MEHMET ELEZI- JANË SOSUR MOTIVET PËR MOSKËN

Në qershor 2001, Mehmet Elezi mori pjesë në një konferencë ndërkombëtare në Moskë. Makineria e Putinit e kishte shndërruar Groznin dhe krejt Çeçeninë në varrezë masive.

Në detin e Veriut qe fundosur nëndetësja bërthamore “Kursk”, 118 anëtarët e ekipazhit kishin humbur jetën. Putini kishte vijuar pushimet, vetëm pesë ditë pas tragjedisë qe kthyer nga Soçi.

Nga po shkonte Rusia?

Poezitë e mëposhtme janë shkëputur nga cikli “Janë sosur motivet për Moskën”, shkruar gjatë atij udhëtimi.

KREMLINI

Kremlini hesht, babushkë dinake
Pa m’i shtrij duart, Rusisë i thotë
Fatin ia këqyr në vija të pëllëmbës
Te Mauzoleu rojet i ndërron.

MBRËMJE NË MOSKË

U shkoq një re diku mbi stepa
E qau përmbys mbi Lum të Moskës
Pastaj u fsheh pas dy mështeknash
U kreh e veshi bluzë të hollë

Në ajër rënkojnë, Sheshit të Kuq
Plagë heronjsh të Afganistanit
Mbi flakë qirinjsh te kisha luten
Qajnë me një sy, rrinë me një këmbë

Te Mauzoleu, me shishe birre
Radhë e turistëve si bollverbët
Tej yjet vdesin pas një izbe
Në derë të natës kurvat presin

KURRKUSH S’MË BIE NJË LAJM

Kurrkush këtu s’më bie një lajm, kurrkush. Era
Shkruan muret me shkronja cirilike
Nëndetëset nga fjordet e syve të vajzave
Janë nisë kah Kursku me mbledhë rënkime.

GJENIU

Prej ballkonit tim në Hotel Ukraina
Mrekullohem me gjeninë e një të marri
Në Kutuzovski Prospekt për vija të bardha s’pyet
Shalakatet, trupon, trafikun pret në qafë.

Sirenat e policisë çmenden, shqyejnë me brirë hënën
Ketrushat lirojnë putrat, qytetin lëshojnë si vezë.
Hapa të marri, shkreptima varri a potkonj të një kali?
Rrëqethet, bën kryq Moska, rrudhet, bie në peshë.

O i pamend i mençëm, gjysmëperëndi
Vetë Tolstoi për ty tha: Haxhi Murati po vjen.
Trupi yt i thatë bleroi e u mbush me degë e me fletë
O Zot, lëviz Pylli i Brinjës i Shpirtit Çeçen!

MATRIOSHKË

I mrrolët treni i reve prej Siberie
Çati kristali për peshqit monton në lumë
Ku do të banojë dimri? Në sytë e vajzave
Akulli flakë ndizet, bora qan me lule.

Ku do të banojë dimri? Me qershor Moska mbushur
Në ikje një shkumë birre sykaltër më pi
Mistershëm në kukullat matrioshka riprodhuar
Rusia ç’ditë fsheh brenda, kushedi.

SHËTIS VETËM

Rrugë belholla me këmisha rigash të gjelbra vere, vajza
Vajza me kokrriza të tejdukshme ajri që u pëlcasin nëpër
Faqe
Parqe
Që përdallgen deri në qiellin e shtatë në përflakje dashurish rrotulluese
Rrotulluese
Celuloza e nostalgjive në një fotoaparat të vjetër.

E DIEL DASME NË SHESHIN E KUQ

Ua ndjeva, ua ndjeva afshin
Kur nga pas më fërfërinë përskaj
Nusja: fustan dite polare
Dhëndri: këmishë prej syve të saj

Si flokë bore para kamerës shkrihen,
Aparatet vetojnë shkrap e shkrup
E puthen e shpirt japin e prapë linden
E rriten e betohen: s’do të vdesim kurrë

Një lypës ua zgjat grushtin e vockël
-Më falni o të lumë dy kopekë dritë
Dhëndri vesh këmishë nate polare
E nusja fustan bore të ngritë

M’U SOSËN MOTIVET PËR MOSKËN

M’u sosën motivet për Moskën
(Ndoshta sepse erdha pa Ty).
Varrosur në metro Çajkovski
Qan me tre violinistë pa sy

I ngrirë në bronz Dostojevski
Te Biblioteka nën emrin Lenin:
-Magjistar jam, por i moçëm tepër
Mos më merrni për Rasputin

Dhimbja në Gorki Park zhvirgjërohet
Përballë syve të blertë, të ndeztë
Eshtë qielli i syve tuaj, vajza ruse
A plasaritja thith si vrimë e zezë?

*********

BORA E PARË

Ja, bora e parë u ul ngadalë mbi ahat e zhveshun, si re e bardhë
Lajthitë e holla skaj udhës u zbardhën e u ngrinë

Mbi kodër
Mbi përrue
Shtyllat e tensionit të naltë
Si të veshuna me tirq nën kristale rrinë.

…….
– nga përmbledhja me poezi «Zhurmojnë ujvarat», 1970.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights