Starton Liga Unike e Basketbollit – i pari kampionat i përbashkët Shqipëri – Kosovë

Liga Unike e Basketbollit, një nismë kjo e ndërmarrë nga dy federatat e basketbollit Shqipëri-Kosovë ka startuar të martën më 6 Prill aktivitetin e saj. 

Krijimi i kësaj lige u konkretizua më 10 shtator 2020 në Tiranë përmes marrëveshjes midis Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB) dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK). Marrëveshja u nënshkrua nga Presidenti i FSHB-së, Z. Avni Ponari, dhe kryetari i FBK-së, Z. Arben Fetahu, në praninë e Znj. Besa Shahini, në atë kohë Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri dhe Znj. Vlora Dumoshi, ish-Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Z.Edi Rama, dhe Presidenti i FIBA Europe, Z.Turgay Demirel, të cilët njëherësh patën zbuluar edhe logon e Ligës UNIKE.

Në  Ligën Unike marrin marrin pjesë tetë skuadra, katër më të mirat nga Kosova dhe katër më të mirat nga Shqipëria. Nga Kosova në edicionin e parë marrin pjesë Sigal Prishtina, Peja, Golden Eagle Ylli i Therandës dhe KB Rahoveci, ndërsa nga Shqipëria marrin pjesë Vllaznia e Shkodrës, Tirana, Goga Basket dhe Teuta e Durrësit. 

Ndeshjet e fazës së parë u zhvilluan të gjitha në Kosovë. Deri tani janë zhvilluar tri ndeshje çerekfinale pasi Teuta e Durrësit është tërhequr nga aktiviteti për arsye objektive. Rezultatet e çerekfinaleve ishin: Vllaznia – Peja 73 – 90, Goga Basket – Tirana 76 – 67 dhe Sigal Prishtina – Ylli 70 – 87. 

Kështu, në gjymëfinale do të kemi përballjet Rahoveci – Peja më 13 prill ora 19.00 dhe Goga Basket – Ylli, po në të njëjtën ditë, në ora 19.00.

Ndeshjet gjysmëfinale të Ligës Unike luhen në Durrës, ndërsa një ditë më pas, pra më 14 Prill në të njëjtin qytet do të luhet edhe finalja si dhe ndeshja për vendin e tretë.

©️ VOTRA Magazine / Prill 2021 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights