Shtatë mrekullitë e sportit – Mjedise sportive mitike

Përderisa ekzistojnë Shtatë Mrekullitë të Botës Antike, pse të mos ekzistojnë edhe 7 Mrekulli të Botës Sportive? A thua është mrekullia më e madhe sportive në botë Stadiumi Wembley, apo ndoshta Foleja e Zogut në Pekin? Në morinë e stadiumeve apo mjediseve sportive mitike në botë ne zgjodhëm të përmendim vetëm shtatë prej tyre: ato të cilat mbartin një histori magjepëse në vetvete.

Kriteri kryesor që kemi përdorur për hartimin e kësaj liste është që stadiumi ose mjedisi në fjalë duhet të përdoret kryesisht për evente sportive, dhe sa më i rëndësishëm të jetë eventi aq më mirë. Stadiumi duhet të jetë ikonik dhe “vendi i duhur” për të parë sportin e zgjedhur. Ai duhet të jetë unik, i mrekullueshëm nga pikëpamja arkitektonike dhe të ketë bërë histori në botën e sportit.

  1. Stadiumi Panathinaikos (Athinë)

Stadiumi Panathinaikos në Athinë, Greqi, u ndërtua fillimisht rreth vitit 566 pes, dhe ishte stadiumi në të cilin u zhvilluan Lojërat e para Olimpike në 1896 në Athinë. 

  1. Foleja e Zogut (Pekin)

Stadiumi Kombëtar në Pekin ishte stadiumi kryesor për Lojërat Olimpike Verore dhe ato Paraolimpike të Pekinit 2008 dhe do të përdoret përsëri në Lojërat Olimpike Dimërore 2022. Pamja e tij unike me forma të ndërthurura bëri që stadiumi të njihet si Foleja e Zogut, dhe tashmë ai njihet në të gjithë botën me këtë emër.

  1. St Andrews Old Course (Skoci)

St Andrews Old Course, në Fife, Skoci, është kursi më i vjetër i golfit në botë dhe quhet shtëpia e golfit pasi ky sport u luajt për herë të parë pikërisht në këtë vend, në St Andrews në fillim të shekullit të 15-të. Old Course është shtëpia e “The Open Championship” (Kampionatit të Hapur), kampionatit më të vjetër të golfit në botë.

  1. Stadiumi Uembli në Londër

Stadiumi Uembli ndodhet në Londër, Mbretëri e Bashkuar. Fillimisht ai u ndërtua në vitin 1923 dhe ishte stadiumi kryesor për Lojërat Olimpike 1948 dhe Kupën e Botës 1966. Stadiumi përdoret gjithashtu për Finalen e Kupës FA dhe ndeshje të tjera të rëndësishme të futbollit anglez. Pasi Uembli i vjetër u shemb, një stadium i ri i Uembli u ndërtua në të njëjtin vend në vitin 2007, dhe u përdor si stadium për Lojërat Olimpike 2012.

  1. Fenway Park (Boston, Massachusets)

Fenway Park është një stadium bejsbolli në Boston, Massachusetts, SHBA dhe një nga vendet më të njohura sportive në botë. Ai është një nga të paktët parqe sportive klasike të mbetura ende në këmbë sot në SH.B.A., dhe është njëkohësisht stadiumi më i vjetër i Major League Baseball që është ende në përdorim. Ai u ndërtua fillimisht në vitin 1912, e pastaj u rindërtua përsëri në vitin 1934. Fenway Park është shtëpia e ekipit Red Sox të Bostonit. I famshmi Green Monster (Përbindëshi i Gjelbër) në fushën e majtë e ka shdërruar Fenway Park në një nga vendet më të njohura sportive në botë. 

  1. Melbourne Cricket Ground në Melburn, Australi

Melbourne Cricket Ground (MCG) është stadiumi më i madh i Australisë dhe njihet edhe si “shtëpia shpirtërore e sportit australian”. MCG është një nga vendet më të famshme të kriketit në botë, megjithëse nuk konsiderohet si shtëpia e kriketit (ajo është Lords), pavarësisht se në të luhet ndeshja vjetore Test e datës 26 Dhjetor (Boxing Day), event i cili tërheq tifozeritë më të mëdha të kriketit në botë. 

Por MCG nuk është vetëm një stadium kriketi. Ai ishte stadiumi kryesor për Lojërat Olimpike Verore në 1956 dhe për Lojërat e Komonuelthit në 2006, dhe është gjithashtu vendi i Finales së Madhe të Ligës së Futbollit Australian e cila zhvillohet çdo vit.

  1. Stadiumi Maracana, Rio de Zhaneiro, Brazil

Stadiumi Maracanã në Rio de Janeiro, Brazil është stadiumi më i madh në Amerikën e Jugut. Stadiumi pati një tifozeri rekord në ndeshjen finale të Kupës së Botës FIFA 1950 me afro 200,000 tifozë të pranishëm. Stadiumi është rikostruktuar vitet e fundit dhe u përdor për Kupën e Botës FIFA 2014 dhe për Lojërat Olimpike të vitit 2016.

Stadium Bonus – Koloseu i Romës

Ky stadium nuk është shumë i ngjashëm me  të tjerët për t’u konsideruar ndër shtatë mrekullitë sportive të botës, por sigurisht që ai është një stadium me vlera të jashtëzakonshme historike. Koloseu në Romë ishte një nga stadiumet e para klasike, i ndërtuar që në vitin 80 pas Krishtit, dhe konsiderohet si babai i të gjitha stadiumeve moderne. Fusha ishte kryesisht një arenë dyluftimesh, pikërisht ashtu siç ndodh në eventet sportive moderne.

©️ VOTRA Magazine / Maj 2021 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights