi e madhe, veçanërisht ndaj lexuesit dhe letërsisë shqipe. Ndaj, këtë përgjegjësi e konsideroj amanet, dhe dua ta çoj deri në fund. Ndërsa të gjitha përkushtimeve të tjera, ndjek opsionin e selektimit, paçka se edhe mund t’i hyjë në hak ndonjërës apo disave… Kështu është: ka një të parë që komunikon më shumë se me të tjerat. Duhet respektuar!
“Votra”: Çfarë rol luan leximi në procesin tuaj të shkrimit?
Xhahid Bushati: Rol shumë të rëndësishëm sa, do të thoja atë rol që luan te shkrimtari procesi krijues.
“Votra”: A keni një vend të preferuar për të shkruar?
Xhahid Bushati: Zakonisht e përditësisht shkruaj në studion time. Ndonjëherë, por në të rrallë preferoj dhe bibliotekën e qytetit tim.
“Votra”: Pyetje rreth librit të fundit… Cila është tema e librit që keni shkruar? Çfarë trajton ai?
Xhahid Bushati: Libri im i fundit titullohet: “Alfabeti i bletës”. Fitues i Çmimit të letërsisë për fëmijë nga QKLL, për vitin 2023. Libri paraqet katër kolazhe poetike ku zbulohen mrekullitë e shiut, bletës, pyllit dhe detit. Vargjet e bukura i ftojnë fëmijët ta duan dhe ta mbrojnë natyrën si një pasuri të çmuar!
“Votra”: Cili është komenti më i paharrueshëm që keni marrë për librin tuaj?
Xhahid Bushati: Është analiza pothuajse shterruese për librin tim: “Historitë e arushit, ketrushit dhe xixëllonjës së vogël”, përralla në vargje, Botimet Fishta, Lezhë 1995; ku shkrimtari i shquar Odhise K. Grillo botoi shkrimin: “Një lirik i spikatur në poezinë për fëmijë” [për Xhahid Bushatin ], botuar në gazetën Rilindja e Kosovës, 28 prill 1996.
“Votra”: Si e dini kur një histori është e plotësuar?
Xhahid Bushati: Kur, pas korrigjimit dhe rikorrigjimit, leximit dhe rileximit, arrij në konkluzion se tani nuk kam asgjë për të shtuar.
“Votra”: A keni ndier ndonjëherë sindromës e rremës si shkrimtar, dhe në qoftë se po, si e trajtoni atë?
Xhahid Bushati: Jo. Për mua letërsia për fëmijë është mision. Këtij misioni i kam besuar pushtetin e saj.
“Votra”: Çfarë shpresoni që lexuesit të marrin nga libri juaj?
Xhahid Bushati: Kënaqësi estetike, edukatë, kulturë dhe dashuri. Librin, pas leximit ta ketë mik e gjysh të çmuar dhe të papërsëritshëm.
“Votra”: Si përfshini përvojat e vërteta të jetës në fiksimin tuaj?
Xhahid Bushati: Kur motivi përkon me momente të jetës sime, atëherë kujtimet janë të pranishme dhe bëhen pjesë e krijimeve të mia.
“Votra”: Çfarë ndikimi shpresoni që të ketë shkrimi juaj në botë?
Xhahid Bushati: Atë që do të donte çdo shkrimtar që i thotë vetes shkrimtar i vërtetë.
“Votra”: Cila është pjesa e preferuar e procesit të shkrimit?
Xhahid Bushati: Ndërtimi i kujdesshëm i kompozicionit.
“Votra”: Çfarë bëni kur keni vështirësi për të gjetur fjalët e duhura?
Xhahid Bushati: Më vijnë në ndihmë Fjalorët, të cilët i kam me shumicë dhe më rrinë gati…
“Votra”: Si i afroni ripërpunimet dhe redaktimet në shkrimin tuaj?
Xhahid Bushati: Zakonisht i bëj ngadalë e herë pas here, pa u mërzitur dhe më zgjasin, ndoshta edhe me muaj.
“Votra”: Çfarë ju kënaq më së shumti në veprimin e shkrimit vetë?
Xhahid Bushati: Kur nga zemra dhe shpirti im më dalin fjalët: “Tani jam i kënaqur..!”
“Votra”: Si qëndroni të hapur për ide të reja dhe inspirim?
Xhahid Bushati: Shkrimtari është jo vetëm misionar por edhe kërkues. Çdo gjë e bukur nga jeta, nga bisedat, nga historitë nga librat… është e mirëseardhur në studion time të krijimtarisë. Jemi gati për “bashkëbisedim”… në fund të fundit plot mirësjellje dëgjojmë njëri-tjetrin…
“Votra”: Çfarë trashëgimie shpresoni të lini përmes shkrimit tuaj?
Xhahid Bushati: Ajo trashëgimi e lënë të kishte rolin dhe pushtetin e Amanetit për breznitë e sotëm dhe të ardhshëm.
“Votra”: Faleminderit zoti Bushati për këtë intervistë të këndshme. Ju jemi mirënjohës! Votra Magazine ju uron shumë suksese!
Xhahid Bushati – Faleminderit! Mirënjohja e gjitha e imja, për ju që më bëtë të ndjehem këndshëm pranë “Votrës”.