15 minuta duartrokitje në Grande Teatro Massimo di Palermo, Saimir Pirgu magjeps publikun italian

“Eugene Onegin”, vepra më e famshme e repertorit rus është rikthyer në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Palermo pas 24 vitesh. Shtëpia e artit Massimo Vittorio Emanuele mirëpriti një kast të shkëlqyer sopranosh dhe tenorësh të cilët çelën më 19 maj siparin e natës së parë të veprës ruse.

Tenori shqiptar Saimir Pirgu është pjesë e këtij kasti, me një ndër rolet kryesore, atë të romantikut Vladimir Lenskij të cilin e veshi mjeshtërisht për ta përçuar në zemrën e publikut Italian.

I njohur për diksionin e tij sa elegant, aq edhe potent, interpretimi i Pirgut u shoqërua me ovacione dhe duartrokitje që zgjatën për më shumë se 15 minuta.

Me një axhendë tejet të ngjeshur, në teatrot më prestigjozë në botë Saimir Pirgu vijon të magjepsë publikun anekënd globit me interpretimin brilant. “Qielli është limiti i tij”; ka qenë një prej vlerësimeve që artistit shqiptar i kanë bërë kritikët e The New York Sun ndaj këto 15 minuta duatrokitje pa ndërprerje për virtuozin shqiptar, na bëjnë kaq shumë krenar.

Nën drejtimin e Omer Meir Wellber i cili është një interpretues i jashtëzakonshëm i Çajkovskit, publiku në sallë ka shijuar këtë spektakël klasik i bazuar në novelën në vargje të Pushkin. Për rreth 190 minuta artdashësit përjetuan emocione drithëruese nga interpretuesit virtuozë në tri aktet e veprës.

Eugene Onegin është një shembull i njohur i operës lirike, së cilës Çajkovski i shtoi muzikë të natyrës dramatike. Historia ka të bëjë me një hero egoist, i cili jeton për të penduar për refuzimin e tij të ashpër ndaj dashurisë së një gruaje të re dhe nxitjen e tij të pakujdesshme në një duel fatal me mikun e tij më të mirë.

Opera “Eugenij Onegin” u interpretua për herë të parë në Moskë më 29 mars 1878, ndërsa në Teatrin e Operas dhe Baletit në Palermo do të shfaqet edhe në datat, 20, 21, 21, 24 dhe 25 Maj.

Ndiqni pak nga performanca në këtë video:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights