Ushqime që duhen konsumuar kur merremi me aktivitet fizik dhe sport
Ushqimet e pasura me proteina janë të domosdoshme për ata që merren me sport dhe mbi të gjitha për ata që dëshirojnë të formojnë muskuj të fortë dhe të bukur. Ndaj ne këtë herë po ju paraqesim pesë burime proteinash që jo të gjithë i njohin për efektin në fjalë. Ato sigurisht vijnë direkt nga nëna natyrë.
1) Shalqiri
Sipas një studimi të publikuar vitin e kaluar nga Universiteti i Kartagjenës në Spanjë, konsumimi i një fete shalqiri përpara aktivitetit fizik ndihmon në përmirësimin e performancës dhe reduktimin e dhimbjeve pas trajnimit. Kjo frutë përmban substanca që përshpejtojnë asgjësimin e acidit laktik. Gjithashtu shalqiri, i përbërë kryesisht nga uji dhe sheqeri, është ideal.
2) Papaja
Një frutë tjetër i mrekullueshëm për atletët është papaja. Ajo përmban një enzimë e cila e ndihmon organizmin për të absorbuar proteinat e nevojshme për fibrat muskulore. E njëjta enzimë është gjetur te kajsitë dhe te lëvozhga e portokallit.
3) Bizelet
Proteinat e bizeleve janë një bekim i vërtetë për muskujt tanë, sidomos nëse konsumohen përpara fillimit të trajnimit. Bizelet janë një burim i posaçëm energjie për t’u përdorur gjatë fazës së sforcimit, ndërkohë që në fund të trajnimit e ndihmojnë trupin të rikuperohet nga lodhja.
4) Kosi pa yndyrë
Një kavanoz përmban 20 gr proteina dhe shumë pak karbohidrate. Kosi pa yndyrë është i pasur me kazein, apo me proteinën që trupi e asimilon shumë ngadalë, duke u lejuar kështu muskujve që ta “ruajnë” atë si një burim energjie në fazë pushimi. Ai është i duhur edhe si një vakt i vogël mes vakteve.
5) Hirra
Hirra është një lëng i cili përftohet pasi është bërë djathi. Për të bërë 1 kilogram djathë na duhen 10 litra qumësht, ku 9 prej të cilave janë hirrë.
Për të nxjerrë më të mirën nga kjo pije, ekspertët këshillojnë që të pini maksimalisht gjysmë deri në një litër hirrë në ditë dhe nëse doni maksimumin e efektit atëherë përdorni hirrën e qumështit të dhisë.
Atyre që u pëlqen sporti, në vend të kokrrave energjike që marrin, mund të përdorin pikërisht këtë pije, pasi fakti që ajo përmban shumë proteina i jep energji muskujve dhe gjithë trupit.
©️ VOTRA Magazine / Mars 2021