Një përmbledhje e poezive frymëzuese nga poetë shqiptarë që shprehin dashurinë dhe krenarinë për Atdheun, Shqipërinë tonë të dashur
Atdheu është vendi ku kemi lindur, nga e kemi origjinën, ku kanë lindur prindërit apo gjyshërit. Kudo që të jesh sot me vete mbart në thellësitë e dyerve të shpirtit apo të ndërgjegjes një pjesë të kujtimeve, dashurive, jetës, që herë pas here përkthehen në formën e mallit.
Në të gjitha gjuhët e botës fjala “atdhe” lidhet me vendin e lindjes, të origjinës së prindërve dhe gjyshërve, aty ka kanë lerë e jetuar të parët tanë.
Poezia është aftësia për ta shprehur në vargje këtë dashuri, mall, kujtimet.
Sot “Votra Magazine” sjell për lexuesit poezi për atdheun të autorëve tanë.
Duke imagjinuar që sapo jeni kthyer nga pushimet në atdhe, apo sa jeni shmallur me njerëzit tuaj të dashur, një thënie e Naim Frashërit: “Dashuria për atdheun lind nga dashuria për familjen” bën lidhjen me qëllimin tonë, leximin dhe shijimin e këtyre vargjeve.
Poezi kushtuar Atdheut
Naim Frashëri – Atdheu
O Atdhe!
Më je i dashur sa më s’ka
Më je nënë, më je motër, më je vlla
Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je,
Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhé.
Ty përditë të pat parë ime nënë,
Dheu yt në fund atë e pati ngrënë.
Nëmëruar t’i pat lulet syri i saj.
Te ti lindi, te ti vdiq ajo pastaj.
Ti i ke parë gjysh stërgjyshërit e mi,
Edhe eshtërat tretur ua ke po ti.
Nga ti, o shpirt-o kurrë s’qenë ndarë.
Pranë teje patën qeshur, patën qarë.
Nëna ime vdiq, ndaj ty të kam sot nënë,
Nënë që s’ke vdekje kurrë, faqehënë,
Numri prapë në vend mbetet kurdoherë.
Begatoje, o Zot, ti këtë vend!
Epu njerëzve të tij ti mbroth e shend!
Hi u bëfshin gjithmon’ armiqtë e tij!
Gas përjetë paçin zotërit e tij!
I begatë, i lulëzuar qoftë ai,
Një të ardhme pastë plot me lumturi!
Çajupi – Mëmëdheu
Mëmëdhe quhetë toka
ku më ka rënurë koka,
ku më ka dashur mëm’ e atë,
ku më njeh dhe gur’ i thatë,
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshet ku kanë qënë
dhe varret që kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime,
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur ku kam qarë,
ku rroj me gaz e me shpresë,
ku kam dëshirë të vdesë.
Asdreni – Sa të dua o Shqipëri!
Sa të dua, o Shqipëri,
sa me mall ndiej e sa dëshirë,
për ty gaz e dashuri
mu në zemër më ka mbirë!
Se për mua, o Atdhè,
je një lule aq e vyer,
sa nuk gjendet përmbi dhè
shpirtin tim për të ushqyer!
Hilë Mosi – Mall
Vend i dashtun , ku un’leva,
Sa sa her’ me mall t’kujtoj!
Kurr si sot dashtni nuk ndjeva,
Shum’ Shypni, un’ ty t’dishroj!
Shpesh kujtimet m’shkojn’ te shpia,
Ku me mall e shkush fmininë,
Zemrën krejt ma grin dashtnia
E prej mallit mrend po zin.
Ah, at’ votër kur kujtova,
Ku qark saj un’ jam rrethu…
Dy tri pika lot i lshova,
Ktu n’kët vend ku jam mërgu.
Kur ma thell’ jam shty n’mendime
E mjerimin kam kujtu…
Ikne, ikne ç’pata gzime,
Zemra faret m’u coptu!
Gjergj Fishta – Shqypnija
(fragment)
Edhè hâna do t’ a dije,
Edhè dielli do t’ két pá,
Se per qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká
Mbi ato male e bjeshkë kreshnike
Léjn mande’ ata djelm si Zâna,
Armët e t’ cillvet, p’rherë besnike,
Janë permendë nder fise t’ tana.
