Vanushja ime e shtrenjtë,
Eshtë një orë e pazakontë për të shkruar dhe, akoma më e pazakontë, për të shkruar një letër për ty. Rëndom, me shtimin e fëmijëve dhe rritjen e tyre, vendin e dikurshëm të letrave tona e zunë mesazhet operative në celular – lista monokolonë porosish për tranguj, domate, karota, bukë, ilaçe, pije e ushqime të tjera – të vetmet “pusulla dashurie”.
Ora po i afrohet katrës së mëngjesit. Bëra kontrollin e zakonshëm në dy dhomat ku flenë fëmijët tanë: si gjithmonë, jorgani ka shkarë ose e kanë hedhur mënjanë. Qesin shqelma përgjumësh ata… se s’bën… Tërë shtëpia jonë, me pikëzimet e buta shumëngjyrëshe të dritave zbukuruese të festave të fundvitit kundërmon gjumë të thellë dhe ëndrra.
Konturet e orendive, edhe ato të tulatura në përgjumje, ngjajnë si ndoca magë të përralltë. Është bash ora kur shfaqen ëndrrat “profetike”. Temperatura ka zbritur në 12 gradë. Por kam ndezur oxhakun tashmë. I pastruar nga hiri, brenda xhamit të oxhakut përpëliten e kacafyten gjela flakësh të vrullshme. Shpejt nxehtësia do të thithet nga dhomat ku flini ju, temperatura do të ngrihet, ndërsa unë do të ruaj zjarrin, ta mbaj gjallë, derisa fëmijët të ngrihen si të pirë nga gjumi, me sytë plot sklepa.
Tani që po të shkruaj, jashtë po bie sërish dëbora që pati nisur në mbrëmje. E vetmja, e rralla, dëbora e sivjetshme, qe si një shpërblim bujar për fëmijët, që na luteshin, na përgjëroheshin t’i çojmë në Dibër (sidomos Shendi) këto ditë të zgjatura e të detyruara pushimesh. Nesër i nxjerrim sërish “të dehen” me bardhësinë e butë, përpara se ajo të shkrijë.
Vanushe e dashur,
Teksa vërtitem si një shaman mes “perandorisë” sonë të vogël, të përpirë nga gjumi, ndiej se sa vështirë do ta kemi, sa gjatë, dhe sesa varet ajo prej nesh. E qetë dhe e shqetë, gazmore e problematike, çlodhëse e acaruese, shpërblyese e sizifiane, kjo “perandoria” jonë e vogël na i përpin, në fakt, na i thith e i shteron energjitë tona çdo ditë, por ama, dashurisht, mallëngjyeshëm, “me pambuk”. Epo, me sa duket, zemër, kjo është Jeta, me gjasë, e zhveshur nga metafora e për të cilën, dëgjova mbrëmë nga një film të thuhet një frazë patetike e kuazifilozofike: “Jeta është luftë dhe varet se cilin ke zgjedhur në krah për ta përballuar”. Me siguri, ti do të kishe prishur buzët me tallje, por unë po abstragoj nga forma për hir të thelbit të saj të vërtetë. Sa për meditim.
Të kujtohen kohët e para të lidhjes sonë? S’kishim asgjë, përpos vetes tonë. Nga tarraca e kafe-restorant “Begeja” (ka qenë pranverë e vitit 2002), duke kundruar panoramën që hapej, me një pyll të lartë e të dendur pallatesh, të thashë:
– A s’të vjen çudi, Vanush, që nga këto mijëra e mijëra pallate, në asnjërin prej sosh nuk ka një apartament tonin?
Dhe përgjigjja jote:
– …Po nga gjithë ky lumë i pandërprerë makinash, atje poshtë, s’të duket çudi, që asnjëra s’është e jona?
Tani i kemi të gjitha këto dhe kjo habi nuk është më aktuale. Tani, të zhytur kokë e këmbë në një realitet tjetër, merremi jo me artin e habisë, por të harmonizimit të situatave, artin e kontrollit të tyre, ruajtjen e ekuilibrit të njëri-tjetrit në rrethrrotullimin marramendës të ditëve të ngarkuara me kundërgoditje. …Si atëherë kur ty të kosit lodhja e shembesh në divan. Si atëherë kur të gjej pasmesnate në studio, me kokën e fjetur, rrëzuar mbi tastierë. Si atëherë kur të gjej të dëshpëruar e të pafuqishme nga shkumëzimi i panënshtrueshëm i fëmijëve në orën e tyre të marrëzisë. Na duhet të përsosim një art, kryesisht fashitës, zbutës, shtensionues midis egove të brishta e lehtësisht të cenueshme të fëmijëve tanë.
Të vegjlit janë kokëngjeshur, të egër, bishëza të vogla, të dashura, acaruese, të dhembshura. Na duhet, veç të tjerash, të shpikim, të përftojmë përvjedhtazi edhe romantikën tonë. Le të vazhdojmë t’i dërgojmë njëri-tjetrit mesazhe të fshehta: “Ke mundësi me u përvjedhë, pa rënë në sy, sa për një takim 10 minutësh në kafe, poshtë pallatit?”. Dhe sigurisht, për 10 minuta, perandoria jonë e vogël nuk kanoset të shembet nga kryengritjet e rebelimet e brendshme. Atje, midis tyre, e dimë, nuk e sosim dot deri në fund asnjë fjali nga ndërhyrjet e shumta. E ke menduar? Kjo ka ndikuar, me sa duket, në stilistikën e komunikimit në shtëpinë tonë: e ke vënë re që te ne flitet me fjali të shkurtra, njërrokëshe, imperative? Na duhet të sajojmë truke të reja…
Habitem, Vanush, si fluturuan kështu 15 vite të jetës sonë familjare. Më duket si të ishte dje. Sikur ende nuk e kemin filluar atë më të madhen, kulmin, të qenët i ngopur me ty… dhe ti je po aq e mrekullueshme, po aq e freskët, po aq e bukur dhe shpirtërore, sa në njohjen tonë të parë, kur unë nuk ngopesha duke të parë, derisa thashë atë frazën profetike: “Ti ke fytyrën e nuses sime të ardhshme…!”
Me ty ia vlen, Vanushe… me ty i dilet mbanë kudo dhe kurdo.
Agron Tufa
11 janar 2017