Liga Unike, një ëndërr për shumë shqiptarë u jetësua me turneun e Final 8 në Rahovec dhe Durrës, me skuadrat më të mira nga Kosova dhe Shqipëria.
Golden Eagle Ylli u kurorëzua me titullin e kampionit në edicionin e parë dhe historik, që njëkohësisht ishte edhe trofeu i parë në histori të klubit nga Theranda, kurse MVP u zgjodh Erjon Kastrati i Yllit.
Erjoni në çerekfinale kundër Sigal Prishtinës shënoi 10 pikë për 16 minuta, ndërsa në gjysmëfinale kundër Goga Basket kishte 10 pikë e dy kërcime për 28 minuta, kurse në finale ndaj Pejës për 33 minuta kishte 21 pikë, pesë kërcime dhe një asist.
“Personalisht dhe si klub i kemi dhënë shumë rëndësi Ligës Unike. Ka qenë kënaqësi dhe nder i madh të rreshtohemi përpara flamujve tanë dhe të jemi një”, është shprehur Kastrati për faqen zyrtare të Ligës Unike.
Ai beson se kjo ligë do të ketë interesin e duhur edhe te sponsorët. “Shpresoj dhe besoj që Liga Unike në vitet e ardhshme do të ketë rëndësi më të madhe, sepse do të ketë ndeshje shumë cilësore, e po ashtu do të jetë shumë interesante edhe për sponsorët”, shtoi më tej basketbollisti i Kosovës.
Në fund foli edhe për çmimin MVP. “Sigurisht se çmimi MVP ka rëndësi për arritjet e mia personale. Është si një shpërblim për punën dhe dedikimin që kam për basketboll, gjithashtu motiv shtesë motiv edhe për të ardhmen”, theksoi Erjon Kastrati.
©️ VOTRA Magazine / Maj 2021