Ka qenë padyshim një vit i zi për artin dhe sportin viti që lamë pas. Pandemia e COVID-19, përveç vdekjes së mijëra e mijëra personave në botë, ka shkaktuar edhe ndarjen nga jeta të shumë ish-sportistëve dhe personaliteteve të shquara të sportit shqiptar. Një nga këta është edhe Skënder Kurti, një nga figurat më të njohura të mundjes dhe boksit.
Neri, siç e thërrisnin të gjithë, ish-kampioni i mundjes dhe boksit, ish-trajner i Tiranës dhe Kombëtares në boks, u largua para kohe nga kjo jetë, në moshën 61-vjeçare. Nuk ia doli të fitonte “ndeshjen e fortë” me koronavirusin.
Skënder Kurti lindi në 14 maj në 1959 në Tiranë dhe në rininë e hershme ka ushtruar sportin e mundjes dhe që nga viti 1992 edhe atë të boksit, vit kur ky sport u lejua përsëri të ushtrohej në Shqipëri pas ndalimit nga regjimi komunist. Këto dy sporte Neri i ka ushtruar fillimisht me Gardën e Republikës, në kampionatet që ajo organizonte në atë kohë. Më pas, Kurti formoi ekipin e Tiranës në boks dhe si trajner i tij ka fituar 3 tituj kampion dhe 2 Kupa të Republikës. Për shumë vite, Skënderi ka qenë ndihmëstrajner i Kombëtares së boksit. Bashkë me trajnerët Gjoni të Vllaznisë dhe Zeneli të Flamurtarit, ai ka drejtuar Kombëtaren e boksit, pasi këto tri skuadra kishin boksierët më të mirë.
Skënder Kurti ndërroi jetë më 4 prill 2020 pasi kaloi disa ditë në koma për shkak të rëndimit të gjendjes nga COVID-19.
©️ VOTRA Magazine / Prill 2021