Votra

Votra është djep prushi pranë oxhakut, është vendi ku lind e zhvillohet më sublimja, njerëzorja, jeta e njeriut dhe kujtimi i pashuar për të. Është vendi prej nga vjen a përhapet diçka, si me flakë në erë të furishme, është burimi i të gjithë motivimit për shërbim ndaj traditës dhe ndaj së resë, është vendi a pika që tërheq vëmendjen më të madhe për atdhedashësit. Është djepi dhe ҫerdhja e të parë. Ashtu në vendin pranë oxhakut, në themelet e votrës së shtëpisë, shtruar me rrasa guri, aty ku ndizet zjarri, në thesarin e ҫmueshëm të trashëgimisë, Votra i mbledh të gjithë njerëzit e shtëpisë, të gjithë ata që e duan me shpirt e me prush, ata që e mbushin sofrën e votrës së tyre. Aty rreth saj, secili mund të ulet në krye, në sofrën e votrës së përbashkët.

Tradita

Aty ku mblidhen njerëzit, rreth oxhakut me prush shpirt njeriu, në mes, me prush druri të kodrinës afër, të malit mangallë në rrëzë, si kudo tej në viset shqiptare, aty në prehrin pranë votrës, dikur me zjarr kuvendesh për atdheun, aty zë vend fjala për ditën që agon, për miqësinë e re, për martesën e trashëgiminë, për dertin e fisit e për krenarinë e plisit. Aty ku vlon kafeja mbi prushin në mangall, aty ku shtrohet sofra me bukën simbolikë e mirëqenies krijuar me djersë, aty flakon e farkon tradita e mikpritja, lidhet e forcohet besa. Votra mbledh rreth vetes të vjetrin, përdredhur nga jeta, nisur prej kohësh e brezash kaluar, mësuesin, fitues i çdo kohe të trazuar, nxënësit e fëmijët, me njomësinë përreth tyre të gufuar, mbledh të vegjëlit e të rriturit. Mbledh rreth vetes njeriun e përvojës së madhe, të jetës në votrën e tij, në mërgatë, larg vendit, larg gjinisë, në shkollë, në punë e në shërbime gjithandej.

Kuvendimi

Në votër fliten të gjitha, si dikur me qëndrimin e me fjalën e pleqve, për punën e sotit e për të nesërmen, për atë që mund të bëhet, për pritjet e vendimet e mëdha për shtëpinë, lagjen, krahinën e për vendin. Votra e motivon mendimin, pikëpamjet mbi përparësitë dhe vështirësitë e rritjes, moshën dhe  zhvillimin shoqëror të fëmijës. E gjejmë te votra qasjen ndaj besimit, ndaj fesë, njohjes, familjes, rritjes së fëmijëve, marrjes së vendimeve, zgjidhjes së ҫështjeve që duken të vështira e të pazgjidhura. Votra hap një dritare, dy, tri e më shumë sish, se si mund të bashkëpunojnë, se si mund të konkurrojnë, njerëzit rreth e në mes të saj. Duhet të besojmë në gjërat që i shohim, duhet të besojmë në gjërat që vijnë.

Besimi

Votra na mëson me bindje e besim të fortë atë që është e vërtetë, atë që rrit ndjenjën e sigurisë për njeriun, atë që ka merita, që ka veti të larta, bindje në çiltërsinë, në ndershmërinë e në ndërgjegjen e dikujt, sigurinë në forcën e arsyes e në drejtësinë e tjetrit. Votra na mëson të kemi qëndrim të mbështetur në këtë bindje e siguri. E besimi i madh te njeriu është i patundur, i pakufishëm.Besimi në votrën tuaj është besimi në vetvete, në të tashmen tënde, aty ku shprazet mundi yt për të nesërmen, plot jetë. Të besuarit është njerëzor, është dhunti për njeriun, është vetë jeta. Është e tashmja që shihet me sy, është e nesërmja më e mirë, vazhdimësi e së sotmes për të ardhmen e votrës plot prush dashurie njerëzore. Dashuria për njeriun është besimi për të ardhmen e fëmijëve, dashuri e kultivuar dhe e gjalluar si një flakadan, i mbajtur dorë më dorë, gjeneratë pas gjenerate, brez pas brezi, nga ata që janë e që po vijnë, për të mirën e vendit.

Besimi në të ardhmen

E ardhmja duket si ëndërr, sikur të jesh qiellit duke flururuar. Ajo është një ëndërr, ku e sheh shpeshherë veten në krahët e zogut, në paqe, duke e “puthur në faqe”, krejt i lirë. Ai që sheh ëndrra shumë nuk është i futur thellë në gjumë, përkundrazi. Kështu, na duket sikur njeriu përpëlitet për ta arritur fluturimin e në krahët e tij të bartë të tashmen, të shkojë larg e më larg, tej oqeanit. Duket sikur, njeriu kokëkrisur e ka hedhur barkën në det “pa lejen e Mbretit”, “se në aventurë dëshiron të vdesë”. E tashmja kalon shpejt, është borxhi i së ardhmes. I besohet së parës, futur në borxh, se të ardhmen e ke të sigurt, e ke afër. “Edhe atëherë kur vjen, të mirat i ndan me të tjerët: ari, argjend, flori e oqean, po “aventurën” me askënd s’e ndan” (vargje poezie). Kam besim  se “Votra” do të jetë dritarja nga ku do të shihet një horizont i munguar në një tjetër të mbushur, i atyre që janë sot e që po vijnë, mbushur me besim, me frymëzim e dashuri ndaj Votrës.

                             Flamur Shala        

Prishtinë, korrik 2017

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*