E shtuna e 24 qershorit shënoi fundin e vitit shkollor 2022-2023 për nxënësit e shkollës shqipe“Foleja e Shqiponjave në Kanada. Gjatë këtij viti, fëmijët arritën nivele mjaft të larta për sa i përket mësimit të gjuhës shqipe, por edhe historisë e traditave të vendit tonë.
Aktiviteti u shoqërua me një program të mrekullueshëm, ku nxënësit patën mundësinë të recitonin dhe këndonin në gjuhën shqipe, por edhe të kërcenin vallet tona më të bukura.
Atmosfera e krijuar mes fëmijëve, mësuesve, prindërve tregon për vlerat e rralla të një kombi që arrin të integrohet nëpërmjet punës dinjitoze dhe të palodhur, duke dëshmuar një potencial të jashtëzakonshëm.
“Vlera më kryesore që duam ta ruajmë edhe ta transmetojmë te fëmijët tanë është ajo e mirënjohjes. Bordi i shkollës ‘Foleja e Shqiponjave’ falenderon të gjithë ata që kanë mbështetur Folenë tonë dhe i kujtojmë që janë një vlerë e padiskutueshme e komunitetit tonë.
Lista e atyre që e kanë mbështetur shkollën ndër vite është më e gjatë dhe jemi vërtetë mirënjohës”, shkruan në një postim në Facebook bordi i shkollës “Foleja e Shqiponjave”.
Ata kanë dhe një këshillë me vlerë për të gjithë prindërit shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Kanada: “Ju lutem mësojini fëmijës shqip, t‘u themi e të më thonë të dua në gjuhën e shpirtit”.