Arjana Gaba Fetahu, një poete e re premtuese në procesin krijues të vargjeve

Votra Magazine” në një intervistë ekskluzive me zonjën Arjana Fetahu Gaba. Poete e re që i është prezantuar publikut me dy vëllime me poezi. Si e shikon Arjana procesin krijues, frymëzimi i saj, pikat forta të krijimtarisë dhe asaj vetë si person, ju ftojmë të lexoni intervistën!

Poetja: Arti lind e zhvillohet mbi një identitet të caktuar…në një terren, gjuhë, kulturë të caktuar. Në vargjet e mia, në varësi të tematikës së trajtuar, gjen vetveten

Votra”: Zonja Arjana, përshëndetje!

Çfarë ju frymëzoi dhe ndikoi të bëheni poete?

Arjana Fetahu Gaba: Ehh, interesante pyetja. Ajo që mua më inspiron është çdo gjë e bukur, çdo gjë interesante, tërheqëse, mallëngjyese, më inspiron shumë e shkuara. Më nxit inspirimin dashuria për të tashmen, e ardhmja, natyra me ngjyrat e saj, ditët me shi, melankolia, jeta si e tillë, me të mirat e të këqijat e saj, ashtu siç është, shumëngjyrëshe e shumëdimensionale në të njëjtën kohë.

Votra”: Si e përcakton procesin e shkrimit të poezisë?

Arjana Fetahu Gaba: Procesin e shkrimit të poezisë e shoh si një proces pasqyrimi i një ndjesie që më ka trazuar, apo frymëzuar, pse jo edhe trishtuar. Shkrimi i poezisë është si puna që bën piktori, piktura …si piktori që hedh bojërat në peizazhin e tij, ashtu edhe poeti hedh shkronjat /fjalët/ vargjet në letër, të cilat janë pasqyrim i një gjendjeje emocionale të momentit.

Votra”: A mund të përshkruani rutinën tuaj të të shkruarit?

Arjana Fetahu Gaba: Rutinat e të shkruarit, nuk kanë ngjashmëri njëra me tjetrën. Të shkruarit është frymëzim. Nuk është diçka e komanduar. Duhet të të ngacmojë diçka së brendshme apo së jashtmi. Faktorët mund të jenë të brendshëm e të jashtëm, një peizazh, një lajm në media, ka raste edhe një bisedë telefonike, mundet një e shkuar apo ndërthurje e të gjithave. Kryesisht shkruaj për vendlindjen, më vjen e shkuara, më kujtohen momentet më pikante, ato që kanë lënë mbresë të thellë tek unë, mos harroj, se edhe dëgjoj me shumë vëmendje e lexoj, sy e vesh themi, rreth situatave në ditët e sotme….pa lënë mënjanë edhe takimet me komunitetin shqiptar këtej.

Votra”: Cilët janë disa poetë që kanë influencuar punën tuaj?

Arjana Fetahu Gaba: Në shkollën 8-vjeçare dhe të mesme, të cilat i kam mbaruar në Fier (Shqipëri), kemi mësuar e jemi njohur me krijimtarinë e poetëve, si Kadare, Agolli, Fatos Arapi, por nuk mbeten pas as Teodor Keko, Ali Podrimja, Petrit Ruka, Ali Asllani, Koçi Petriti, Bilal Xhaferri etj.

Votra”: Çfarë tema ose subjekte shpesh eksploron në poezinë tuaj?

Arjana Fetahu Gaba: Patriotizmi: me tema si mërgimi, Çamëria, pavarësia

Sociale si: marrëdhëniet, familja
Emocionale: mallin, dashura, marrëdhëniet me njëri tjetrin….natyra

Votra”: Nga çfarë ndikoheni në krijimet tuaja përvojat personale apo fantazia?

Arjana Fetahu Gaba: Sigurisht, kam filluar të shkruaj rreth përvojës personale, për jetën e përditshme, të jetuar në Shqipëri e në SHBA, e cila, ku më shumë e ku më pak, është si e të gjithë emigrantëve. Ndikim kanë edhe përjetimet e dëgjuara nga familjarët e mi, rreth çështjes çame, të cilat nuk janë vetëm të miat, por janë të një komuniteti të tërë. Dashuria për atdheun, flamurin, vendlindjen janë fenomen jo vetëm imi, personal. Në shumicën e rasteve, dal mbi veten, mbi ndjesitë e mia duke i gërshetuar ato, përjetimet e miat me ato të komunitetit. Malli është ndjesi që përfshin këdo, por që përjetohet ndryshe nga persona të ndryshëm. Në vargjet e mia, në varësi të tematikës së trajtuar, gjen vetveten. E besoj këtë sa thashë, nisur nga komentet e marra në lidhje me botimet duke më treguar se ia kam arritur qëllimit, pra kam goditur me tematikën.

Votra”: A mund të ndani një përvojë të pamohueshme të lidhur me krijimin e një nga poezitë tuaja?

Arjana Fetahu Gaba: Ehhhh, janë shumë. Një, e cila ka fituar edhe çmim, periudha lidhet me rininë e hershme. Kujtoj poezinë “Me sytë e jetës”, e cila i takon vitit1993.

Shpërthen vullkan shpirti im i ndezur
Dhe unë nga jeta veç forcë kërkoj
Kur nga ky vullkan të dalë ilaç shërimi
Atëherë mund të them se vërtetë jetoj

Ose poezia “Mëngjeset e qytetit tim”
Zhurmë e njëjtë në çdo mëngjes
Monotoni mbështjellje bukësh me gazetë
Thërrimet tek bëhen lëmsh përbrenda
Dhe hapat e tyre të shpejtë

Votra”: A besoni se poezia ka fuqinë për të shkaktuar ndryshime sociale?

Arjana Gaba: Poezia në pamje mendohet e thjeshtë për t’u kuptuar. Por, në të vërtetë, nuk është ashtu. Poezia nuk është si proza, romani apo tregimi. Poezia ka një grup më të kufizuar lexuesish në raport me prozën dhe pak vargje duhen për të thënë shumë…pra për t’u kuptuar. …të shkaktojë poezia ndryshime sociale? Nuk e besoj. Në ditët e sotme, nuk e besoj. Persona të veçantë, mund të mbajnë mend vargje të veçanta, e mund t’i përdorin si argument në diskutimet e tyre…nuk besoj se poezia mund të shkaktojë ndryshime sociale…por, besoj se poezia i vjen më pranë jetës sociale të gjithsecilit.

Votra”: Si e balanconi nevojën për shprehje vetjake me dëshirën për të lidhur me audiencën tuaj?

Arjana Fetahu Gaba: Në ditët e sotme, rrjetet sociale janë bërë forma e komunikimit dhe e shprehjes vetjake më ekspresive. Me anë të komunikimit e bashkëbisedimit në rrjetet sociale, kupton më shumë se çfarë pëlqejnë lexuesit, me anë të komenteve të tyre kupton edhe shkallën e përjetimit të çdo vargu të shprehur. Nga ana tjetër, komentet nga poetë profesionistë, me emër në këtë fushë apo edhe kritikë më inkurajojnë për më të mirën nga vetja.

Votra”: Çfarë këshillash do t’i jepnit poetëve të rinj?

Arjana Fetahu Gaba: Të mos hezitojnë, të hedhin në letër mendimet e tyre dhe të mirëpresin çdo kritikë. Të jenë të hapur e të lexojnë sa më shumë, të jenë vëzhgues të mire të realitetit e proceseve të ndryshme që ndodhin në të.

Votra”: Si i përfshini kritikën në procesin tuaj të shkrimit?

Arjana Fetahu Gaba: Kritikat janë të rëndësishme. Të bëjnë të reflektosh. Shpesh do të duhet të gjesh një fjalë që të jetë më goditëse. Ndaj, njohja e mirë e sinonimeve, krahasimeve dhe metaforave janë shumë të rëndësishme. Kritikën patjetër e pranoj, Patjetër, mundohem të reflektoj, në varësi të asaj që thuhet.

Votra”: A mund të diskutoni mbi marrëdhënien mes emocionit dhe intelektit në poezinë tuaj?

Arjana Fetahu Gaba: Poeti është në luftë me emocionin dhe shprehjen e tij në vargjet që krijon …siç edhe e thashë, është një luftë e pandarë, sepse dëshiron të shprehësh emocionin, atë që ndien, atë që të ngacmon, atë që të shtyn, që të qash, qeshësh, shprehësh dashurinë, trishtimin, gëzimin. Sa më e hollë intuita, sa më i prehtë gjykimi, sa më njohës i mirë i realitetit je, aq më pranë komunitetit je, duke e bërë këtë të fundit, komunitetin, të gjejë veten në vargjet e tua.

Votra”: Si i përcaktoni përdorimin e metaforës në punën tuaj?

Arjana Fetahu Gaba: Metafora është sa tërheqëse aq edhe interesante. Do të thosha, metafora është pjesa më magjike e poezisë. Në qoftë se poezia do të ishte mbretëreshë, metafora do të ishte kurora e saj. Tek poezia “Fëmijëria jonë” metafora është shumë e goditur, sipas meje,…ja vargjet:

Nuk kishim shumë lodra atëherë,
Por ëndrrën e kishim të madhe,
Kjo portë e hekurt që ndan fëmijërinë,
Ndan gëzime dhe halle.
Tani mund të kemi sytë e ngopur,
Po shpirtrat kanë mbetur pa rrënje e pa degë,
Dashuria merr frymë dhe është kaq e lodhur,

Sa zemrat po shiten si sendet në treg.

Votra”: A eksperimentoni ndonjëherë me forma ose stile poetike të ndryshme?

Arjana Fetahu Gaba: Ndodh, siç e thashë më lart….kjo nuk varet nga unë, Janë vargjet që “ushtrojnë” presion mbi mua…vargu vjen i lirë, vjen me rimë, alternim…varet.

21. A mendoni se poezia kontribuon në identitetin kulturor?

Arjana Fetahu Gaba: Natyrisht ndikon. Poezia përcjell emocion. Poezinë është e mundur ta mësosh përmendësh, bëhen pyetje rreth saj, rreth ngjarjes. Ndikon në hapje bisede, diskutim. P.sh. një nga poezitë e mia me titull “O flamur je Shqipëri “, e recituar me aq emocion para shkollës në Lushnje, nga një nxënës i cili ma solli me video, tregon se sa ndikim ka kjo poezi te lexuesi, sidomos te brezi i ri. Pra, lexuesi njihet me historinë, mëson prej poezisë, situatat e nxitet për të mësuar edhe më shumë.

Fluturojnë Shqipet drejt Nju Jorkut
Vajza strugane
Te dashuroj
Etjen ma shuaj

Poezitë e sjella në këngë, të shoqëruar me muzikë, vijnë akoma më emocionuese për të gjithë. Është detyrë e prindërit të flasin e të tregojë me fëmijët e tyre, duke iu dhënë mundësia të komunikojnë me fëmijët e tyre, duke shpjeguar e demonstruar me vargun e me ngjyrat muzikore, duke e bërë poezinë më emocionuese, më shprehëse dhe më atraktive.

Fluturojnë Shqipet drejt Nju Jorkut

Vajza strugane

Te dashuroj

Etjen ma shuaj

Votra”: Si ndiheni në lidhje me qasjen në poezinë për një audiencë më të gjerë?

Arjana Fetahu Gaba: Ndihem mirë. Poezitë e mia, të botuara në 2 (dy) libra tashmë, ”Më zgjon në shpirtin tim një flutur” dhe tjetra “Sa do të doja…”, i shkojnë çdo moshe, çdo stine, çdo ngjarjeje….secili ka një pjesë të jetës, mund të identifikojë veten me një prej tyre…..

Zot, më kthe dhe njëherë sikur kthehet vera,
Më kthe, me pret nëna te dera çdo ditë,
Më pret ashtu zvogëluar e bërë një dorë,
Më pret të më shohë sa sytë i kanë dritë.

Ose

Unë shkruaj se s’duroj dot më
Të duhet dritë djeg shpirtin tim
Unë të kam xhan pa ty unë s’jam
Muza ime qiri qe ndrin.

Votra”: Cilat janë disa koncepte të gabuara që njerëzit kanë për poezinë?

Arjana Fetahu Gaba: Nuk besoj se njerëzit kanë koncepte të gabuara…por mund të përdorin shprehje si: njeri i kalemit, udhëton me vargjet e veta…..

Votra”: A mund të ndani me ne pak kohë për poezinë tuaj të preferuar, dhe pse është e rëndësishme për ju?

Arjana Fetahu Gaba: “Kulaçi”, botuar në librin e dytë

KULAÇI

Nëna mblodhi miellin e fundit,
Dhe e mërzitur uli sytë,
Me duart e dridhura nga hallet dhe mundi,
Gatoi kulaçin e fundit atë ditë.
Ne rrinim rreth saj si zogj dimërakë,
Të mardhur nga era dhe acari,
Me zor prisnim shenjën të na ftonte për darkë,
Të dilte kulaçi nga zjarri.
E dinim që me të s’do na shuhej uria,
Dhe stomaku do mbetej prapë bosh,
Por në duart e nënës rri vetë dashuria,
Dhe ato ke dëshirë ti vështrosh.
Prandaj fshinim lotët dhe zinim të qeshnim,
Harronim urinë dhe mjerimin,
Kulaçi i vogël me miellin e fundit,
Nuk mund të na e vriste gëzimin.

Nga botimi i dytë “Sa do të doja…” me përmbledhje poezish, do të veçoja, “Do të vijë dita Çamëri”, e cila flet, tregon e pasqyron se vetë dashuria krijohet dhe jeton nga shpirti e duart e nënës, në sakrificat e saj…

Duhet thënë se poeti poezitë i ka si fëmijët e tij e ato nuk ndahen, Por ajo qe ka goditur, që ka mbresë, që është vlerësuar në fëmijërinë time – Do të vijë dita Çamëri

Çamëri ,

Do të vijë dita,
Kur të më kesh pranë,
Do të vijë ajo dita e bardhë,
Ku të përulem duke qarë.
Më prit siç të kam pritur,
Tani, me shpresën e zjarrtë,
Se po vjen ai çast i lutur,
Që të dy të jemi bashkë.
Gjaku i zemrës time,
Vlagën tënde do të marrë,
Dhe si lisi do të rritem,
Dhe thellë, thellë rrënjët e mia,
Do të futen në shkëmbinjë e baltë,
Që mos t’i shkul dot stuhija!.

Votra”: Cili është mendimi juaj për rolin e poezisë në arsim?

Arjana Fetahu Gaba: Rolin e poezisë në arsim e shoh si të rëndësishëm. Këtë e shoh në dy aspekte:

– Është më e lehtë për fëmijët e nxënësit ta lexojnë atë në raport me prozën në tërësi, romanin. Në disa vargje, ato kanë figurat letrare, mesazh, përshkrim…dhe memorizim, emocion. Kjo është nxitje për fëmijët që të mund të shkruajnë….me sa di ka filluar në shkollë që në klasat e hershme të shkruajnë 5 vargësh…ku nxënësit duhet të përdorin foljen që lidhet me fjalën, që kanë të bëjnë me veprimin, mbiemra që i shkon për shtat kësaj fjale, që kanë të bëjnë me cilësitë si dhe një shprehje që tregon veprimtarinë e fjalës dhe një sinonim. I gjithë ky proces, kërkon të kesh njohuri, të lexosh, për të ditur se ku e si duhet të përdoresh foljet e mbiemrat. P.sh. fjala mësuese / mal ….vjen si më poshtë……..

mësuesja
e dashur, e mirë
na mëson, edukon, pasuron
Mësuesja punon shumë me ne
mirësi.

Ose

Mali
I lartë, i gjerë
Kacavirremi, rrit lule, hijeshon
Malet i shohim kudo
oksigjen

Nga ana tjetër, përdorimi i emrave të poetëve të rinj në tekstet mësimore, është një element tjetër nxitës për brezat e rinj. Kjo, sepse krahas njohjes me poetët e kohërave të ndryshme, të lexuarit e poetëve të ditëve të sotme, sjell edhe realitetin e parë në këndvështrimin e tyre, duke qëndruar më afër këtij realiteti, duke e bërë tematikën edhe më tërheqëse, larmishme gjithashtu.

Votra”: A mund të flisni për ndikimin e formave të tjera të artit (p.sh., muzika, arti vizual) në poezinë tuaj?

Arjana Fetahu Gaba: Ne shqiptarët sikur jemi të lindur për gjithçka nga pak…. Ndikimi i formave të tjera të artit….natyra e qetë….piktura janë elementë që më ngacmojnë. Por edhe muzika nuk mbetet pas….muzika me jep adrenalinë…sikur më bën të ngrihem e të shkoj larg….me muzikën e qetë në sfond udhëtoj pafund në kujtimet e mia…..

Votra”: Si e menaxhoni balancën mes pasigurisë dhe qartësisë në poezinë tuaj?

Arjana Fetahu Gaba: Ehhhh…e hedh në letër vargun…e rilexoj…dhe çuditërisht ndodh kur edhe vetë jam në as andej e as këtej…I rikthehem e mundohem të qartësoj me vetën se ç’dua të them, cili është përfundimi, ku dua të vete….e në disa raste ia le lexuesit ta shohë si të dojë.

Mëngjeset e harresës

***

Njerëzit lëvizin në humbëtira,
Marramendëse dhe ndjejnë lëkundje.
Zhbirohet shumë shpejt shpresa,
Dhe sërish fillon loja nga e para,
Si kubat e fëmijëve,
Që rrëzohen…rrëzohen,
Dhe përsëri rrëzohen.
Dhe era shpërfillëse shkund,
Pluhurin e pemëve nga trupat e tyre,
Duke u munduar të duket kryeneçe.
Por,
Njerëzit lëvizin,
Si re te murrme,
Në mëngjeset e harresës,
Duke mbartur ngarkuar,
Hallet të hipura mbi kokë,
E duke ju tundur këmbët….
Qyteti laget,
E mendime të hedhura tutje,
Vdesin….
Sërish një diell i vonuar…

Votra”: Çfarë emocionesh shpresoni të shkaktojë poezia juaj te lexuesit?

Arjana Fetahu Gaba: Në këtë rast, shpresoj se lexuesi ka kuptuar atë që kam dashur të them. Dashurinë për jetën, dashurinë për vendin, dashurinë për njeriun, shijimin e jetës…përgjithësisht këto janë mesazhet. Nga ana tjetër, ka të bëjë me rikthimin. Fakti që disa nga poezitë e mia kanë shërbyer si tekste këngësh, do të thotë që kanë goditur me përmbajtjen e tyre, a ka emocion më të bukur për poetin?! Pra, vargjet e tua kanë frymëzuar kompozitorin, ka ngjallur emocion tek ai.

Votra”: A mund të përshkruani një situatë ku një poezi e juaja ndryshoi ndjeshëm gjatë procesit të shkrimit?

Arjana Fetahu Gaba: Një fenomen i tillë ka ndodhur me poezinë “Lotët e gruas të panjohur”.

Lotët e gruas të panjohur
Shpesh më frynë me turfullimë,
Si det në brigje po gjëmon,
Të zbardhen sytë në fytyrë,
As vetë nuk di se çfarë kërkon.
Kështu i thoshte ajo të shoqit,
(Me siguri punët janë keq),
Mu dhimbën lotët syve të saj,
Por s’kam fuqi asgjë të ndreq.
Me zë të ngjirur nga të qarët,
Por prapë hyjnor zëri i saj,
Mu fut në mish një dridhërimë,
Dhe brenda shpirtit zura të qaj.
Por s’bëra as një hap më tepër,
U hoqa sikur s’vura re,
U ktheva mbrapsht i ligështuar,
Por burrërinë e lashë atje.
Si nuk munda ta rrëmbeja,
A thua vallë nuk ish e lumtur?
A ndoshta thjesht ishte një zënkë
Mu pa e vrarë me sy të lutur.
Këto mendoja bulevardit,
Nuk isha aspak i qetë,
Lotët e gruas së panjohur,
Padashur zgjuan retë.

Votra”: A mund të flisni për rëndësinë e trashëgimisë kulturore në poezinë tuaj?

Arjana Fetahu Gaba: Ka shumë rëndësi, trashëgimia kulturore në poezinë time. Poezitë e mia i kushtohen vendit, Shqipërisë, emigracionit. Edhe pse jetoj këtej, në SHBA, ndikimi i kulturës, gjuhës, si elementi bazë janë të dukshëm. Veshja, gjuha e përdorur, sinonimet e antonimet, krahasimet, emrat e përdorur, qofshin emra njerëzish apo sende e objekte, janë nga Shqipëria. Vendlindjes, mallit për të, ndryshimeve që ndodhin atje, mundohem t’u shkruaj me atë lumë fjalësh e shprehjesh, ngjyrash, që kultura e veshjet tona kanë paja, nusja, çiftelia…..shembull:

***

Vajza ime e vogël ë,
Të pret gjilpëra me pë,
Gjergjefi mërzitur ë,
Paja është pa nisur ë.

***

Një copë Atdhe mora me vete,
Në të s’harrova të merrja flamur,
Një disk me valle këngë e derte,
Dhe nga varri i nënës një copë gur.

***

Në sharki, në rrahje të zëmrës,
Të kam Kosovë dhe Çamëri,
Sikur Zoti krijoji njerëzimin,
Ashtu do të bëjë prapë Shqipëri.

SE Ç’TË KA QËNDISUR NËNA!

Se ç’të ka qëndisur nëna,
Me të diellit fije ar,
Mori ujë të hënës zgjuar,
U çuditën yjet mbarë.
Mori valë të detit shtruar,
Të sirenave melodi,
Halë të pishës qerpik shkruar,
Shtatin sikur një selvi.
Bardhësisë borës n’male,
I kërkoi nëna ngjyrë,
Dhe ta veshi si një nuse,
Në atë të butë fytyrë.
Nga ujëvarë që rridhte malit,
Lëng pak syve seç ti shtoi,
Një nishan në faqen tënde,
Sikur lule seç ta shkroi.
Dhe pastaj e mira nënë,
Ju lut Zotit me gjithë shpirt,
Të ta shtronte udhën tënde,
Fije ari nëpër dritë.

Votra”: Si mendoni se ka evoluar poezia në kohë?

Arjana Fetahu Gaba: Mendoj për mirë…poetët sikur i janë “larguar” modeleve klishe, e janë më të lirë, zgjedhin fjalën, vargun e lenë të rrjedhë, mendoj ka ndryshuar dhe evoluar për mirë. Poetët janë të lirë edhe në zgjedhjen apo frymëzimin e tyre. Nuk janë të detyruar të shkruajnë për tematika të caktuara, por shprehen në vargje për ngacmimet emocionale që i nxitin fantazinë, jo vargje për “partinë”, “punëtorinë” apo “kooperativistin”, autori ka lirinë e të shprehurit!.

Votra”: A mund të flisni për kryqëzimin e politikës dhe poezisë në punën tuaj?

Arjana Fetahu Gaba: Politika…nuk ka lidhje. Në poezinë time, shkruaj për patriotizmin, dashurinë për vendin, si detyra themelore e çdo qytetari…nuk e kuptoj politikën e nuk i shkruaj vargje politikës…por unë mundohem të pasqyroj një realitet që shoh, që prek, që ndjej, s’di a janë pjesë e politikës a politikës i pëlqejnë apo jo. Mua më pëlqen të shpreh, e hedh në varg një realitet që shoh e më ngacmon emocionin…

Votra”: Si mendoni se teknologjia ka ndikuar në krijimin dhe konsumimin e poezisë?

Arjana Fetahu Gaba: Ndikimi i teknologjisë është i pashmangshëm në ditët e sotme në shumë aspekte. Zhvillimi i teknologjisë, në krijimin dhe konsumimin e poezisë, sipas meje ndikon sepse:

– e bën më të afërt poezinë me lexuesin, duke dhënë mundësinë që poezia të përhapet më shpejt, duke u bërë më e prekshme se sa një libër.

– jo vetëm leximi, por edhe shpërndarja midis miqsh kudo qofshin ato, në të gjitha anët e globit realizohet me një të shtypur të butonit.

– poeti/autori lexohet në rrjetet sociale edhe pa blerë librin e tij, pra njihet më gjerë nga lexuesit.

– autori/poeti merr komentet në lidhje me emocionin e përçuar tek lexuesi menjëherë.

Emocionet e përftuara janë të prekshme nga përjetimi që ke kur i lexon ato.

– Je në gjendje të shikosh e të marrësh një vlerësim se sa është parë e lexuar nga publiku, sa është pëlqyer poezia e botuar.

– Teknologjia të ndihmon të shkruash edhe kur nuk ke letër e laps, sepse përdor celularin apo tabletin qoftë edhe mesazhin zanor, incizon frymëzimin e rastit kur je në udhëtim, për shembull.

– Nga ana tjetër, largon lexuesin nga libraria, pra nga libri si i tillë, leximi në letër.

– Ndodh që vargjet merren e përdoren pa lejen e autorit.

– Përdorimi edhe i inteligjencës artificiale, është shqetësim edhe për krijuesit.

Votra”: Çfarë trashëgimie shpresoni të lini nëpërmjet poezisë suaj?

Arjana Fetahu Gaba: Trashëgimi…në radhë të parë, u lë disa botime familjarëve të mi, fëmijëve të mi, si një realizim i një ëndrre të kahershme. Fëmijët kanë të paktën 2 (dy) botime, e të tjerat janë në proces e sipër. Gjithkush që do të lexojë poezitë e mia, do të njohë shpirtin tim, do të kuptojë jetën që kam kaluar, këndvështrimin tim të kësaj, do të mund të lexojnë, kuptojnë si jam rritur, kam jetuar e sa ndikim kisha me vargun tim tek ata,,,si dhe të kuptojnë, mënyrën, formën e të shprehurit të dashurisë, të mallit, të natyrës të vetë jetës në tërësi në vargjet e mia.

Votra”: A ka poetë, të kaluar ose të tanishëm, me të cilët ndjeni një lidhje artistike ose lidhje të forta? Cilat ngjashmëri ose tema të përbashkëta vëreni midis punës suaj dhe tyre?

Arjana Fetahu Gaba: Mendoj se poezitë e mia janë të një stili me të Fatmir Terziut, Fatmir Gjatës e Agim Bajramit, Nevjana Shehi, Alma Jaku, Riza Braholli Mborja, Vaid Hyzoti, etj. Kemi edhe tema të përbashkëta në poezitë tona, por kryesisht është stili qe besoj e kemi apo lëvrojmë.

Votra”: Si e parashihni të ardhmen e poezisë, përkatësisht në evoluimin e saj si një formë arti dhe rolin e saj në shoqëri?

Arjana Gaba: Poezia do të vazhdojë të shkruhet e të lexohet. Mund të mos shtohet në sasi shumë, por do të rritet dëshira për lexim të saj, do të ketë rritje cilësore, patjetër. Kjo formë e artit, e shkurtër, e thellë, pasionante, largpamëse, e shpejtë, nxitëse etj, do të jetë shumë shpejt, më e afërt me lexuesin, pra më familjare me të.

Votra”: Faleminderit, që u bëtë pjesë e intervistës sonë, zonja Arjana! Ju urojmë shumë suksese dhe krijimtari të mbarë!

Arjana Fetahu Gaba: Faleminderit, ju, “Votra”! Edhe unë ju uroj suksese dhe punë të mbarë në misionin tuaj fisnik të shpërndarjes së traditave, kulturës, historisë së vendit tonë!

Back to top button
Verified by MonsterInsights