Peneli i frymëzimit: Brenda botës krijuese të Alfred Temalit

Eksplorimi i zemrës, shpirtit dhe rrugëtimit artistik të një prej piktorëve më të pasionuar të Shqipërisë – Intervistë ekskluzive për “Revistën Votra”

“Revista Votra” është krenare të prezantojë një intervistë të hollësishme me artistin e talentuar shqiptar, Alfred Temali. I njohur për veprat e tij ndjellëse dhe të nxitura nga emocionet, Alfred frymëzohet nga trashëgimia e tij e pasur dhe përvojat personale. Në këtë intervistë, ai tregon rrugëtimin e tij në botën e pikturës, procesin e tij krijues dhe ndikimet që e kanë formuar atë si artist.

“Revista Votra”:  Çfarë ju frymëzoi të fillonit të pikturoni?
Alfred Temali: Kontaktet e mia të para me artin i kam pasur me gjyshin tim Zef Temali. Ishte mjeshtër në gdhendjen e drurit dhe bashkëpunonte vazhdimisht me muzeun lokal dhe kombëtar. Ka lenë një sërë veprash si trashëgimi. Kujtimet e mia të para janë skicat që vizatonte, veglat e punës, e një sërë librash mjekësorë popullor. Për mua të futesha në dhomën ku punonte gjyshi ishte si të hyja në një bote të mahnitshme. Përveç se artist, ai edhe një njohës i mirë i ortopedisë dhe asistonte pacientët në nevojë. Ishte një mjek popullor që lexonte dhe informohej vazhdimisht.

“Revista Votra”:   Cilët artistë kanë ndikuar më shumë në punën tuaj?
Alfred Temali: Profesorët si Vladimir Jani, Ismalil Lulani, Lili Çefa ishin për mua ato që më frymëzuan dhe që akoma sot janë korife të artit. Por edhe shumë e shumë të tjerë që kam një vlerësim maksimal, por këto që përmenda kanë qenë në kontakt direkt dhe më kanë dhënë shumë

“Revista Votra”:  Çfarë temash eksploroni në pikturat tuaja? 4. A keni një medium të preferuar për të punuar? Cili është subjekti juaj i preferuar për të pikturuar?
Alfred Temali: Përgjithësisht me pëlqen natyra e vdekur, peizazhet, kompozimi.

“Revista Votra”:  . A mund ta përshkruani procesin tuaj krijues nga koncepti deri në përfundim?. Si vendosni për paletën e ngjyrave për një vepër? . Çfarë roli luan emocioni në punën tuaj?  A keni një ritual ose rutinë specifike përpara se të filloni të pikturoni?  Si ndikon mjedisi juaj në artin tuaj?
Alfred Temali: Dua te theksoj që arti nuk mund të urdhërohet me buton. Është frymëzim. Duhet që ajo që shikon, dëgjon, që prek, të të sjelli ndjenjë dhe emocion deri në atë pikë sa të të nxisë të shprehesh atë që të përshkon shpirtin nëpërmjet tij. Dikush ka dhuntinë e fjalës, dikush muzikën, dikush pikturën etj. Nuk ka një rregull, të paktën jo për mua. Atë që ndjej, duhet ta hedh në telajo sa më parë që të jetë e mundur. Nuk ka një ritual përveç përgatitjes së materialeve të nevojshme për realizimin e asaj që kam ndër mend. Duhet të kem të gjitha ngjyrat dhe penelat e ndryshëm. Nuk kam orare, ka raste që rri me 8-9 orë pa ndalesë duke pikturuar. Humbas nocionin e kohës dhe urisë. Punoj në një dhome të vjetër që i përkiste gjyshave të mi dhe aty kam gjithçka që më duhet, dhe kryesisht zogjtë që janë një tjetër pasion i imi. Nuk pikturoj dot nëse nuk shoqërohem nga kënga e zogjve.

“Revista Votra”:  Si përballeni me bllokimin e artistit?  Si qëndroni të motivuar për të pikturuar rregullisht?  Si qëndroni të frymëzuar?
Alfred Temali: Nuk mund te pikturoj vazhdimisht, ka ditë që nuk punoj dot edhe pse janë kushtet, sepse mungon frymëzimi. Mbylli çdo gjë. Shkëputem plotësisht dhe merrem me gjëra të tjera. Nuk e quaj diçka negative ketë bllokim. Është më shumë si “pushim” dhe shërben për rikuperim të  marrëdhënieve sociale. Kemi nevojë të jemi në kontakt me miq e familjar, një kafe apo një udhëtim i shkurtër, pastaj gjithçka rifillon aty ku e lashë me energji të tjera

“Revista Votra”:   Si e dini kur një pikturë është përfunduar?
Alfred Temali: Kur vendosi emrin. E di dhe kaq. E shikoj dhe skam asgjë për t’i shtuar.

“Revista Votra”:   Cila është teknika juaj e preferuar e pikturimit?
Alfred Temali: Kryesisht penelatat të madha dhe spatula. 

“Revista Votra”:   Si e përballoni kritikën ndaj punës tuaj?
Alfred Temali: Të jem i sinqertë impaktin e parë me kritikën nuk e pres mirë, por varet shumë nga personi që ma bën. Por sido të jetë teorikisht kritika shërben. Varet pastaj se çfarë të mire nxjerr nga ajo kritikë.

“Revista Votra”:  Cila është pjesa më sfiduese e të qenit piktor?  Si i çmoni veprat tuaja artistike?  Cila është pjesa më e mirë e të qenit piktor?
Alfred Temali: E para është të jesh vetvetja pa u ndikuar nga skemat, standardet, ideologjitë që imponohen nëpërmjet trendëve shoqërore ose edhe politike.  I qëndroj parimeve të mia në çdo aspekt të jetës duke përfshirë këtu edhe artin, por kryesisht të jesh mirëdashës kundrejt artistëve të tjerë e të vlerësosh veprën e tyre. Nuk jam në garë me askënd, por falënderoj Zotin që ma dha këtë dhunti. Punoj vetëm për pasion dhe nuk jam preokupuar asnjëherë t’i vendos një vlerësim vetes. Admiroj punimet e të tjerëve, di që ka shumë më të mirë se unë, po ashtu si ka edhe më të dobët se unë.

“Revista Votra”:   A preferoni të punoni në studio apo në natyrë?
Alfred Temali: I preferoj të dyja, po më shumë punoj në studio. 

“Revista Votra”:   A mund të ndani një përvojë të paharrueshme nga karriera juaj e pikturës? A keni bashkëpunuar ndonjëherë me artistë të tjerë?
Alfred Temali: Po, periudha kur punoja bashke me motrën time edhe ajo piktore Entela Radovani. Me motrën kam bërë bashkëpunime dhe shkëmbejmë ide dhe sugjerime akoma sot. Këshillohem me të dhe pres me mirëdashje kritikën e saj.

“Revista Votra”:  Si ka evoluar stili juaj me kalimin e kohës? 20. A eksperimentoni me stile të ndryshme apo qëndroni te një stil i vetëm?
Alfred Temali: Është normale që me kalimin e viteve njeriu zhvillohet, perfeksionohet, studion, eksploron, provon, dështon e prapë fillon.

 “Revista Votra”:  Si e përfshini teksturën në punën tuaj?. Sa i rëndësishme është rrëfimi i tregimeve në artin tuaj?. Si zgjidhni titujt për pikturat tuaja?
Alfred Temali: Zakonisht leximet me tema mistike janë  frymëzim në punimet e mia, por edhe ato ku përshkruhet Shkodra jonë para shumë vitesh, jeta e thjeshtë etj.  Titulli i pikturës zakonisht ekziston në mendjen time para se fillojë piktura, por ka pasur edhe raste që ajo që kam bërë më ka dhëne një frymëzim për një titull tjetër. Çështje ndjenje. 

 “Revista Votra”:  Çfarë shpresoni që shikuesit të marrin nga pikturat tuaja?
Alfred Temali: Do të ishte diçka e bukur sikur të përjetonin emocionin të cilin kam përjetuar duke  punuar në atë vepër. Por kjo është e tepërt ta pretendosh. Do të më mjaftonte fakti që pikturat e mia t’i sjellin paqe e qetësi në shpirt, ose të lenë një mbresë të përhershme.

“Revista Votra”:  Çfarë mendoni për pikturën digjitale kundrejt pikturës tradicionale?
Alfred Temali: Sado që piktura digjitale mund të arrijë majat për mua është si të shikosh një varr që po fundos artin,  ndjenjat dhe emocionet  njerëzore dhe po shkatërron marrëdhëniet sociale dhe vetë komunikim e mirëfilltë. Ne jemi të bërë për të jetuar me njëri – tjetrin në kontakt me natyrën, dhe jo te qëndrojmë para një ekrani që shkatërron trurin dhe shëndetin fizik e mendor

“Revista Votra”:  Si e balanconi kreativitetin me anën e biznesit të artit?
Alfred Temali: Nuk kam pasur asnjëherë problem në balancën mes kreativitetit dhe biznesit të artit, sepse edhe kur behet fjale për biznes nuk marr përsipër diçka që nuk më përfshin, sepse edhe aty kemi të bëjmë me art

“Revista Votra”:  A mbani një skicë ose ditar idesh?
Alfred Temali: Kam qindra skica, por nuk kam një katalogim të tyre. I mbaj në dosje të ndryshme, pa një datë, pa një emërtim. Shpesh herë i rihap dhe kërkoj ide nëper ato fletë. Ky është një defekt i madh në punën time sepse nuk kam një regjistrim të mirëfilltë të të gjitha veprave të mia.

“Revista Votra”:   Cila është këshilla më e mirë që keni marrë si artist?
Alfred Temali: Këshilla më e mirë që kam marrë është e nga motra ime  Entela : “Hedhjen e parë mos e luaj se ke me e prish po e luajte” dhe e dyta nga vajza ime Iden artiste edhe ajo : “Mos prish atë që ke kriju” që në thelb është e njëjta këshillë, më del gjithmonë e saktë.

“Revista Votra”:   Çfarë ndikimi ka pasur media sociale në karrierën tuaj artistike?
Alfred Temali: Duhet pranuar që më ka shërbyer shumë  si një promovim i mirë i punës.

“Revista Votra”:  A ka projekte ose ekspozita të ardhshme për të cilat jeni të emocionuar?
Alfred Temali: Po kam në projekt një ekspozitë në bashkëpunim me një mikun tim, por akoma nuk mund të flas më shumë pa filluar ta implementoj.

“Revista Votra”:   Si e përballoni një pikturë që nuk po shkon siç e keni planifikuar?
Alfred Temali: Kam pasur reagime nga më të ndryshme që fillojnë nga braktisja e pikturës në një qoshe e deri tek shkatërrimi i saj. Për këtë te dytën jam penduar disa hërë sepse kam shkatërruar piktura të mrekullueshme që nuk i kam përsëritur më. 

“Revista Votra”:  Çfarë roli luan drita në punën tuaj? Si vendosni për përbërjen e një pikture? Çfarë materialesh ose veglash janë thelbësore për procesin tuaj të pikturimit?
Alfred Temali: Drita luan një rol të rëndësishëm në procesin e pikturimit. Influencon mjaft edhe në vete dritën që do të marrë piktura. Por kjo është e bukura sepse krijon edhe atë veçantinë e secilës vepër. Kompozimet për mua janë një ide që kam në mendje që pasi kam skicuar disa variante në fletë të ndryshme, hedh në telajo atë  që më përfaqëson më shumë në atë moment. Pastaj filloj me bojërat. Në studion time ka çdo gjë që një piktor mund të ketë. Duke filluar nga kavaleta, bojëra, penela, spatula,  e deri tek gjera nga më të çuditshme që ruaj për ndonjë kompozim si psh: punime me grep, apo gurë e guaska etj.

“Revista Votra”:  Si e qasni pikturimin e kanavacave të mëdha kundrejt atyre të vogla?. Si e qasni pikturimin e portreteve kundrejt peizazheve?
Alfred Temali: Normalisht përpara një pikture të madhe ke më shumë emocion deri në rezultatin përfundimtar. Duhet të largohesh për të parë nëse e gjithë piktura qëndron në një linjë. Megjithatë edhe pikturat e vogla kanë vështirësinë e tyre sidomos nëse kemi të bëjmë me një portret, ose një pikturë me shumë personazhe që janë portrete të ndara në vetvete. Pra, nuk mund të përgjithësoj sfidat mes pikturave të mëdha dhe të vogla ose mes peizazheve dhe portreteve, sepse ka peizazhe që kanë shumë informacion në brendësi, ka portrete lehtësisht të kapshme dhe prej atyre që janë tepër të vështira.

“Revista Votra”:  Çfarë bëni kur nuk po pikturoni?
Alfred Temali: Unë në zanatin tim jam bojaxhi dhe merrem  me teknikat e ndryshme të lyerjes, si stukove venciane, imitime mermeri ose druri në sipërfaqe të mëdha, murale, velaturat e ndryshme të stilit italian etj. Mundohem të kombinoj punën, pikturën pa harruar dhe detyrimet familjare sepse familja e prindërit janë baza e jetës.

“Revista Votra”:  Cili është lëvizja ose periudha juaj e preferuar artistike?
Alfred Temali: Të gjitha periudhat e vitit janë të preferuara, mjafton të kem kohën e lirë dhe frymëzimin. Por dua të them që shpeshherë mbasi kam punuar në profesionin tim dhe kthehem nga puna në orën dy , tre, katër, pesë,  nuk ka asnjë rendësi, shkoj menjëherë në studio dhe mund të punoj orë të tëra përsëri aty.

“Revista Votra”:  Cila mendoni se është cilësia më e rëndësishme për një piktor të ketë?
Alfred Temali: Të jesh vetvetja, te doje atë qe e bën te shprehet dhe te gjendet me mire.

“Revista Votra”:  A mësoni ose mentoroni artistë të tjerë?
Alfred Temali: Mendoj se unë mësoj dhe mentoroj nga të tjerët dhe nuk e di të kem mësuar apo mentoruar askënd. Me artistë të tjerë kemi shkëmbyer reciprokisht ide ose këshilla miqësore

“Revista Votra”: Si mendoni se është e ardhmja e pikturës si një formë arti?
Alfred Temali: Me futje e inteligjencës artificiale shumë aspekte të artit të mirëflltë do të pësojnë një rënie, dhe këtu nuk bën përjashtim as piktura, por jam i bindur që njeriu do të rishikojë përsëri veten dhe qëllimin e jetës. Siç e thashë me lart, asgjë nuk e zëvendëson një emocion që shkëmbehet mes dy njerëzve që takohen në rruge. Nuk ka të krahasuar kontakti njerëzor. Ne, herët ose vonë, do të kthemi të admirojmë artin e mirëfilltë i dalë nga duar njerëzve me shpirt e ndjenjë. 

“Revista Votra”:  Si qëndroni të lidhur me komunitetin artistik?
Alfred Temali: Rrejtet sociale janë një dritare gjithmonë e hapur për komunikim, pjesëmarrja në ekspozita si pjesëmarrës apo si vizitues.

“Revista Votra”:  Çfarë trashëgimie shpresoni të lini përmes artit tuaj?
Alfred Temali: Nuk e kam menduar asnjëherë. Nëse arti që bëj do të ketë vlera, ai do të mbijetoje vetë. Do të lëmë gjithçka këtu. Por kam ëndërr që nëse ndonjëri nga nipat e mbesat e mia do të ketë talent, të mund t’i mësoj diçka nga arti i pikturës.

“Revista Votra”:  Faleminderit, zoti Temali për intervistën!
Alfred Temali: Faleminderit “Revista Votra”, ndjehem tejet i vlerësuar dhe shume i kënaqur nga intervista e një reviste cilësore si “Votra”.

Back to top button
Verified by MonsterInsights