Atje léjn, po Toskë e Gegë,
Si dý rreze n’ flakë t’ nji dielli:
Si dý rrfé, qi shkojn tue djegë,
Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli.
Shkundu pluhnit, prá, Shqypní
Ngrehe ballin si mbretneshë,
Pse me djelm, qi ngrofë ti n’ gjí,
Nuk mund t’ quhesh, jo, robneshë
Kaq të bukur, kaq të hieshme
Perendija t’ fali i Amshueshem,
Sá ‘dhe deka âsht per tý e shieshme:
N’ gjí t’ and vorri âsht i lakmueshem.
Po, edhè hâna do t’ a dije,
Edhè dielli do t’ két pá,
Se per qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká !
Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí
Për jetë t’ jetës të rrnoftë tý ndera.
Filip Shiroka – Shko Dallëndyshe…
Udha e mbarë se erdh pranvera,
shko, dallëndyshe tue fluturue,
prej Misirit n’dhena tjera,
fusha e male tue kërkue;
n’Shqipni shko, pra, fluturim,
shko në Shkodër, n’qytetin tim.
Shëndet prej meje të m’i falësh
saj shpisë vjetër ku kam le,
me ato vende rreth t’përfalesh,
ku kam shkue kohën e re;
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet qytetit tim.
Me ato male, me ato kodra,
me ato prroje rreth t’përfalesh
n’ato fusha që m’ka Shkodra
të lulzueme, aty t’ndalesh;
tue kndue me ambëlcim,
fal me shndet qytetit tim.
T’mujsha dhe un’ me fluturue
dojsha dhe un’ me u nisë me ty,
dojsha n’Shkodër me kalue,
m’e pa prap at’vend me sy!
Por… ti shko atje… fluturim
e ti qajma fatin tim.
Mitrush Kuteli – Të falem ty
(fragment)
Të falem ty, o gjuhë-shkëmb,
me rrënjët thellë në shkëmbenj,
që çave qiellinkur t’ u vrënj
dhe shembe bisha e shtërpënj,
po mbete prapë:
shkrep e shtëng:
të falem, gjuhë shkrepëtim,
që shkrep në qiej e vrungullon,
me bujë pyjesh bubullon,
me gjëmë detesh uturon,
dhe je, siç ishe:
vetëtim;
të falem ty, o gjuhë – hoj,
ty, zëth i nënës – qetësi,
ty, këngë e foshnjës – kaltësi,
ty afsh’ i zemrës – dashuri
gjithmon e ëmbël
mjaltë zgjoi.
Të falem ty o gjuhë e fisit tim,
siç nuk i falem asnjë perëndi –
se tempull i përjetshëm më je ti,
dhe ti mburoje nëpër mot të zi
ti, dritë e krirtë nëpër errësi,
ti, perëndi, që nuk ke perëndim.
Fatos Arapi – Atdheu
Atdheu është dhembje, është dhembje,
Një prill i pikëlluar në shpirt.
Atdheu është kryqi, është kryqi.
E mban – edhe të mban ty – në shpirt.
Atdheu është toka e premtuar.
Ti shkel si një zot dhe s’e ke ndën këmbë.
Atdheu s’ka fjalë, ka sy të trishtuar.
Vdes dashuria në dashuri që të çmend.
Atdheu është buka e uritur:
Të ikën nga duart e dot nuk e ngop
Ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur.
Me sytë n’errësirë vetveten kërkon.
Atdheu është varr i hapur, është varr.
Një jetë drejt tij shkon me besë që bind.
Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë.
Në një pikë loti lirinë e lind.
Atdheu yt i vogli, i vogli,
ai hyjnori, i pavdekshmi – loti.
Ali Podrimja – Unë, Biri Yt, Kosovë
Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta
e të shpërthej do si vullkan:
-më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt.
Martin Camaj – Vendit tem
Kur të vdes le te bahem bar
në malet e mija në pranverë,
në vjeshtë do të bahem farë.
Kur të vdes le të bahem ujë
e fryma eme avull,
në fusha do të bie si shi.
Kur të vdes le të bahem gur
në skajin e vendit tem
të qëndroj në kufi.