Kujtim Alijaj, artisti i palodhur i cili ua ktheu qiellin në skenë, yjeve të vegjël shqiptarë

Sot u nda nga jeta dirigjenti i njohur shkodran, simboli i dashurise per muziken dhe festivalet e femijeve, mjeshtri i madh, Kujtim Aliaj. 

Dirigjenti i njohur shkodran ka qenë  organizator për shume vite i festivalit mbarëkombëtar të fëmijëve si dhe drejtues i qendres kulturore të fëmijëve në Shkodër.

Ai mban titullin ‘Mjeshtër i Madh’.

Kush ishte Kujtim Aliaj, Mjeshtri i Madh i muzikës?

Kujtim Aliaj është nderuar me çmimin “Mjeshtër i Madh” , dirigjent, pedagog dhe organizator i palodhur i shumë aktiviteteve artistike. Ai është një prej emrave me një kontribut të madh në muzikën shqiptare dhe vjen nga një familje shkodrane intelektualësh, të cilët e donin arsimin dhe artin. Ka mbaruar Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, nën drejtimin e dirigjentit, Artistit të Popullit, Rifat Teqja, mbas shkollës së muzikës “Prenkë Jakova” të Shkodrës. 

Pas diplomimit ka filluar punën në qytetin e Shkodrës ku ka organizuar dhe drejtuar koncerte e veprimtari të ndryshme artistike si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë, me Filarmoninë e Shkodrës, Orkestrën frymore si dhe formacionin e harqeve. Festivali i parë shqiptar i këngës për fëmijë u zhvillua në Shkodër, më 10-11 maj 1963, një vit pas Festivalit të Këngës në Radio. Ky festival në vite zbuloi dhe u dha rrugën e artit shumë talenteve të cilët më vonë shkëlqyen në skenat shqiptare dhe ato botërore. Në gjithë këto vite dirigjenti, drejtuesi dhe organizatori shkodran Kujtim Alija, pati jo vetëm fatin, por edhe aftësitë të bëhej vazhdues i mjeshtrave, që drejtuan këtë festival, duke e drejtuar atë deri sot, pa munguar dhe pa i ndryshuar klasin asnjëherë, gjë që nuk ishte aq e thjeshtë, duke pasur parasysh së paku ngjarjet e vitit 1991 dhe 1997.

Nga ana tjetër, ai i rriti klasin këtij Festivali me zgjerimin e gjeografisë së tij, me pjesëmarrje të krijuesve dhe interpretuesve të vegjël nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Në mënyrë të natyrshme, Festivali i Fëmijëve u bë Mbarëkombëtar (në vitin 1993) gjë që i jep një meritë tjetër shumë të rëndësishme z. Kujtim Alijaj.

Kujtim Alijaj ka qenë një artist i palodhur, ideatori, organizatori dhe themeluesi i veprimtarisë “Bilbilat e vegjël në Shkodër këndojnë”, veprimtari që konsiderohet si një ndër aktivitetet më të rëndësishme për fëmijë, që aktualisht organizohet për të 22-tin vit me radhë në Shkodër, si një ndër aktivitetet më të rëndësishme të botës fëminore, duke evidentuar nivelin e mirë të pjesëmarrësve. Ky edicion ka tërhequr vëmendjen e shikuesve të shumtë, përmes një organizimi model, i realizuar bashkë nga Drejtoria Rajonale e Arsimit, me mbështetjen e Bashkisë. Ky aktivitet institucionalizoi kontributin e vet shumë të vlefshëm për zbulimin e trajtimin me profesionalizëm të talenteve të rinj, të cilët kanë shpalosur vlerat e tyre në olimpiada muzikore brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Kujtim Alijaj me mbështetjen e Bashkisë së Shkodrës, bëri të mundur rifunksionimin e Bandës muzikore të qytetit, e cila për disa vite me radhë nuk ishte efektive. Pas një pune intensive me këtë trupë, dha me sukses premiera të vazhdueshme. Rrjedhojë e kësaj pune të vazhdueshme është edhe të fituarit e Çmimit të parë në Festivalet Kombëtare të Orkestrave Frymore në Sarandë, për katër herë rresht (aq herë sa u organizua) dhe çmimin e parë akorduar nga Presidenti i Republikës Italiane, në “X Festival internacionale Bande Musicali” në tetor 2009 në Giulianova-Itali.

Një ndër meritat e rëndësishme të dirigjentit dhe organizatorit Kujtim Alijaj është edhe rikthimi në Shkodër, pas 17 vitesh, i orkestrës simfonike, shumë e njohur ndër vite për profesionalizmin dhe aktivitetet e saj, jo vetëm në këtë qytet, por në gjithë vendin. Ajo kishte si qëllim jo vetëm gjallërimin e jetës artistike e kulturore në kryeqendrën e veriut, por dhe risjelljen e vlerave të harruara.

Pas viteve ’90, angazhohet edhe në një plan tjetër, duke udhëhequr evenimente të ndryshme artistiko-fetare. Pas kontributit vullnetar në disa veprimtari fetare, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i beson atij drejtimin artistik të disa programeve festive që fillojnë në Teatrin “Migjeni”, vazhdojnë në skenat e Maqedonisë dhe bëhen të përvitshme në Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights