Ornela Musabelliu ka lindur në Berat. Është shkrimtare dhe botuese e “Revistës Letrare”, botimi më i vjetër në gjuhën shqipe dhe që shitet në të gjithë botën. Është gjithashtu redaktore dhe bashkautore në hije e shumë librave, përfshi këtu dhe personazhe të rëndësishme. Nga viti 2016 jeton në Bruksel, Belgjikë, me familjen. Libri i saj i botuar së fundmi, “Trëndafila dhe qiparisa” (“RL Books”, 2024) është pritur me kureshtje dhe dëshirë nga lexuesit, që e kanë njohur si autore në faqet e botimeve periodike letrare dhe antologji të ndryshme. Në këtë intervistë rrëfen metodën e saj letrare, stilin e punës dhe vështirësitë që shkrimtarët hasin në krijimtarinë e tyre.
Ornela, përshëndetje!
Ju urojmë ditë dhe punë të mbarë!
Jemi njohur me librin tuaj “Trëndafila dhe qiparisa”.
Sot libri është një sfidë. Mesa kemi lexuar, ky është libri i parë që keni botuar.
Ju urojmë shumë suksese në vazhdimësi!
Sot do t’ju drejtojmë disa pyetje rreth procesit të të shkruarit, përvojës suaj, përjetimeve, shprehjes dhe disa këshilla për autorët e rinj.
Çfarë ju frymëzoi të filloni të shkruani?
Ornela Musabelliu: Nuk e di cila ka qenë pika e fillesës, sepse kam shkruar apo, më mirë të them, kam “shkarravitur” që e vogël, por me siguri më ka nxitur dëshira për të riprodhuar realitetin që më rrethonte, ato që më bënin përshtypje e më zgjonin shqisat. Por edhe shtysa për të fantazuar dhe krijuar realitete të tjera, vetëm të miat, parë si këndvështrim arratie nga ajo që më ishte dhënë dhe e jetoja, pra ambicia për të pasur më shumë, për të prekur botë të tjera, gjë që mund ta bëja veç në ëndërrime, fantazi apo shkrime. Të paktën këto kam ndjerë kur u rrita mjaftueshëm për të kuptuar se dëshiroja të shkruaja. Por, natyrisht, frymëzim i madh kanë qenë librat. Ato më ndërtuan, më treguan udhën e më mësuan se mund t’i hidhja në letër përjetimet… dhe jo vetëm të miat.
Cili është zhanri juaj i preferuar për të shkruar dhe përse?
Ornela Musabelliu: Më tërheq drama dhe realizmi.
A keni një rutinë ose orar të caktuar për të shkruar?
Ornela Musabelliu: Ndoshta jam njeriu më i padisiplinuar në vendosjen e ca orareve. Nuk e di nëse më kushtëzon edhe ngarkesa e madhe e punës apo njëlloj do veproja edhe po të kisha luksin që vetëm të shkruaja, por besoj se njëlloj do funksionoja: do shfrytëzoja natën. Ndonëse me errësirën nuk i kam marrëdhëniet e mira, nata më ka intriguar që sa e mbaj mend veten. Vazhdoj të përjetoj të njëjtën ndjesi lirie. Ndihem më e plotë, se kam mundësi të dëgjoj veten në heshtje. Njerëzit preferojnë të besojnë se mendimet e natës nuk duhen futur në librin e llogarive të ditës, por mua më duket se jam më prodhimtare dhe efikase. Nata më jep dhe i jap shumë; nuk ndihemi në borxh me njëra-tjetrën. Me gjumin po, por e kam pasur këtë problem që e vogël. Kur të gjithë flinin, unë mbuloja kokën me jorgan, ndizja një dritë dore të tim eti dhe lexoja deri sa sytë më skuqeshin. Vazhdoj me të njëjtën rutinë: o lexoj, o shkruaj. Gjithsesi, sa herë kam mundësi, shkruaj edhe ditën, në shtëpi, në metro, gjatë një udhëtimi, në ndonjë bar etj.
Cili është aspekti më sfidues i shkrimit për ju?
Ornela Musabelliu: Janë shumë aspekte sfiduese, por, në rend të parë, do vija kohën. Pamjaftueshmërinë e saj. Shpesh më kapin ethet e shkrimit dhe kjo fazë bëhet torturuese kur nuk gjej kohë të ulem e të shkruaj. Puna me “Revistën Letrare”, redaktimet e librave, projektet e ndryshme dhe përmbushja e detyrave dhe përgjegjësive për familjen, ndonjëherë vërtet që s’më lënë as të marr frymë. Kjo gjë më katapulton direkt te sfida e dytë: të përfundoj shkrimet që kam lënë përgjysmë pikërisht për efekt kohe. Dhe kjo është një tjetër vuajtje, sepse jo rrallë herë e ndjej që më ka braktisur ideja e parë, ajo që edhe më ka shtyrë ta shkruaj diçka. Kështu, ose përfundon në kosh bashkë me shumë të tjera, ose, kur i vë vetes qëllim të sillem si shkrimtare profesioniste (qesh), e çoj deri në fund, por me ndjesi të tjera. Si përfundim, shoh se kam një tregim, psh., krejt tjetër nga ai që kisha nisur.
Një tjetër sfidë është ajo e fletës së bardhë apo, thënë ndryshe, kërkimi i një nisjeje sa më të bukur të rrëfimit. Në fakt, këtë gjë nuk e përjetoj aspak kur shkruaj tregime, por te romani që kam në dorë, po. Fillimi i çdo kapitulli është një sfidë më vete.
Një tjetër pikë që më sfidon vërtet është redaktimi apo edhe korrektimi i pareshtur gjatë shkrimit. Defekt profesional do ta quaja, nga i cili nuk arrij dot të çlirohem. Nuk e shmang dot rregullimin në moment qoftë edhe të gabimeve drejtshkrimore, gjë që më pengon shumë herë në hedhjen e ideve apo përshkrimin e asaj që kam në kokë. Ndoshta edhe këtu më duhet të bëj një korrigjim: po e vë elementin kohë si sfidë të dytë, se vërtet tendenca e redaktimit pa kriter më kushtëzon shumë.
Edhe tejkalimi i “bllokimit të shkrimtarit” është një sfidë e madhe, që mendoj se u ndodh të gjithëve.
Preferoni të shkruani në letër, apo në kompjuter? Pse?
Ornela Musabelliu: Për efekt kohe, lehtësie, pragmatizmi, përdor kompjuterin, por shpesh edhe telefonin, gjatë udhëtimeve, çlodhjes në natyrë pas një shëtitjeje të gjatë apo shijimit të një kafeje vetëm me veten… apo më saktë me personazhet e mi. Jetojmë në ditët e lehtësimeve të mëdha, të paktën nga ana teknologjike, ndaj, për të balancuar disi ngarkesën apo vrapin frenetik të ditëve, zgjedh t’u shmangem disa “kënaqësive”, siç është ajo e të shkruarit klasik, në letër. Kjo më kursen kohën e radhitjes më pas në kompjuter.
Ku e gjeni frymëzimin për historitë tuaja ose personazhet?
Ornela Musabelliu: Siç e përmenda që në krye të herës, frymëzimin e gjej te bota që më rrethon. Ka kaq shumë gjëra të bukura e të shëmtuara, ndodhi që na gëzojnë e na dhembin, personazhe tipikë dhe atipikë, etj., që sigurisht i trajtoj sipas optikës dhe ndjesive të mia. Çdo artist është i prirur të ngrejë në art çfarë e ngacmon nga ato që sheh, dëshiron apo përjeton. Pastaj, për t’ia mbërritur kësaj, duhen edhe shumë aspekte të tjera përveç frymëzimit.
Si e tejkaloni bllokimin e shkrimtarit ose momentet kur ndjeni mungesë kreative?
Ornela Musabelliu: “Makina e shkrimit hesht / si të ketë ndodhur një tradhti / sikur të jetë bërë një vrasje” – shkruan Bukovski në poezinë “Bllokimi i shkrimtarit”.
Kaq rëndë e përjetojnë shkrimtarët këtë gjë! Në momente të tilla, i jap vetes të drejtën e një pushimi. Kur më ndodh ditën, e mbyll atë që po shkruaj, e lë të flejë dhe dal e shëtis në natyrë ose e zë veten me punë të tjera. Më çliron shumë një udhëtim me makinë, ku dëgjoj muzikën që dua dhe shijoj panoramën e bukur që më shoqëron. Mundohem të mos mendoj më për çka lashë pas. Natën dal në verandë e mbushem me ajër dhe qiell. Ndodh ta braktis edhe me ditë apo javë të tëra shkrimin dhe i rikthehem pas kalimit të ngërçit.
Por kam edhe dy teknika të tjera, që më lehtësojnë shumë në këtë aspekt. E para: i rikthehem edhe njëherë nga fillimi asaj që kam shkruar e kjo më ndihmon të kuptoj rrugës se ku më ka çaluar puna, që më ka çuar drejt ngërçit. E dyta, që më ndodh më rrallë: i bëj presion vetes. Për çudi, punoj më mirë nën presion, ndaj i vë vetes afate e nuk kam nga t’ia mbaj. Ngrihem nga kompjuteri kur këndon gjeli i komshiut (qesh).
Cili është për ju aspekti më i vështirë i jetës së një shkrimtari?
Ornela Musabelliu: Siç e dimë, djalli fshihet në detaje, dhe pjesa më e madhe e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm për vështirësitë e jetës së një shkrimtari dhe stresin e madh që përjeton ai. Shkrimtarët janë të dënuar të përballen me shumë, duke filluar që nga gjetja e ideve, atë që thamë më sipër – bllokimin, izolimin nga bota gjatë procesit të shkrimit, mendimet nëse botuesit do t’ia pranojnë veprën për botim, nëse lexuesit do ta pëlqejnë apo jo, përballja me kritikat, me sigurimin e të ardhurave, pasi të gjithë e dimë që pjesa më e madhe e shkrimtarëve duhet të bëjnë të paktën edhe një punë tjetër për të paguar faturat apo për të blerë mirëqenien, etj.
Shkrimtarëve shpesh u duhet të “imitojnë” gjimnastët apo akrobatët e cirkut: duhet të mbajnë ekuilibrin mbi një fill të hollë, që lidh ose ndan suksesin me dështimin, refuzimin me pranimin, të qenit i kuptuar me moskuptimin, realitetin me fantazinë, dëshpërimin me ngazëllimin e brendshëm gjatë procesit të shkrimit, vetëkontrollin me lirshmërinë, vetminë me shoqërinë, këmbënguljen me dorëzimin etj., një lumë i gjatë përjetimesh.
Në përgjithësi, shkrimtarët vuajnë nga një pretendim fiks: “Meritoj të më lexojnë” e bien në dëshpërim kur realiteti nuk u përgjigjet pritshmërive të tyre.
Të gjitha këto e komplikojnë jetën e një shkrimtari e rrjedhimisht edhe fokusin e shkrimit.
Si i festoni momentet e rëndësishme ose sukseset në rrugën tuaj të shkrimit?
Ornela Musabelliu: Nuk dehem kollaj. Natyra ime në kërkim të më së mirës (për aq sa mund t’ia arrij), më privon nga ndjesia e të qenit e përmbushur apo i plasjes së fishekzjarrëve pas çdo pune që mbyll. Dhe këtu nuk e kam fjalën veç për shkrimin. Kërkoj gjithmonë e më shumë, përherë e më mirë. Kjo më ka penguar që ta botoj herët librin tim të parë, që tashmë do ta kish mbuluar pluhuri i gjashtëmbëdhjetë vjetëve. Në fakt, prej kaq kohësh flenë në draftet e kompjuterit, të faqosur e të bërë gati për botim, dy vëllimet e para me tregime, për të cilat e kam ndalur në moment të fundit tim shoq, që për fat është edhe botuesi im, që mos t’i çonte për shtyp. E frenova me justifikimin se duhej të korrigjoja diçka, por nuk i dhashë më gaz. Pas kaq vitesh, kur presioni për të botuar – prej atyre që e kanë lexuar letërsinë time nëpër faqet e gazetave dhe revistave letrare të atyre kohërave apo të dërguara si dorëshkrim – u bë “mizor”, vendosa më në fund të botoj “Trëndafila dhe qiparisa”, pra, sipas radhës, vëllimin e tretë me tregime.
Cili është libri juaj i preferuar dhe si e ka influencuar shkrimin tuaj?
Ornela Musabelliu: Është pak e vështirë të përcaktoj një libër të preferuar dhe që ka influencuar më shumë se të tjerët në jetën time. Në kohë të ndryshme, vepra të ndryshme. Kjo ndodh sepse ndikojnë një mori gjërash, që nga elementi kohë, rritja, ndryshimi i botëkuptimit, gjendja shpirtërore kur e lexon një libër etj. Ata që s’i tradhtoj kurrë mbeten klasikët, por po shtoj edhe dy shkrimtare, që vërtet i dua shumë: Margerit Dyras dhe Irene Nemirovski.
Çfarë këshillash do t’u jepni shkrimtarëve aspirues?
Ornela Musabelliu: Këshilla ime e vetme është të lexojnë sa më shumë, të ulen e të shkruajnë dhe, mbi të gjitha, të redaktojnë, të redaktojnë e të redaktojnë përsëri, derisa teksti të pastrohet gjuhësisht dhe të arrijë nivelin më të lartë të qartësisë së mendimit. Më e mira është të mos shkruash ato që mendon se janë të bukura veç për veten, por të marrësh dhe të përçosh historitë, s’ka rëndësi nëse vijnë nga ti apo nga njerëzit e tjerë, e rëndësishme është që ato të përçojnë diçka te lexuesi, të reflektojnë jetën dhe botën përreth.
A e ndani punën tuaj me të tjerët ndërsa është në proces, apo preferoni të prisni derisa të jetë e plotë?
Ornela Musabelliu: Shkrimtarët, përgjithësisht, janë “xhelozë” për punën e tyre. Përveç kësaj, të gjithë e ndjejnë atë pyetjen: a do i pëlqejë tjetrit kjo që kam shkruar, apo jo? Është një lloj ankthi. Edhe unë kam vuajtur dhe përsëri vuaj pak nga kjo dilemë. Megjithatë, kam mësuar që ndarja dhe kërkimi i mendimeve te njerëzit e besuar është shumë e rëndësishme për cilësinë e shkrimit. Përgjithësisht (jo gjithçka), e ndaj punën në proces me bashkëshortin dhe dy-tre miq, shkrimtarë dhe lexues shumë të mirë, të cilëve u kërkoj gjithmonë të lexojnë pa pasur parasysh se kush e ka shkruar e të jenë të sinqertë në opinionet dhe mendimet e tyre. Dhe kam besim të plotë tek ta.
Si e trajtoni kritikën, apo komentet për shkrimin tuaj?
Ornela Musabelliu: Kritika është gjithmonë e dhimbshme për shkrimtarin e, megjithatë, kur mëson të pranosh dhe të jesh e ndershme nga ana intelektuale me veten, e kupton që nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa një mendim kritik i dhënë me dashamirësi, se e çon atë që po shkruan në një nivel tjetër. Kjo mund të duket si influencuese dhe është në një farë mënyre, por shkrimtari, i zhytur në tastierën e vet, shpesh harron të shohë gjëra që i sheh lexuesi, që është larg asaj historie. Shkrimtari duhet ta ketë lëkurën e trashë e të fortë dhe të mësohet ta pranojë dhe mendimin e tjetrit.
Çfarë bëni kur nuk shkruani?
Ornela Musabelliu: Jetoj. Në një mënyrë tjetër, në atë realen. Punoj me revistën, librat etj., lexoj, fryj e shfryj për punët e shtëpisë që s’mbarojnë kurrë, kaloj kohë me familjen, takoj miqtë, argëtohem, shëtis, udhëtoj shumë etj., si gjithë njerëzit e tjerë.
Si e balanconi shkrimin me përkushtimet e tjera në jetën tuaj?
Ornela Musabelliu: Kjo është pyetje e vështirë, sepse nuk është e lehtë të arrihet. Fakti që zakonisht shkruaj natën më jep dorë që ditën t’u përgjigjem krejt angazhimeve të tjera, por edhe kjo ka vështirësinë e vet, pasi nuk më ngelet kohë e mjaftueshme për çlodhjen. Por kjo jam unë e ca vese dalin me shpirtin (qesh). Megjithatë, përpiqem të vendos prioritete, edhe pse jo rrallë nuk më pyesin fare dhe e ngatërrojnë radhën. Por përpiqem, gjithsesi. Më ndihmon edhe fakti që punoj nga shtëpia. Psh., me kafen e parë në dorë, ende me pizhame, mund të nis edhe shumë punë njëkohësisht: u përgjigjem e-mail-eve, ndërkohë që piqet tava në furrë apo thahen rrobat në tharëse redaktoj, lexoj shkrimet që më vijnë për revistën, flas me bashkëpunëtorët etj. Si çdokush tjetër, në fakt. Dikush bën hidraulikun, dikush rrobaqepësin, shkrimtarin apo redaktorin; të gjithë kanë punën e vet, që mundohen ta balancojnë edhe me angazhimet e tjera të jetës apo me kënaqësitë.
Çfarë roli luan leximi në procesin tuaj të shkrimit?
Ornela Musabelliu: Lexoj jashtëzakonisht shumë, jo vetëm për dëshirë, por edhe për punë. Si botuese e “Revistës Letrare” jam e detyruar të lexoj thuajse të gjitha shkrimet që vijnë e kjo për të garantuar cilësinë e botimeve (pa përmendur dorëshkrimet e veprave që autorët m’i dërgojnë përpara se të finalizojnë draftin përfundimtar të një libri, për t’u dhënë një mendim). Mund të them që kanë ngelur pak autorë shqiptarë prej të cilëve nuk kam lexuar asgjë. Megjithatë, mundohem ta shtrydh kohën që të lexoj edhe ato që dëshiroj, por dëgjoj shumë edhe audiobooks, ndërkohë që gatuaj apo udhëtoj, psh., sepse më kursejnë kohë. Zakonisht dëgjoj mjeshtrit e mëdhenj, që i kam lexuar më parë dhe dua t’u rikthehem. Çfarë roli luan kjo gjë në shkrimin tim? Sigurisht që luan rol, se leximi përmirëson aftësinë e shkrimit, të pasuron fjalorin dhe me ide, të mëson teknika të reja, të zgjeron horizontin, të rrit aftësinë analitike, të jep mundësinë t’i shohësh gjërat nga këndvështrime të ndryshme etj.
A keni një vend të preferuar kur shkruani?
Ornela Musabelliu: Kuzhina është vendi im i punës, që s’pranoj ta ndërroj me asnjë tjetër. I kam rezistuar çdo përpjekjeje të tim shoqi për të më rregulluar njërën nga dhomat e shtëpisë si zyrë. Refuzoj të largohem nga cepi im i preferuar në tavolinën e kuzhinës, ku ndihem më afër botës dhe mendimeve të mia. Kuzhina më lidh me aromat e fëmijërisë dhe, përveç kësaj, njërën faqe të saj e ka komplet xham, që sheh nga oborri, dhe panorama e bukur që më shfaqet më mbush dhe më frymëzon.
Cila është tema e librit që keni shkruar? Çfarë trajton ai?
Ornela Musabelliu: Është një vëllim me 36 tregime dhe temat e tyre variojnë nga fëmijëria apo jeta në Shqipëri e deri në ditët e fundit këtu në Belgjikë. Nuk ka një temë apo natyrë të përcaktuar. Është një vëllim ndjenjash, mendimesh, dhimbjeje, dashurie, përpjekjesh njerëzore për të gjetur vendin e vet në këtë botë.
Cili është komenti më i paharrueshëm që keni marrë për librin tuaj?
Ornela Musabelliu: Pavarësisht se pyetjet nuk janë asnjëherë “budallaqe”, po e tejkaloj këtë, sepse nuk dua të bie në kurthin e të dukurit mendjemadhe.
Si e dini që një histori është e plotësuar?
Ornela Musabelliu: Letërsia është si jeta: ka një fillim, një zhvillim dhe fund. Dhe ashtu si në jetë, që kemi uri për shumëçka, edhe shkrimtari ndeshet me “sindromën e urisë”, po e quaj unë, dhe shkruan e shkruan, shpesh pa qenë i sigurt se kur duhet ta vejë pikën e fundit. Në fakt, për mua, një histori quhet e mbaruar kur vete në duart e lexuesit, ndaj shpesh përpiqem të marr rolin e tij, pra e zhvesh petkun e autores dhe përpiqem ta lexoj atë që kam shkruar ftohtë, duke krijuar një lloj distance. Nëse në këtë pikë mendoj se shkrimi ia ka mbërritur objektivave, personazhet janë ndërtuar, fabula vjen e saktë dhe përcjell gjithë energjinë, thellësinë dhe qartësinë, atëherë mendoj se ia kam arritur ta përmbyll. Se lexuesi duhet të largohet i kënaqur nga ajo që ke shkruar, jo vetëm nga ana gjuhësore dhe letrare, por edhe nga ana shpirtërore. Nëse shkrimtari e bën këtë, historia është mbyllur, ka mbaruar dhe nuk ke nevojë t’i shtosh asgjë tjetër.
A e keni ndier ndonjëherë “sindromën e mashtruesit” si shkrimtare dhe, në qoftë se po, si e trajtoni atë?
Ornela Musabelliu: Ah, besoj se të gjithë shkrimtarët, dhe jo vetëm, e ndjejnë këtë gjë të paktën një herë në jetë. Unë mendoj se është mirë të ngresh pikëpyetje, për veten, punën, cilësinë e saj, por jo ta lëmë të na mbysë kjo gjë. Në fakt, rezulton se kjo sindromë prek natyrat perfeksioniste (ku hyj edhe unë, dhe kjo është vuajtje më vete) dhe të suksesshmit. Kjo lloj tipologjie njerëzish përpëlitet më tepër mes ndjenjave të ngatërruara nëse sukseset i kanë arritur për shkak të meritave apo se thjesht janë ndihmuar nga fati apo faktorë të tjerë ndikues dhe kanë frikë se një ditë do dalin zbuluar, pra si mashtrues. Shumë shkrimtarë përpiqen ta krahasojnë veten me shkrimtarë të tjerë të njohur dhe vënë në dyshim talentin dhe aftësitë e tyre; ata mendojnë se nuk e meritojnë vëmendjen apo vlerësimin që kanë marrë. Edhe unë bie ndonjëherë pre e ndjenjës së pasigurisë dhe kërkoj konfirmim nga të tjerët, por nuk e krahasoj kurrë veten me të tjerët. Sfidën e kam veç me veten. Cili është shpëtimi? Duhet të mësojmë t’i pranojmë sukseset me të njëjtën lehtësi që pranojmë dështimet.
Çfarë shpresoni që lexuesit të marrin nga libri juaj?
Ornela Musabelliu: Kjo është një pyetje që nuk më takon mua t’i përgjigjem. I takon lexuesit të thotë se çfarë mori nga libri im. Unë nuk shkruaj për moral apo këshilla; them histori e rrëfej ato që më ndjen zemra dhe shpirti. Të tjerat janë pak të rëndësishme.
Cilat janë synimet tuaja për shkrimin në të ardhmen?
Ornela Musabelliu: Të shkruaj.
Çfarë bëni kur ndjeni mungesë frymëzimi ose mungesë motivimi për të shkruar?
Ornela Musabelliu: Zakonisht bëj llafe me tim shoq për gjëra kot. Pastaj e ftoj për ndonjë kafe, drekë apo piknik të vogël në natyrë (qesh). Jeta është e mbushur me gjëra të vogla kaq të bukura, që nuk të lënë në baltë, edhe kur nuk ke frymëzim apo motivim (jo vetëm për të shkruar), dhe me kaq shumë angazhime, sa del gjithmonë diçka për të bërë. Megjithatë, (ndoshta e kam përmendur edhe më sipër), tashmë kam arritur në një pikë ku mendoj se shkrimtari veç duhet të ketë kohë që të shkruajë, nuk ka nevojë shumë për frymëzim apo motivim. Frymëzimi është një çast, pika fillestare, pastaj duhet veç punë… punë… punë… si në çdo profesion tjetër.
Çfarë ndikimi shpresoni të ketë shkrimi juaj në botë, ose pritshmëritë?
Ornela Musabelliu: Unë shkruaj dhe nuk kam asnjë pritshmëri. Kam kuptuar se pritshmëritë zakonisht të zhgënjejnë. Nëse bota do i pëlqejë ato që shkruaj, do të thotë që mundimi nuk më ka shkuar kot. E kjo do ishte bukur. Nëse jo, do vazhdoj të shkruaj se e ndjej të nevojshme, siç kam bërë deri tani.
Cila është pjesa juaj e preferuar e procesit të shkrimit?
Ornela Musabelliu: Fillimi dhe fundi. Në fillim është adrenalina e një ideje të bukur që më bën të ulem të shkruaj dhe fundi; gjithçka ka mbaruar, shkrimi është redaktuar, është pastruar nga teprimet dhe vjen ajo ndjenja e lehtësisë: më në fund u krye.
Çfarë bëni kur keni vështirësi të gjeni fjalët e duhura?
Ornela Musabelliu: Hap fjalorin.
Si i afroni përpunimet dhe redaktimin në shkrimin tuaj?
Ornela Musabelliu: Një shkrimtar amerikan thotë: “Në fillim shkruaj. Shkruaj edhe ca më shumë. Redaktoj. Shkruaj prapë. Redaktoj. E në fund kaloj në paragrafin e dytë”. Një shkrim nuk konsiderohet kurrë plotësisht i mbaruar; do që të heqësh, të shtosh, ama shkrimtari duhet të bëjë më të mirën e mundshme që fjalitë dhe shkrimet e tij të jenë të pastra, të shtrydhura nga gjithçka e tepërt.
Çfarë ju kënaq më shumë në veprimin e shkrimit vetë?
Ornela Musabelliu: Shkrimi nuk është kënaqësi, është vuajtje. Se edhe procesi i çlirimit që mund të ndjejë dikush kur shkruan, është perpleks, ka anën e vet të errët, të mundimit, derisa mbërrin në pikën finale. Kënaqësia përjetohet kur shkrimi mbaron. Të paktën për mua.
Si qëndroni të hapur për ide të reja dhe inspirim? .
Ornela Musabelliu: Nuk kam ndonjë mënyrë të veçantë. Thjesht i jap vëmendje jetës përreth meje, njerëzve, vuajtjeve, halleve, gëzimeve të tyre, fenomeneve, ngjarjeve… Besoj se jam vëzhguese dhe dëgjuese e mirë. Kaq më mjafton për të më ngacmuar e për të hyrë në thellësi të imagjinatës dhe dukurive. Nuk ke nevojë të shpikësh ide, bota është e mbushur me to. Se si shohim, ndjejmë, perceptojmë, reflektojmë dhe nxjerrim deduksionet tona pastaj, është individuale, por që rezulton se të gjitha këto përqafohen nga të ngjashmit tanë ose ndikojnë tek të tjerët.
Çfarë trashëgimie shpresoni të lini përmes shkrimit tuaj?
Ornela Musabelliu: Librat.