Eurovisioni mbaroi, por la pas pakënaqësira dhe vend për interpretim…

Suedia është shpallur fituese e Eurovision 2023, që u mbajt në Liverpool të Anglisë.
Ajo ka mbledhur plot 583 pikë duke arritur ta fitojë kështu edhe këtë edicion.
Në vend të dytë u rendit Finlanda, në vend të tretë Izraeli, në vend të katërt Italia si dhe në vend të pestë Norvegjia.


Shqipëria ndërkohë mblodhi gjithsej 76 vota, ndërsa u rendit në vendin e 22-të nga 26 vende përfaqësuese në Eurovizion.
Albina dhe Familja Kelmendi bënë një performancë dinjitoze, mirëpo kjo nuk ka mjaftuar që të kenë një renditje më të mirë, ndonëse pritshmëritë ishin të mëdha.
Reagimi i parë për këtë rezultat zhgënjyes ka ardhur nga bashkëshorti i Albinës, Valon Vataj sipas së cilës ky festival nuk ka më vlera.
“Politika triumfoi si zakonisht kundër trojeve shqiptare. Eurovision nga aspekti profesional e njerëzore nuk ka me vlera! Familja ime është fituese e ruajtjes se vlerave muzikore e kombëtare”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Nga pjestarët e tjerë të familjes nuk ka ende asnjë reagim.


Këngëtarja suedeze Loreen me këngën “Tatoo” ka bërë histori në konkursin e këngës, pasi bëhet artistja e parë femër që triumfon dy herë në Eurovision.
Loreen ia ka dalë edhe në vitin 2012 me këngën “Euphoria”.


Fitorja e Loreen bën që Suedia të barazojë Irlandën si shtetet që e kanë fituar më shumë kompeticionin muzikor, plot 8 herë secila.
Top 5 vendet e para janë:

  1. Suedia | Loreen – Tattoo
  2. Finlanda | Käärijä – Cha Cha Cha
  3. Izraeli | Noa Kirel – Unicorn
  4. Italia | Marco Mengoni – Due Vite
  5. Norvegjia | Alessandra – Queen of King

Nga ana tjetër, fansat e Eurovisionit kanë akuzuar konkursin e këngës se manipuluan me rezultatin për të lejuar Suedinë të fitojë.
Thuhet se organizatorët orkestruan fitoren e Loreen në mënyrë që Suedia të organizonte vitin e ardhshëm që përkon me 50 vjetorin e fitores së grupit ABBA.
Grupi suedez, ABBA, ishin pjesëmarrës në Eurovision Song Contest 1974 me Waterloo dhe Bjorn, Benny, Agnetha dhe Anni-Frid, të cilët edhe u shpallën fitues.
2024 shënon saktësisht 50 vjet nga fitorja e tyre, me shumë njerëz që presin që grupi të performojë në konkursin e vitit të ardhshëm.

Back to top button
Verified by MonsterInsights