4 vjet punë të OJQ LABEATËT

 

‘’Gjatë këtyre viteve nuk kemi lënë vend pa shkelur, porta pa hapur dhe dritare pa çelur. Kjo na bën të ndihemi mirë, por na bën krenarë, nëse kontributi ynë bëhet pjesë e çdo shqiptari’’!


Disa fjalë për OJQ “LABEATËT”:

OJQ “LABEATËT” u themelua më 01. 02. 2013, në Tuz të Malësisë së Madhe (Mali i Zi), për qëllime të ruajtjes, avancimit, mbrojtjes, promovimit dhe përkujdesjes së trashëgimisë natyrore, gjeografike dhe kulturore e historike të hapësirës gjeografike në të cilën jetonte fisi labeatët.
Stafin e OJQ “LABEATËT” e përbëjnë: Luigj Camaj, Anton Lulgjuraj, Anton Pllumaj dhe Bernard Hasanaj.
Anëtarët e shoqatës janë: Amina Nikaj, Emin Nikaj, Nosh Lucaj, Gjergj Martin Dushaj, Gjekë Gjokë Ulaj, Bert Berishaj, Aleksandër Vulaj, Dorontinë Berishaj, Pashko Micakaj, Nikë Berishaj, Toni Lucaj, Arben Gjurashaj, Xhemail Maliqi, Robert Vulaj, Mark Kalaj, Nikollë Gjokaj, Robert Bojaj, Leonard Junçaj etj.
Pse shoqata jonë u emërtua me emrin “LABEATËT”?
Labeatët ishte njëri nga fiset më të forta dhe më luftarake ilire.
Për arsye se ne u lindëm, jetojmë dhe veprojmë në atdheun e labeatëve.
Për arsye se labeatët lanë një histori, trashëgimi dhe gjurmë të pashlyeshme në këto troje.
Për arsye se në kontuinitet historik kjo trevë banohet nga njerëzit e të njëjtit gjak dhe të  së njëjtës gjuhë.
Për arsye se ne duam ta promovojmë të kaluarën dhe të sotmen tonë.
Sepse duam të dëshmojmë se ishim, jemi dhe do të jemi këtu.
Sepse bima pa rrënjë dhe shtëpia pa themele shpejt rrënohen, kurse me këtë emër dëshmojmë se kemi rrënjë dhe themele dhe se do të qëndrojmë në këmbë dhe nuk do të përkulemi.
Emërtohemi Labeatë se të parët tonë na lanë kala e kulla të shumta: Rozafatin, Samoborrin, Gjytexën, Obllunin, Kaldrunin, Medunin…
Sepse na lanë liqenin me të njëjtin emër…Lacus Labeatis.
Sepse këtu dikur shtrihej mbretëria e mbretit të famshëm, Gentit.
Sepse areali i labeatëve e meriton një përkujdesje të veçantë, së paku në këtë mënyrë si e bëjmë ne.
Sepse labeatët janë krenari, forcë, besim dhe shpresë.
Sepse është emër që lehtë mbahet mend dhe thekshëm tingëllon. 

Cilat janë qëllimet dhe veprimtaritë tona:
– Hulumtimi i trashëgimisë natyrore, gjeografike dhe kulturore e historike.
– Shënimi dhe regjistrimi i monumenteve.
– Publikimi dhe promovimi i vlerave natyrore dhe kulturore monumentale.
– Promovimi i vlerave turistike të natyrës së ndryshme.
– Fotografimi dhe incizimi i trashëgimisë së llojllojshme.
– Shënimi i shtigjeve deri te destinacionet për vizitorë.
– Që të gjitha këto t’i shprehim përmes ekspozitave të fotografive.
– Përmbi të gjitha, ta rrisim vetëdijen te qytetarët e Malësisë së Madhe, për ruajtjen dhe përkujdesjen e trashëgimisë sonë.
OJQ “LABEATËT”, deri tani kanë vizituar pjesën më të madhe të Malësisë së Madhe nën Malin e Zi, duke e përshkruar në aspektin gjeografik dhe në aspekte të tjera. Deri tani ka zhvilluar mbi 118 ekspedita njëditore, të cilat u përshkruan dhe u ilustruan në mënyrë adekuate me fotografi dhe me video. Me ekspedita janë përfshirë: Liqeni i Labeatëve (Shkodrës), Samoborri, Gjytexa, Pllanica, Bratila, Drumja, fshatrat e Traboinit-Hotit, Deçiqi, Ksheva, Gurreci, kanioni i Cemit, fshatrat e Grudës, Suka, fshatrat e Trieshit, Koja, bjeshkët: Kazheniku, Gozdeci, Korita, Koshtica e Kojës dhe e Trieshit, Greça, Akulli i Ledinës. 
Nga trashëgimia natyrore OJQ ‘’LABEATËT’’ deri më sot kanë lokalizuar, evidentuar dhe vizituar për mbi 100 shpella në territorin e Malësisë së Madhe në Malin e Zi. Në vitet 2014- 2015 zhvilloi shtatë ekspedita me qëllim hulumtimi në fushën e speleologjisë. Me aktivitete hulumtuese për këtë herë u përfshinë këto objekte speleologjike:
1. Shpella e Macës, Sukë (Grudë), 
2. Shpella e Dobrienit, Gurrec (Grudë), 
3. Shpellat ( Bigat ) e Gjokës, (Traboin, Hot), 
4. Shpella e Skorafçit – humnerë, (Maçaj – Traboin, Hot), 
5. Shpella e Vukal Pjetrit – humnerë, (Gozdec, Triesh).
6. Shpella e Lugjeve të Thella – humnerë, ( Traboin, Hot ).
7. Shpellat (Bigat) e Prëkut, ( Lugje të Thella – Traboin, Hot).
Si zakonisht në aspektin e hulumtimeve speleologjike “LABEATËT” bashkëpunojnë me speleologun Xhemail Maliqi, me origjinë nga Kosova që jeton në Saint Gallen në Zvicër. Xhemaili si edhe gjatë viteve të tjera i është përgjigjur ftesës sonë dhe për këtë qëllim ka rezervuar disa javë, gjatë së cilave u realizua plani i parashikuar. Për këto veprime janë përdorur mjete dhe pajisje adekuate të cilat speleologu i ka sjellë me vete nga Zvicra e me disa pajisje disponon edhe alpinisti ynë, Arben Gjurashaj. Objekti më i madh speleologjik në komunën urbane të Tuzit është Shpella e Macës në Sukë të Grudës. 
Nga trashëgimia kulturore e historike janë evidentuar me dhjetëra fortifikime ilire, më se 100 tuma (varreza) ilire dhe më se 30 rrënoja kishash.
OJQ “LABEATËT” zhvilloi ekspedita edhe jashtë Malësisë, si në Zarë të Kroacisë, Ulqin: Shas, Tivar: Rumi, Lisin. Në Republikën e Shqipërisë: në zonën e Kelmendit: Vermosh, Lëpushë, Tamare, Elbasan etj.
Me mbështetjen e Fondit për Pakica të Malit të Zi, gjatë muajit gusht dhe shtator të vitit 2014, OJQ “LABEATËT” realizoi tri ekspozita: Ulqin, Tuz dhe Plavë – Guci. Së bashku me shoqatën OSHTIMA nga Tirana realizoi projektin “Një libër për Tuzin” më të cilin i dhuroi Gjimnazit të Tuzit 250 libra. Në bashkëpunim me shoqatën ‘’Fryma e Kelmendit’’ me mbështetjen e VIS Albania dhe Fondit Zhvillimor të Shqipërisë gjatë korrikut të vitit 2015 organizuam edhe guidën e parë turistike në trojet e Malësisë. OJQ “LABEATËT” në bashkëpunim me QKI Malësia në Tuz organizoi dy ekspozita, në vitin 2015 ekspozitën me temën; ”Trashëgimia Natyrore e Malësisë’’ dhe në vitin 2016 ekspozitën me temën; ‘’Identiteti i malësorit përmes simboleve’’. Prej qershorit të vitit 2013 organizon shtegtimin tashmë tradicional për në Greçë, me rastin e shënimit të Kuvendit – Memorandumit të Greçës 10-23 qershor 1911. 
Kemi bashkëpunuar me shoqata të ngjashme nga trojet shqipfolëse: Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Lugina e Ulqini. Janë bërë mbi 100.000 fotografi të trashëgimisë natyrore, gjeografike dhe kulturore e historike. U incizuan disa qindra videoklipe. Janë punuar rreth 100 reportazhe dhe filma dokumentarë të cilët janë emituar në youtube.

Gjatë mandatit katërvjeçar “LABEATËT” kanë kaluar pjesën më të madhe të territorit të Malësisë, rrugicat dhe shtigjet e kapërcejtë nëpër të cilat me shekuj kanë rrugëtuar të parët tanë. Në e ndiejmë veten të privilegjuar që kemi rastin ta përjetojmë të kaluarën e lavdishme, historinë e gjallë. Kjo na bën të ndihemi mirë, të jemi krenarë, por dhe na obligon që të punojmë më shumë dhe të japim kontribut ne që këto përjetimet tona të jenë pjesë e përjetimi të çdo malësori e pse jo edhe çdo shqiptari.
Sponsori medial i OJQ “LABEATËT” është “TV Boin”-i, me të cilin zhvillon bashkëpunim të shkëlqyer. Raporte të mira bashkëpunimi zhvillohen edhe me portalet Malësia.org., http://shqiperiaebashkuar.al/ , si dhe me ILIRIA Tv – Arizona, SHBA. 
OJQ “LABEATËT” funksionon falë ndihmave financiare dhe materiale nga diaspora. Mbështetësit më të mëdhenj financiarë janë Shoqata Malësia e Madhe nga Michigan-i, Shoqata Malësia e Madhe nga New York-u, grupe qytetarësh dhe individë, numri i të cilëve është i madh pa ndihmën e të cilëve OJQ “LABEATËT” as që nuk mund të funksionojë. Mbështetje financiare, materiale dhe morale po ashtu kemi edhe nga një numër i konsiderueshëm individësh nga Malësia. Do mbeteshim borxh sikur mos ta përmendja z. Don Gabriel Grabanica, famullitar në Braticë e Kullomzë (Ulqin) i cili për vite me radhë na ka mbështetur në mënyrë morale, materiale dhe financiare.
OJQ “LABEATËT” pretendojnë që çdo pëllëmbë e Malësisë, por edhe më gjerë të shkelet me këmbë, të fotografohet, incizohet dhe të përshkruhet në aspekte të ndryshme. Malësia nuk është e hulumtuar në aspektin gjeografik, historik, kulturor dhe për këtë arsye veprojmë si organizatë. Planet tona janë të shumta, si organizimi i seminareve, kurseve dhe formave të tjera të punës. Në këtë mënyrë ne do t’i ofrojmë informacionet deri te qytetari ynë dhe ta rrisim vetëdijen për ruajtjen, mbrojtjen, avancimin, kultivimin dhe përkujdesjen për trashëgiminë tonë të larmishme. 

’Mos shiko çka ka me ba për ty atdheu, ma mirë pyet veten çka mundesh ti me ba për të’’ … J . F . Kennedi.


ASPEKTE ARKEOLOGJIKE TË “LABEATISË” – Anton Lulgjuraj, magjister i arkeologjisë pranë Qendrës për Studime Albanologjike , Tiranë. Pjesëmarrës i disa gërmimeve arkeologjike në Shqipëri, Kosovë dhe në Mal të Zi. 
Fisi Labeatët është një ndër fiset ilire më të fuqishme dhe më të njohur në botën antike. Këtë fis ilir na e bëjnë të njohur shkrimtarët antikë, Tit Livi dhe Plini. Këta autorë e përmendin Shkodrën si kryeqytet të Labeatëve dhe gjithashtu Meteonin (Meduni i sotëm) si qytet Labeat, në të cilin ishte strehuar familja e mbretit Gent gjatë luftës me romakët në shek II p.e.r. Sipas shkrimeve antike, Labeatët jetonin rreth liqenit me të njëjtin emër, Lacus Labeatus. Si kryeqendër të vetën kishin Shkodrën dhe qytet tjetër të rëndësishme siç ishte Meteoni. Vendi në të cilin mbas humbjes që pësuan ilirët në Shkodër u strehua familja e mbretit Gent, prijësit të shtetit Ardian.Në zotërimin e Labeatëve duhet të ketë qenë e gjithë zona përreth liqenit të Shkodrës dhe gjithë fusha e Zetës deri në Podgoricë, te lumi Moraçë kufizohej me fisin e Dokleatëve. Po ashtu brenda kësaj zone duhet të jetë shtrirë e gjithë rrethina e Shkodrës deri tek Olcini antik (Ulqini). Sikur në territorin e Shqipërisë e po ashtu edhe në Mal të Zi gjenden edhe vendbanime të tjera labeate, të cilat kishin funksion banimi apo mbrojtjeje.Këto vendbanime janë të tipit të fortifikuar me mure të fuqishme të ngjashme me stilin e fortifikatave helenistike dhe gjinden nëpër maje kodrash. Në territorin e shtetit të Malit të Zi më të njohurat janë Kalaja e Samoborrit në veri të liqenit të Shkodrës. I ngjashëm me këtë vendbanim është kështjella e Obllunit në veriperëndim të liqenit të Shkodrës dhe Gjytexa përmbi fshatin Dinoshë. Edhe në Republikën e Shqipërisë njihen disa vendbanime të tilla si Kodra e Moksetit në lindje të liqenit të Hotit, kalaja e Gajtanit në verilindje të qytetit të Shkodrës, si dhe Beltoja pranë qytetit të Shkodrës. Këtyre vendbanimeve mund t’u shtohet edhe një vendbanim i tipit të hapur fushor, i zbuluar në fshatin Gostil, në fushën e Zetës, në të cilin në vitet 60’ arkeologët gjetën një sasi të madhe të bizhuterisë dhe enëve të luksit me prejardhje greke, më çfarë dëshmohet se popullata labeate ka bërë shkëmbime mallrash gjerësisht me tregjet e botës mesdhetare të asaj kohe. Si përfundim mund të thuhet se fisi Labeat ka qenë fisi i cili ka luajtur një rol aktiv në historinë e mbretërisë ilire. Ndërsa territori i këtij fisi ka qenë bërthama e krijimit të shtetit ilir me qendër në Shkodër, për të cilën më së miri dëshmojnë të dhënat historike dhe arkeologjike. 
“Labeatët” premtojnë se traditën e filluar do ta vazhdojnë, se viteve të tjera do të na bashkëngjiten të pasionuar të tjerë mbas trashëgimisë sonë natyrore dhe kulturore e historike’’… sepse ka shumë udhëtime që duhen bërë; shumë legjenda, mite, mistere, mrekulli e bukuri magjepse, që presin për t’i zbuluar dhe natyrisht, shumë adrenalinë…

Me respekt


OJQ ‘’LABEATËT’’, Tuz 81206, Malësi e Madhe (Mali i Zi)


Tel. Kontakti:
+38269092246
+38269400411
+38269232779

+38269866550 

e-mail: labeatet@gmail.com 
Fq. Facebook: OJQ Labeatet

 

Anton Pllumaj

 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*