Të vërteta të përjetshme mbi dashurinë, lirinë dhe gjendjen njerëzore nga një prej zërave më të nderuar të Shqipërisë
Në nder të 100-vjetorit të lindjes së At Zef Pllumit, “Votra Magazine” paraqet me krenari një përmbledhje të thënieve të tij më të thella, të cilat vazhdojnë të frymëzojnë dhe të rezonojnë përtej brezave. At Zef Pllumi, një simbol i qëndrueshmërisë dhe urtësisë, përdori përvojat e jetës së tij për të dhënë mendime mbi ndërlikimet e dashurisë, lirisë dhe gjendjes njerëzore. Përmes reflektimeve të tij, “Votra Magazine” synon të ruajë trashëgiminë e këtij mendimtari të madh shqiptar dhe të ndajë mësimet e tij të përjetshme me një audiencë më të gjerë, duke siguruar që fjalët e tij të jetojnë në zemrat dhe mendjet e të gjithë shqiptarëve. Më poshtë janë të përmbledhura 111 shprehje të tij.
- Na duhet ta duem dhe ta respektojmë lirinë e shoqit deri në at masë që të mos hyjë në kufijtë e lirisë.
- Pse Doktrina e dashunisë gjithmonë do të rrijë e strukun prej dhunës?
- Shpresa ban mrekulli: ngjall.
- Robnia ma e randë asht ajo e vllaut tand se e të huejit.
- Nji njeri me shkollë, në katund nuk ka jetë.
- Nji Atdhe që u sjell të bijve vetëm robni, vuejtje, mundime, tortura e vdekje, nuk asht ma Atdheu i zemrës dhe duhet braktisë me lot ndër sy.
- Na nuk kemi të drejtë me i giykue njerëzit që kane ba Shqipninë.
- Psehit nuk ia gjeti fundin kurrkush dhe as nuk dij a do t’i gjindet ndonjiherë.
- Ziliqarit mos i trego as andrrën që ke pa.
- Njeriu nëse asht njeri, i mirë apo i keq, kryesisht paraqet vetë personin dhe jo krahinën, kombin e shtetin, sepse të gjitha krahinat, kombet e shtetet përbahen nga njerëz të mirë e njerëz të këqij.
- Nuk na sjell lavdi origjina, në qofte se jemi të perçamë e mendojmë si t’i bajmë vorrin vëllaut.
- Ku nuk ka Zot nuk mund të jetë liri.
- Njerzimi kultivon racat e kuajve, lopve, berreve. Edhe të derrave. Por nuk kultivon vehten. Raca njerzore duhet kultivue.
- Dhimbja e shpirtit njerzor asht shume ma e fortë se ajo e trupit.
- Jeta paska ma shumë brenga se gzime.
- Kur njeriut t’i mungojë zemra nuk asht ma njeri.
- Nuk ka tirani që të ketë vazhdue pa tiran.
- Me fundin e mbramë të jetës nuk ka të drejtë me u tallë kurrkush.
- Në Shqipni as dashunia nuk lejohej pa pasë pëlqimin e partisë.
- Mendtë merren në shkolla e jo në burgie; në burg të hikin mendtë edhe n’i paç.
- Shpesh herë njeriu paraqitet shejt e del dreq.
- Pleqnia bjen me vedi edhe shumë sëmundje, jo që ma ajo vete asht sëmundja ma e keqe dhe e pashërueshme.
- Ç’të bajsh? Bota kështu asht: sy-sy e mendje-mendje.
- Njeriu, shtasa dhe bima jetojnë me njani-tjetrin, kanë ndjenja dhe dishira të përbashkëta.
- Nuk janë të gjitha punët si shkruhen.
- Me të vërtetë shumë njerëz, ndër çaste të vështira të jetës humbin mendjen e me të edhe nderin.
- Sot njeriu modern koncepton nji botë pa Zot, por jo pa shtet. Adhurimi i bahet shtetit e jo Zotit.
- Njerëzimi sundohet prej njerzve të dhunes, që nuk kanë mëshire as dashuni, por vetëm dëshirë të pangopun për lavdi e pasuni.
- Njerizimi mbetet gjithmonë i njajtë, gjithmonë budalla i paqortueshëm.
- Feja asht mâ e fortë në vorfni se në pasuni.
- Thonë se historia përsëritet. Edhe unë ashtu mendoj, por vetëm për të keq. Kohët e arta nuk përsëriten kurrë.
- Bota ka gjithfar qorrash: qorra sysh e qorra trush, që janë ma të verbtë se të verbtit.
- E keqja të ban me u bâ uk.
- Shinat e vjeshtës jo vetëm që zverdhin gjethet e bimëve, por me stuhitë e tyne ndërhyjnë në zemrat dhe ndjenjat e njerëzve në pergithsi,,
- Nata gjithmonë bjen vetëm mendime të zeza.
- Si asht e mundun që njerzit e mire, jo vetëm vuejnë tanë jetën, por edhe i mbysin pa faj? Ndërkaq njerzit e kqij, tiranët gjakatarët gezonë të gjitha te mirat! E jo vetëm sot ndodhë kështu, por gjate gjithë historisë së njerëzimit.
- Bota lavdon marritë.
- Të gjithë tiranët e historisë njerëzore kanë të njëjtat tipare. Ata shohin në çdo shërbëtor të tynin nji komplotist që u rrezikon jetën.
- Njeriu që nuk ka lirinë, nuk ka të drejtën e dëshmisë.
- Edhe andrrat ruhen nga spiuni.
- S’hyn kungulli në vrimë të miut.
- Na nuk jena bimë me rrâje që nuk shkulen; jena njerëz me kambë që lëvizin ku t’i çojë mendja që gjykon.
- Zoti nuk asht micë që me i nxjerrë çapojt sa ta prekish. Zoti asht i gjanë.
- Shamjet e fyemjet nuk i përmban asnji kod njerëzor: janë arma e të mundurit, e atij që nuk ia del me anë te logjikës të përqafojë fitoren: shamja e fyemja janë dhunë.
- …e shka nuk sheh në andra fukuraja i këputun ndër grahmat e fundit.
- Populli shpesh i shtrembnon e i zmadhon gjanat që ndodhin.
- Asht i mjerë ai popull që nuk ia del me zotnue bijtë e vet të kqij!
- Fotot e propagandës, aq të lakmueme mbeten prej të gjithë tiranëve të botës, për t’u dukë shka ata nuk janë, si miqté e vërtetë te popullit të vogël.
- Sot bota nuk dënon mashtrimin, por të mashtruemin.
- Miqësia e fëmijnisë mbetet e ngulun gjithmonë ndër zemrat tona.
- Ka lé friga para trimnisë.
- Ushtrija asht nji organizëm i verbtë, i pagojë e i pamend, i cili mbahet gjallë vetëm me veshë:Gatitu! Para! Mrapa! Urdhno!
- Proçesverbalet e giykatave komuniste kurrë nuk mund të merren për bazë të së vërtetës, mbasi janë të manipulueme me dhunë, terror, tortura e rrena. Ai historian që i merr për bazë, o asht servil i se keqes, ose i cektë nga giykimi.
- Dihet se lufta veç vorre djelmsh hapë e zemra nanash therë, por marrja në derë nuk durohet.
- Burri që asht burre ia len tjetrit dikund nji shteg çile.
- Ky popull asht mësue që, edhe me ia shtie opangën në gojë, nuk flet, as bërtet.
- Bamë gjumin e vdekjes me andrra të lirisë.
- Asht mâ burrni me falë se me marrë gjakun.
- Ka njerëz të mirë e njerëz të këqij, por jo popuj të mirë e popuj të këqij.
- Zoti e dreqi gjithmonë afër rrinë.
- Të gjithë njerezit i nënshtrohen dikuj, o me të mirë o me të keq. Apelone te liria ata që kundershtojnë ligjet e Zotit, por i ndigjojnë verbtas ligjet e urdhnat e njerëzve të poshtër.
- Asht zakon në jetë që, po ndërtove gjâsend perkohësisht, ashtu mbetet.
- Rruga e gjatë don shokë të mirë, perndryshej të mbyt jo vetëm mundi, por mâ tepër mërzia.
- A thue liria nuk kenkesh kurrgja tjetër, por vetëm nji mikrob iluzionar jetëshkatrrues?
- Mbrenda këtij “kloni” jetonin shiptarit, që kishin liri, në të shumtën e rasave, me u martue.
- Asht detyre para njerzimit me tregue marritë e njerzimit.
- Zot, sa i dijtun që je e i flet shpirtit të njeriut nëpërmjet barit e landéve, rranjet e tyne janë rruga e drejtimit te jetës sonë: shembull durimi ndër vuejtje e qendresë.
- Asht i marre ai që e jep librin, por edhe ma i marre ai që e kthen.
- Në botë nuk ka sekrete; q’ateherë që goja flet me nji njeri tjeter, n’at çast që veshët e shtien në në krye fjalën e ndigjueme, ajo krijon perziemje te madhe, të gërryen përmbrenda derisa të nxierret per gojet e jashte e tia ngjitesh nji tjetri ne sekret.
- Kafet e ngrohta në dite të ftohtë shijohen mâ tepër.
- Çdo gja ka masë: shka del jashtë mase asht budallek.
- I kjoshim falë atij të lumit që ka krijue vdekjen, se perndryshej njerzit do t’kishin me kenë gjithmone skllav të tiranve.
- Kush dvet, nuk tret, asht ajo shprehja popullore që zëvendson tabelat e qarkullimit.
- Rrugët të çojné deri në fund të botës, mjaft që të dijsh me i ndjekë.
- Shtazët e kanë ndjenjën e dashunisë ma të madhe se shumë njerëz te kësaj epoke, që e thrrasin “e kulmit te përparimit”
- Sikur të mos ishin sundimtarët nuk do të kishte as lufta.
- Të çmendun janë edhe ata që mendojnë me sundue të jerët, ata që mendojnë se nuk vdesin, ata që mendojnë se janë mbinjerëz.
- Njerzimi asht aq idiot sa persërit herë mbas here vedin: dëshiron lirinë dhe vendos edhe me votime skllavninë e vet.
- Ata që i kanë aftësitë ma të mëdha se të tjerët, nuk kanë të drejte te sundojnë mbi të tjerët e ti shfrytëzojnë.
- Kufijtë që ndajnë shtetet janë të damshme per shoqërite njerëzore: janë shkaktare të luftave kriminale. Bota pa kufij, ajo asht bota e re e nji njerzimi të mendshëm e jo barbar.
- Të gjitha diktaturat e të gjithë tiranët kanë qejf me u mshehë mbas ligjshmerisë.
- Ka vetëm një njeri, e ky njeri asht i të gjithë botes.
- Gabimisht popujt e shkrete mendojnë se kur nji njeriut i jepet pozita e naltë e fuqisë shtetnore, ai pajiset patjetër me të gjitha vetitë e mira që duhen, e sidomos me dije e me urti.
- Pozita e naltë i mbështjellë me nji vel të shkëlqyem te gjithë njerzit: edhe të paaftin.
- Ajo që shifet, ma pak kontrollohet.
- E ku t’i merrshin familjarët e shkretë ato sende për me plotsue nevojat tona? Burgu ishte po aq i randë edhe për familjet që mendojshin me i nxjerrë gjallë njerzit e vet të dashtun.
- Mbi tokë ndodhin mrekulli, por duhen dallue se cilat janë të Zotit e cilat të Djallit.
- Uria dhe instikti për ruejtjen e jetës ia dalin me perkulë edhe njerzit me karakteret mâ të forta
- Kishim mbrrijtë në atë gjendje që nieri dishron vdekjen, ndërsa ajo, si për inat, nuk vjen.
- Zoti, me mëshirën e vet, nuk i përbuz të ligjtit e mkatnorët, ai nuk i detyron të gjithë njerëzit për heroizëm.
- I gjalli ka kohë me u koritë e me u turpnue, por ka kohe edhe me u nderue.
- Çdo dhunë pa ligi asht krim ndaj shoqnise.
- Shkollat janë ato që përgatisin udhheqsat e kombit. Në kjoft se i shuejmë këto, i kemi ba atentat jetës e përparimit të kombit: nji komb pa udheheqsa të pregatitun, kurr nuk do të përparojë.
- Politikanët që e shfrytëzojnë rininë studentore si mish për top, ata nuk janë të ndershëm.
- Arsimtari e ka për detyrë me i rranjosë studentit dashuninë për atdhenë, por arsimi nuk asht politikë dhe as nuk duhet t’i shërbejë kurrnji rrymë.
- Nieriu prej torturash e pranon at rrenë e cila damton vetëm veten dhe jetën e vet. Tortura asht shteg i vshtirë, por jo kurrë nuk pranohet kur mbaron ¡eten e tietrit.
- Po të kishem fuqi me rezistue, edhe aty i varun ne pjeshkë dojshem me jetue.
- Revolucioni asht një ulkonjë që han bijt e vet.
- E gjithë historia njerzore asht dhunë e dashuni.
- Si asht e mundun që njeriu i shek. XX, në kulm te qytetnimit material, te jetë po aq barbar sa ai i 40 shekujve perpara?
- Jeta duhet marre ashtu si vien e jo ashtu si e dishirojme na.
- Tash ka ardhë koha e horave: nuk pin uje ma as i dijshmi as i mendshmi.
- Jeta ka shume plagë: megjithktë asht jetë.
- Jeta e njeriut asht 40 vjet gjalle e 20 vjet mbas vdekjes, mandej: rrnofte harresa e përhershme.
- Politika asht politike! Të gjithe ujgit, gakajt, qente, dhelpnat, orlat, janë ne nji mendje qe te mbytet cjapi, por ngatërrohen mandej mes vedit se kush ta hajë, kush të marre copën mâ te majme.
- Historia nuk asht gjithmonë ajo që shkruhet e mësohet. E verteta rrin e ndryeme nder kasaforta arkivale me shumë çelsa sekretë.
- Nuk na sjell lavdi lashtësia, ne qofte se nuk jemi te gytetnuem.
- Kurrë s’e kam kuptue se si nji popull i vogël si shaiptarët ka mujt me nxjerr kaq shumë rrugaça.
- Deri aty kish vote puna: me ia pasë lakmi nji te marri.
- Dashnia nuk vendoset me dhunë.
- Ah dashuni, vetëm ti duhet te sundosh botën. Vetëm ti mund t’i zbutish kafshët e egra.
Ndërsa përkujtojmë këtë përvjetor të rëndësishëm, “Votra Magazine” i inkurajon lexuesit të reflektojnë mbi thellësinë dhe rëndësinë e urtësisë së At Zef Pllumit në botën e sotme. Fjalët e tij na kujtojnë se, edhe përballë vështirësive, ekziston fuqia e dashurisë, shpresës dhe kërkimit të lirisë. Përmes këtij homazhi, “Votra Magazine” vazhdon përkushtimin e saj për të festuar dhe ruajtur trashëgiminë kulturore dhe intelektuale të Shqipërisë, duke ia përcjellë atë brezave të ardhshëm.