Forca e penës së tij “grushti i fuqishëm ndaj malit që nuk bëzan”
Sot revista “Votra” në nderim të jetës dhe veprës së poetit dhe prozatorit Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni)
Millosh Gjergj Nikolla i njohur më shumë përmes nofkës Migjeni (Shkodër, 13 tetor 1911 – Torre Pellice, 26 gusht 1938) ka qenë një poet dhe prozator i shquar shqiptar. Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Për epokën ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma. Ndikimi i tij mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh.
Konsiderohet që Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Ai trajtoi varfërinë e viteve kur jetoi, me krijime të tij si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni?”, etj. fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit.
Një shtysë të posaçme mori përhapja e krijimtarisë se tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi komunist mori përsipër botimin e plotë të veprave, të cilat në vitet ’30 kishin qenë pjesërisht të pabotuara.
Shtëpia e Migjenit në Shkodër
Shtëpia ku lindi Migjeni ishte e ndërtuar në oborrin e shtëpisë së Trimçeve, shtëpi ku u bë Muzeu i Migjenit nga viti 1961 deri në vitin 1993.
Mirkoja – siç e thërritnin Milloshin të vogël – u lind më 30 shtator 1911 sipas kalendarit julian, që i bie 13 tetor 1911 me kalendarin gregorian. Arsimin fillor e mori në qytetin e lindjes në një shkollë serbo-ortodokse dhe nga 1923 deri më 1925 u shkollua në Tivar ku ndoqi gjimnazin e ultë po në serbisht. Daja, Jovan Kokosheviqi, i nxori bursë për në gjimnazin e Manastirit, ku kreu dy vitet e fundit të semimaturës më 1925/26 dhe 1926/27. Më pas fitoi të drejtën e studimit shkollim fetar dhe u regjistrua në seminarin ortodoks “Shën Gjon Teologu”. Në diplomën e lëshuar prej drejtorisë së shkollës më 18 qershor 1932, cilësohet “bir i Gjergjit, tregtar”. Me atë “Dëftesë Pjekurie” e përcaktonte për detyra klerikale.
Me dëftesën e pjekurisë në xhep, Milloshi u nis më 22 qershor 1932 nga Manastiri për në Tivar, tek e motra, Lenka. Një vit qëndroi pa punë, më pas në vitet 1933-1935 punoi si mësues filloreje në Vrakë kur u sëmur ose iu përkeqësua tuberkulozi. Vitin arsimor 1935-36 kthehet dhe shërben në Shkodër;[7] vitin pasardhës kërkoi që ta transferonin në Pukë – ku përfitoi edhe për shëndet, ndërsa dimrit kthente në Shkodër. Në Pukë i përkeqësohet shëndeti, e zë hemoftiza dhe më 22 dhjetor 1937 shkoi në Torino,[7] ku shpresonte të studionte për letërsi pasi të kurohej. Pas një operacioni të pasuksesshëm në spitalin Valdensian të Torre Peliçes, ndërroi jetë më 26 gusht 1938.
Migjeni kishte bindje të përparuara për kohën e tij, me të cilat filloi të brumoset që në bankat e shkollës nën ndikimin e veprave të autorëve përparimtarë. Punën si shkrimtar e nisi kur në letërsinë shqiptare po forcohej rryma demokratike me shkrimet e tij realiste, thellësisht novatore nga brendia dhe forma, dha ndihmë të madhe në zhvillimin e saj të mëtejshëm.
Në themel të veprimtarisë së Migjenit qëndron aspirata për një botë të re, ku njerëzit e thjeshtë të jetojnë të lirë dhe të lumtur me dinjitet njerëzor dhe pa frikë për të nesërmen. Ky humanizëm aktiv përshkon tej e ndan veprën e tij. Në poezitë e para, si “Zgjimi”, “Të birt’ e shekullit të ri”, “Shkëndija”, “Shpirtënit shtegtarë”, etj. pakënaqësia e thellë ndaj realitetit çifligaro-borgjez dhe ëndrra e autorit për një të ardhme të bukur u shpreh me figura të gjalla romantike. Poeti u ngrit kundër amullisë shoqërore dhe forcave që mbanin vendin në errësirë (“kalbësinave që kërkojnë shejtnim”). Kritika e rreptë e gjendjes së rëndë të vendit u gërshetua në këto vepra me dëshirën e zjarrtë për “një agim të lum e të drejtë kombëtar”, me grishjen për të luftuar për ditë më të bukura. Për zhvillimin e Migjenit si shkrimtar është karakteristik kalimi i tij i shpejtë nga romantizmi revolucionar në realizmin kritik.
Pasqyrimi i varfërisë së thellë të masave zë vend qendror në botimet e Migjenit për shkrimtarin kishte rëndësi të madhe shoqërore që të dilte në dritë sa më qartë humnera e vuajtjeve, ku e kishte hedhur popullin regjimi reaksionar. Heronjtë e veprave të tij më të mira (“Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni?”, etj.) ishin të papunë që rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë kafshatën e gojës, malësorë që qëndronin në zgrip të jetës, të mjerë që nuk u kishte ecur në jetë dhe ishin flakur jashtë shoqërisë. Në “Poemën e mjerimit”, veprën e tij më të shquar, Migjeni përshkroi në tablo të gjallë dhe rrëqethëse të gëlltitjes së vështirë të masave të shtypura dhe të shfrytëzuara, të venitjes së tyre fizike nën grushtin e mjerimit, që sundonte në vend dhe mbrohej nga monarkia çifligaro-borgjeze. Në një varg shkrimesh, si “Zoti të dhashtë” etj., Migjeni fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve që hiqte populli. Shtresat e privilegjuara Migjeni i pasqyroi kryesisht në jetën e tyre vetjake, ai tregoi moralin hipokrit dhe despotizmin që karakterizonte marrëdhëniet e tyre familjare (“Të çelen arkapijat”, “Studenti në shtëpi”). Në “Studenti në shtëpi” vuri në lojë inteligjencien borgjeze, si forcë e paaftë për të luftuar për ideale të larta. Migjeni goditi haptazi dhe me forcë artin dhe shtypin zyrtar (“Kanga skandaloze”, “Programi i një reviste”, “Novelë mbi krizën” etj.) Skamorët, të cilët i urrenin shtypësit, por ende nuk guxonin të ngriheshin kundër tyre, Migjeni i pasqyroi me simpati të thellë. Në skicat “Luli i vocërr” dhe sidomos te “Zeneli”, shkrimtari vuri në dukje aftësitë intelektuale të masave dhe dëshirën e zjarrtë për ndryshime në gjendjen e tyre shoqërore. Shkrimtari tregoi edhe shfaqjet, sado të zbehta të protestës së tyre ndaj padrejtësisë shoqërore (“Mollë e ndalueme”). Rrëfimi i thjeshtë dhe konciz, imtësitë, që zbulojnë thelbin e dukurisë, fryma polemike, psikologjizmi i hollë, prirja për t’i dhënë personazhet me disa viza, figurat poetike shprehëse, ironia – këto janë veçoritë kryesore të stilit të Migjenit. Shkrimet e tija lanë gjurmë të dukshme në letrarët e rinj të kohës.
Me mohimin e shoqërisë çifligaro-borgjeze dhe aspiratën e fortë për një të ardhme më të mirë për masat e popullit, Migjeni pati ndikim të ndjeshëm në rrethet e rinisë përparimtare; me veprat e tij ndihmoi në formimin shpirtëror të saj. Këtë rol ato e luajtën edhe në vitet e qëndresës kundër pushtuesit fashist, kur qarkullonin dorë më dorë.
Pas Çlirimit trashëgimi letrar i Migjenit u bë i njohur plotësisht. (“Veprat” e plota të Migjenit janë botuar tre herë: 1954, 1957, 1961, kanë dalë edhe një varg botimesh të tipave të ndryshëm). Shkrimet poetike dhe në prozë të Migjenit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Për jetën dhe shkrimet e tija janë botuar studime e artikuj të shumtë.
Me interesimin e Republikës Popullore të Shqipërisë eshtrat e Migjenit u sollën në atdhe në 1956. Iu dha titulli “Mësues i Popullit” pas vdekjes në vitin 1957.
Pjesë nga veprat
Poema e mjerimit
Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të ze trishtimi
kur shef ftyra të zbeta edhe sy të jeshilta
që të shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita
edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin
të tanë jetën e vet derisa të vdesin.
E mbi ta n’ajri, si në qesëndi,
therin qiellën kryqat e minaret e ngurta,
profetënt dhe shejtënt në fushqeta të shumëngjyrta
shkëlqejnë. E mjerimi mirfilli ndien tradhti.
Mjerimi ka vulën e vet të shëmtueme;
asht e neveritshme, e keqe, e turpshme;
balli që e ka, syt që e shprehin,
buzët që më kot mundohen të mshefin –
janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes,
të mbetunat e fliqta rreth e përqark tryezës
mbi të cilën hangri darkën një qen i pamëshirshëm
me bark shekulluer, gjithmonë i pangishëm,
Mjerimi s’ka fat. Por ka vetëm zhele,
zhele fund e maje, flamujt e një shprese
të shkymë dhe të coptuem me të dalun bese.
Mjerimi tërbohet në dashuni epshore.
Nëpër skaje t’errta, bashkë me qej, mij, mica,
mbi pecat e mykta, të qelbta, të ndyta, të lagta
lakuriqen mishnat, si zhangë; të verdhë e pisa;
kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,
kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta
edhe shuhet uja, dhe fashitet etja
n’epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja.
Luli i vocërr
Askush s’e njef Lulin. As shokët e tij, që përpara tij lozin, nuk e njofin. Ma mire me thanë se e njofin, por ata lozin për hesap të vet e Luli i shikon për hesap te vet. Sot gjithkush ka punet dhe telashet e veta, ashtu dhe fëmijtë, ashtu dhe Luli. More Lul! Shumë heret ke fillue me shikue punën tande!
Kur Luli hyn n’oborr të shkollës, buza i qeshet nga pak, por askuj, asnji fjalë s’i thotë. Ecë ngadale, tue shikue djathtas e majtas, po gjithnji tue ecë deri sa të mbrrijë në cak të vet. Aty, te dera e rruginës shkollore, shumë i pëlqen të qëndrojë. Aty asht caku i tij, i praruem me rrezet e ngrofta të diellit në këto ditët e vjeshtës. Mbështetet Luli për mur, grushtat e vogjël i shtje ndër xhepa, hundën picrroke të kuqun nga të ftoftit e mëngjesit ja sjell diellit dhe…shikon. Gjaja që ma tepër tërhjek vëmendjen janë çizmet që i kanë të veshun disa shokë të tij. Sa te bukura janë! Si shkëlqejnë! – mendon Luli dhe pa dashtje i shkojnë sytë ndër tullumbat e veta, nëpër të cilat shifen fare mirë të pesë gishtat e kambëve të zbathuna. Nga kurreshta i afrohet nji shokut që ka çizmet ma të reja. Ulet dhe shef në lustrin e çizmes kambët e veta të zbathuna – aq shumë shkëlqejshin çizmet!
Mbasi shoku me çizme fluturoi, Luli ngadalë shkoi te caku i vet, në diell, t’i ngrohi kambët. – Por kur s’ka diell, si ia ban i shkreti Lul? Ndoshta ia bajnë hallin apostujt e mëshirës dhe të dashunis… Noshta, ndoshta…
Nganjiher i afrohet mësuesi Lulit. Dhe kur Luli e ka ftyrën e dlirë dhe pa puça, mësuesi ia ledhaton faqet, gushën, e Luli i afrohet, ja merr dorën, e shikon me sy pëllumbi, dhe kishte me dashtë t’i falë diçka mësuesit. Por vjollca nuk ka. Veç në i faltë tollumbat e veta, që kanë hapun gojën si me dashtë me e hanger mësuesin. Po, po, tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin.