“Poezia është si drita, nuk ka masë e megjithatë ndikohet nga graviteti dhe kthehet në gravitet”
Liria krijuese i ridimensionon standardet, vlerat estetike, madje, edhe hierarkitë
Petraq Risto ka lindur në qytetin e Durrësit më 1952. Ka kryer studimet në Fakultetin e Shkencave Politike – Juridike, dega e Gazetarisë (1971-1975) si dhe një vit pasuniveristar për kritik teatri. Ka punuar gazetar, shkrimtar i teatrit të kukullave të kryeqytetit, dhe pas viteve nëntëdhjetë, për gati njëzet vjet, ka qenë botues privat. Krijimtaria e tij është shumë e gjerë: poezi, tregime, romane, drama dhe përralla për fëmijë, publicistikë etj. Siç ka vërejtur dhe kritika letrare, veçanërisht pas viteve nëntëdhjetë dhe në dy dekadat e fundit, poezia e tij ka një hop të ri cilësor dhe kjo lidhet më shumë me jetën dhe aktivitetin letrar në ShBA. Në vitin 2019 është bërë qytetar amerikan.
Votra Magazine: Zoti Risto, ju tashmë jeni një poet i njohur jo vetëm në Shqipëri, por i përkthyer dhe i botuar edhe në ShBA, Francë, Meksikë, Rumani etj. Me një veprimtari krijuese për më shumë se gjysmëshekulli a mendoni se e keni arritur apogjeun, apo më saktë realizimin e ambicies suaj letrare?
Petraq Risto:: Në aspektin personal mendoj se kam punuar shumë, thuajse çdo ditë punoj me një intensitet të lartë, veçanërisht në poezi, por edhe në prozë. Kam publikuar mbi tridhjetë libra në shqip dhe disa në gjuhë të huaj. Dhe vazhdoj të punoj. Natyrisht nuk mund ta jap vlerësim për veten, por nuk është e vështirë që këtë ta kuptosh nga analizat e specialistëve të njohur të letërsisë, nga mendimet e lexuesve të kualifikuar, nga përkthyesit apo botuesit, jo vetëm shqiptarë. Rëndësi ka që krijimtaria letrare të bie në sy për orgjinalitetin dhe modernitetin e saj dhe të ‘hapë vend” natyrshëm në rradhën e hierarkisë letrare që, gjithsesi, është shumë cinike.
Pyetje: Kush janë disa poetë që kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në punën tuaj, dhe përse?
Përgjigje: Në moshën e adoleshencës dhe të rinisë së hershme kanë qenë disa poetë që kanë ndikuar në krijimtarinë time poetike si Uitman, përshembull. Libri i tij i famshëm “Fije bari” qe botuar (jo i plotë) përkthyer nga i madhi Skënder Luarasi dhe i publikuar për herë të parë, në mos gaboj, më 1956, kur unë isha vetëm katër vjeç. E gjeta në një librari të vogël të Tiranës kur isha gjimnazist dhe shkoja ndonjëherë nga vendlindja ime Durrësi për të çuar poezi në ndonjë redaksi, për të vizituar ndonjë muzeum me nxënësit e shkollës “Naim Frashëri”, apo për të parë ndonjë ndeshje futbolli të “Lokomotivës” me tre ekipet e kryeqytetit. Mund të ketë qenë rreth viteve 1968-1969. “Fije bari” ‘qe fshehur’ mes librave për bujqësinë. Rreth atyre viteve u njoha dhe me vëllimin e famshëm “Mëhallat e botës” të poetit të madh grek Janis Ricos, përkthyer me mjeshtëri nga Spiro Çomora, me “Zgjohu druvar” të Pablo Nerudës, apo poezitë e zgjedhura të Majakovskit, Eseninit, si dhe me disa tragjedi të Shekspirit, përkthyer nga Fan Noli. Disa poezi të Lorkës i përktheva nga rusishtja kur isha student në degën e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, më vonë lexova disa poezi të tij të botuar shqip në Prishtinë, si dhe disa autorë të tjerë, që na lejohej ti lexonim në Bibliotekën Kombëtare me autorizim nga Lidhja e Shkrimtarëve. Po kështu, përkthimet gjysmëilegale të miqve, të vjetër apo të rinj, kalonin nga njëra dorë në tjetrën dhe në njëfarë mënyre ishin informacion për ne krijuesit e rinj. Ishte dhe ky një nga shkaqet që në fundin e viteve gjashtëdhjetë dhe fillimin e viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, pra, në kohën e liberalizmit të cunguar, disa krijues të rinj kishin një këndështrim tjetër më modern apo postmodern. Liria krijuese i ridimensionon standardet, vlerat estetike, madje, edhe hierarkitë.
Votra Magazine: Pra, kalimi i Atlantikut solli për krijimtarinë tuaj një hop të ri cilësor?
Petraq Risto: Besoj se po. Këtë e ka vërejtur dhe kritika jonë letrare. Esteti ynë i njohur Alfred Uçi duke u ndalur te vëllimi im “Lojë shahu në shekullin XXI” (2004), (libër i shkruar pas dy udhëtimeve të para në ShBA 2003-2004), thekson: “Krijimtaria e tij veçohet si një arritje me peshë, gjurmëlënëse, e përfshirë në atë rrugë, në të cilën nuk mbeten shumë emra që u afrohen majave. … Përmbledhja poetike i merr frymëzimet në trojet e hallemadhes Shqipëri, por ato e kanë tërhequr dhe në një parabolë me shtrirje paralelesh dhe meridianesh, që ia përplas frymëzimet në vatrën e një qytetërimi të ëndërruar, nga burojnë shtysat kryesore të botës së sotme globale. Ndërmarrje e vështirë, e rëndë për muzën poetike t’i radhitë në këtë kohë njërën pas tjetrës Atdheun, Amerikën e Shteteve të Bashkuara, Evropën e Bashkuar dhe Globalizmin, këtë Perëndi të re të plotfuqishme, që ka zënë të administrojë botën dhe s’ngopet vetëm me kaq… Ai ndjen një liri prej mjeshtri në përdorimin e mjeteve shprehëse, larg çdo rregullsie shkollareske, gjë që të kujton Uollt Uitmanin”.
Votra Magazine: A mund të flisni për një poezi të caktuar që mbart një domethënie të veçantë ose rezonancë personale, dhe çfarë do të thotë kjo për ju?
Petraq Risto: Thuajse të gjitha poezitë rezonojnë me ndjeshmërinë njerëzore dhe qytetare. Poezia është jetë, është ndjeshmëri, është reaksion emocional, revoltë e brendshme… “Me një busull loti bredh në Gjithësi”, është një vargu im që mund të përmblidhte atë se çfarë është Poezia. Ajo, Poezia, është si drita: nuk ka masë e megjithatë ndikohet nga graviteti dhe kthehet në gravitet. Për të hyrë në konkretësi duhet ndalur në shumë poezi që rrezatojnë jetën
Votra Magazine: Si e përcaktoni detyrën e përshkrimit të emocioneve ose koncepteve abstrakte në gjuhë të dukshme, të ndritshme, në poezinë tuaj?
Petraq Risto: Gjuha, mënyra e shprehjes, aftësia për të përcjellë abstrakten me një thjeshtësi komunikimi, është një virtyt i talentit, një ndër sekretet e poezisë. Në një poezi të shkurtër vetëm me një varg, shprehem: “Një foshnje pi gji me sytë nga Udha e Qumështit”. Tabloja është e qartë: Jashtë, në një mbrëmje vere, një nënë i jep gji foshnjes që ka hedhur shikimin nga Galaktika Udha e Qumështit, ku bën pjesë dhe planeti ynë i vockël. Pastaj komentet, analizat, mund të jenë të shumëllojta jo vetëm për të ardhmen e kësaj foshnjeje, por edhe të ardhshmen e Njerëzimit. Vetëm një varg mund të përfshijë Universin! Natyrisht me këtë doja të zbërtheja kopsën e parë të pyetjes, po nëse do të zbërtheja kopsën gati në të këputur të planetit Tokë që bënë pjesë në Udhën e Qumështit, për këtë nuk do mjaftonte vetëm një varg, madje as dhjetra vëllime të gjithë poetëve të Botës. Poezia, në njëfarë mënyre, është shqisa e gjashtë.
Votra Magazine: Si e parashikoni të ardhmen e poezisë, evoluimin e saj si një formë arti dhe rolin e saj në shoqëri?
Petraq Risto: Mendoj se poezia nuk do të mbetet pa të ardhme, me gjithë ‘rrezikun’ e mundshëm se nesër inteligjenca artificiale (AI) mund ta konkuroj atë, më shumë në shtrirjen kohore – globaliste dhe dendësinë e informacionit, mbase dhe me figuracionin, me shkrirjen e filozofisë me artin, por besoj se jo te ndjeshmëria, në përcjelljen, pra, të ndjeshmërisë te lexuesit ndër breza. Arti i vërtetë është një harmonizim i të gjithë komponentëve. Në një poezi të shkruar para disa vitesh titulluar “Ditët kur robotët do fillojnë të qajnë” e shpreh këtë shqetësim.
Ditën kur robotët do fillojnë të qajnë ne do ndjehemi të mundur
dhe një Krisht klonuar nga drita do na ftoj të pimë në pijetore
të dehemi me mundjen tonë
mbi tryezat tërë lyrë të ngrëna nga bërrylat dhe sherret e baballarëve.
Në mëngjes qielli s’ është lule vjollcë, do na thonë robotët
Dhe ajri do vërtitet rreth nesh me gjithfarëlloj pyetjesh të gatshme:
Po ç’ është atëherë zhgënjimi nga shpejtësia e dritës?
Ç’ është një Shekspir naiv që kërkon të mbytet
në një lum krijuar nga çmenduria e Ofelisë?
Pse ëndrrat janë lënë të shkrumbohen nën Diell
e ne pse joshemi me kokallat e tyre?…
Ditën kur robotët do fillojnë të qajnë ne do ndjehemi të mundur
dhe një Krisht klonuar nga njolla e gjakut do na ftoj të pimë në pijetore…
Votra Magazine: A mund të na përshkruani një ditë tipike në jetën tuaj si poet? Në çfarë ore të ditës gjeni më së miri kushtet për të shkruar poezi, dhe përse? A keni ndonjë ritual ose zakon specifik që ndiqni para ose gjatë seancave tuaja të shkrimit?
Petraq Risto: Përgjithësisht që nga adoleshenca e deri në këto dy dekadat e fundit jam mësuar të punoj në salla bibliotekash, në bare, në librari me kafene, në kafene pa libra, ose më thjeshtë: kudo. Natyrisht edhe në shtëpi. Shpesh në lëvizje më “vijnë” motivet, çelin bërthamat e para të ideve poetike, më shfaqen si imazh, si një metaforë e pastaj thellojnë rrënjët dhe shpejt – degëzohen. Ka dhe motive që flenë disi gjatë në shtratin e subkoshiencës dhe zgjohen papritmas nga prekja e një ngjarjeje, apo qoftë edhe e një fjale. Dhe tani kur jam zhvendosur nga Nju Xhersi në Nju Jork, ulem në tryezë, thuajse çdo ditë, nga ora 8 deri 11. Mbasditeve lexoj apo rilexoj libra të autorëve të zgjedhur, apo ndjek mediat. Më tërheq më shumë futbolli dhe shahu.
Votra Magazine: Mendoni se intuita dhe instinkti luajnë një rol të veçantë në procesin tuaj krijues?
Petraq Risto: Natyrisht ato janë ndër elementët përbërës të talentit. Në përgjithësi krijuesi, poet apo prozator, e nuhat gjahun e mirë, pra, motivin apo subjektin e duhur. Më e rëndësishme është si “gatuhet” dhe serviret ‘ky gjah’.
Votra Magazine: Si mendoni se ka evoluar poezia në kohë?
Petraq Risto: Mendoj se me ndryshimin e kohërave Poezia ka pësuar ndryshimet e veta. Poezia është si Universi: sa vjen dhe zgjerohet. Ajo është bërë më e thellë, më e prekshme, më ngacmuese, me një teknologji më bashkëkohore në kuptimin e përfshirjes brenda saj të shumë elementëve që dikur nuk pranoheshin qoftë nga ‘ligjet’ e puritanizmit, qoftë nga një ‘inkuizicon’ i hapur apo i fshehtë. Kryesorja: poezia është bërë më e lirë, jo vetëm në strukturë, por edhe në frymë. Duhet theksuar se çdo kohë ka majat e veta poetike, përfaqësuesit e vet të shquar, pavarësisht mangësive. Ndaj dhe shpesh u kthehemi Homerit, Shekspirit, Uitmanit, Hygoit, Gëtes, Bodlerit, Rembosë, Eliotit, Paundit, Lorkës, Ricosit, etj. Megjithatë, siç jam shprehur dhe herë tjetër, deri më sot nuk është shpikur ndonjë talentomatës, por nëse kohërat e reja do ta shpikin një të tillë, patjetër që do mbështeten te vibrimet e holla ndjesore, te shpirti humanist, te ‘vetvrasja’ e pakuptueshme e krijuesit dhe te plagët që përskuqin me detyrën e vullnetshme për t’u kthyer në llampa Diogjeni.
Votra Magazine: A mund të flisni për kryqëzimin e politikës dhe poezisë në punën tuaj?
Petraq Risto: Poezia nuk mund të jetë thjeshtë një krijesë eterike, me pamje engjëllore. Njeriu është një qënie sociale dhe është e pamundur që poeti apo prozatori mos të reagojë ndaj fenomeneve të kohës, ndaj padrejtësive, dhunës, shkeljes së të drejtave të njeriut, etj. Poezia është dashuri dhe dhembje, dritë dhe hije, himn dhe klithmë, vlagë dhe plagë. Poezia është shpirt i kondensuar në lotë. Por si në të gjitha artet edhe poezia duhet të ketë ekuilibër të brendshëm, sens mase, jo gjuhë urrejtjeje. Kur fola më lartë për lirinë e të shprehurit kisha parasysh dhe guximin qytetar. Para disa vitesh kur kantautori i famshëm amerikan Bob Dylan fitoi Çmimin Nobël për poezi (2016) gjithë bota letrare shtangu nga befasia. Mendoj se shkaku kryesor që juria suedeze veçoi Dylan si fitues, ishte se poezitë e tij, shoqëruar me muzikë, kishin brenda tyre shpirtin rebel, vetdijen dhe guximin qytetar, që (mbase) po i mungonte kohërave të reja. Autorët e mëdhenj dhe letërsia e madhe na mësojnë dhe këtë. Natyrisht kur flasim për shqetësimin qytetar të poetit dhe reagimin e tij në krijimtarinë, nuk kam parasysh reagimin për politikën e ditës, flakë për flakë, sepse kjo është më shumë detyrë e mediave, gazetarëve, politikanëve, opozitave… Megjithatë në periudha krizash, tragjedish, lotët e njerëzve mund të kthehen në bërthama poezish. Duke filluar me vëllimin “Lojë shahu në shekullin XXI” (2004) të njëmbëdhjetë librat e rinj të botuar vetëm në këto dy dekadat e fundit, i kam shoqëruar me nga një parathënie të shkurtër kur përmblidhen reflektimet për kohën dhe poezinë. Edhe titujt e librave në njëfarë mënyre e shpallin Kohën. Është e vështirë që me poezi të jesh Qytetar i Botës, por nuk është e pamundur.
Votra Magazine: Si e navigoni tensionin mes shprehjes individuale dhe dëshirës për rezonancë universale në poezinë tuaj?
Petraq Risto: Kjo është një përllogaritje e brendshme e poetit dhe varet nga natyra e tij, por sidoqoftë edhe këtu është talenti që e përcakton çfarë force ndikimi dhe përhapjeje, çfarë “vale goditëse” do ketë poezia jote…
Natyrisht varet dhe si do ndikoj ajo te lexuesi edhe pse duhet ta pranojmë që lexuesi i poezisë ka ardhur duke u rrudhur.
Votra Magazine: A mund të flisni për kryqëzimin e kujtesës, imagjinatës dhe së vërtetës në poezinë tuaj?
Petraq Risto: Ky kryqëzim është i natyrshëm si ngjizja. Kur flasim për laboratorin krijues të një poeti kemi parasysh dhe “instrumentet” e pyetjes së mësipërme. Poeti në njëfarë mënyre i ngjan një alkimisti që përpiqet gjithë jetën të nxjerrë arin e pastër me “instrumentet” që zotëron. Ari poetik nuk mund të shpiket nga një shpirt i tharë. Në shqip mbase jo rastësisht Arti përbëhet nga dy fjalë Ar + ti.
Votra Magazine: A mund të flisni për mënyrat në të cilat poezia mund të sfidojë dhe të nënvizojë strukturat e fuqisë tradicionale, si në letërsi dhe shoqëri në përgjithësi?
Petraq Risto: Mendoj se përgjigja më e mirë është vepra që shkruan dhe boton, natyrisht edhe si e zbulon dhe e mbështet atë në rradhë të parë lexuesi i kualifikuar, kritika letrare, por edhe institucionet e posaçme që drejtojnë kulturën dhe artet. Kuptohet që kjo nuk është e lehtë, aq më tepër për vendet në tranzicion, të sfidosh strukturat e ngritura prej kohësh, apo prej sistemesh. Por sidoqoftë personalitetet letrare dhe artistike të një vendi shpesh ia kanë arritur të sfidojnë. Nuk e di nëse në këtë kohë poezia apo poeti mund ta luaj mirë këtë rol sfiduesi. Studiuesi dhe kritiku i njohur amerikan Harold Bloom në esenë e tij “Dialektika e traditës poetike” shkruan: “Dhe studentët e zotë, si dhe shkrimtarët e zotë do të ngrihen në vendet dhe kohët më të paparashikuara, për t’u ndeshur me dhunën e brendshme të ushtruar mbi ta nga mësuesit dhe paraardhësit e tyre”.
Votra Magazine: Çfarë përpjekjesh bëni për të botuar libra apo dhe poezi të veçanta në gjuhë të huaj? A mbështeten si duhet krijuesit në emigracion?
Petraq Risto: Përpjekjet përgjithësisht janë vetjake. S’është e lehtë “të çash” me poezi, aq më tepër kur nuk ke mbështetjen e duhur të institucioneve, kur nuk ke një agjent letrar të përkushtuar, mbase dhe me origjinë shqiptare, etj. Gjatë viteve të qëndrimit këtu në Amerikë jam përpjekur bashkë me vajzën e madhe, Sidorelën, (e cila ka kryer studimet e larta për letërsi këtu në Nju Jork dhe është një poete dhe eseiste e talentuar, autore e disa librave) pra, jemi përpjekur për të komunikuar dhe publikuar krijimet tona. Kështu, në Nju Xhersi kemi marrë pjesë disa herë në mbrëmjet poetike të disa klubeve me poetë amerikanë. Kam publikuar disa poezi në revistat amerikane, pres të botohem dhe në revista apo almanakë të tjerë. Por dhe nuk duhet të ankohemi shumë. Përgjithësisht këto vështirësi i kanë të gjithë autorët, vendas apo të huaj. Rëndësi ka vitaliteti krijues. Kam gati një vëllim të plotë me poezi në anglisht dhe po bëj përpjekje për ta botuar në shtëpi botuese të specializuara. Kam publikuar dy libra në Francë, një vëllim në Meksikë, një në Rumani dhe po bëj përpjekje të botohem dhe në vende të tjera. Në dekadën e fundit, po këtu në ShBA, kam publikuar në shqip vëllimet poetike “Unë quhem Dje” “Para-j-sa?!”, “Jetoj në një karusel të ndryshkur” (poema të zgjedhura), romanin “Një grua me Urdhrin e Ujkut” tek Amazon dhe “Ankimi i Luciferrit” e “I-magji-nata LotUS” te Lulu, të cilat kanë një të mirë: librat i shpërndajnë kudo nëpër Amerikë dhe Botë dhe autori merr një përqindje nga shitja e tyre. Duhet theksuar se shitjet janë të pakta. Lexuesi shqiptar ende nuk është mësuar që në një kuti bashkë me mallrat e domosdoshme të paketoj edhe një libër. Sidoqoftë, gëzohem kur disa nga librat e mi janë shitur e vazhdojnë të shiten në ShBA, por edhe nga këtu të shpërndahen në Kanada, Itali, Zvicër, Australi etj. Më shumë gëzohem kur çdo mëngjes ulem në tryezën e punës dhe kuptoj se enrgjitë krijuese dhe frymëzimi nuk kanë shterrur.
“Votra Magazine”: Zoti Risto, Ju urojmë suksese të reja në krijimtari!
Petraq Risto: Faleminderit për intervistën!
Poezi nga Petraq Risto
- Nervozizëm
Ndonjëherë lëviz duart në ajër,
gërvisht qiellin me plagë pëllumbash
Shumica mendojnë: flas me vete në përpjekjet për të fluturuar.
Ajri nga joshja më bëhet mollë në duar.
Ndonjëherë bërtas buzë oqeanit albatrosë e pulëbardha për të hutuar
Po ato s’e njohin mallin e shtegtarit, u duket britma ime
Sirena SOS e anijes mbi shpirtin e trazuar.
Kthehem në shtëpi me një thërrime loti në sy
Me një mollë ajri në duar.
- Irritability
Sometimes I move my hands in the air,
I scratch the sky with pigeon wounds.
Most people think I talk to myself, seeking to fly.
The air, tempted, becomes an apple in my hand.
Sometimes I scream near the ocean, to confuse seagulls and albatrosses,
but they don’t know a pilgrim’s longing.
To them my cry sounds like an S.O.S. from a vessel that sails through a troubled soul.
I return to my homeland with tear crumbs in my eyes
and an apple of air in my hands.
- Mëngjesi (1)
Brenda natës gjeta mëngjesin e hutuar duke qarë
I vura dorën mbi sup për ta qetësuar: nga prekja çelën lastarë.
Një mëngjes i tronditur mund të zbardhet në gjunjët e natës
ndodh që brenda pak orësh të thinjen flokët e zinj
mëngjesi të dalë prej natës si nga këllëfi argjendi i shpatës
kur klith në ajër: Liri…
- Morning (1)
Inside the night I found the muddled morning crying
I put my hand on its shoulder to soothe it: scions bloomed from the touch.
A shocked morning can whiten the knees of the night
in a few hours dark hair can turn gray,
morning is drawn as a silver sword from the sheath of night
that cries out “Freedom!”
- Shkruar në mur…
Kur të gjesh librin e vjetër shkruar në mur
Mos harro të shohësh dhe anën tjetër të murit
Të njëjtin libër ta lexosh në këndvështrim tjetër
Dhe të kuptosh pse muri nuk rrëzohet.
Pastaj mund të mbështetesh në mur
T’ia përcjellësh natyrshëm rrahjet e zemrës
Dhe fjalët e rënda të shkruara në gur
Në forma dritaresh t’i gdhendësh…
Kështu mund ta lexojnë murin dhe të tjerët.
- Written on the Wall
When you find the old book written on the wall,
do not forget to look from the other side,
to read the same book from a different viewpoint,
and to understand why the wall does not collapse.
Then, you can lean on the wall
to naturally transmit to it your heartbeats
and the heavy words written in stone,
to engrave them in the shape of the window
This way, others can also read the wall.
Librat poetikë:
- Zjarre që rriten
- Dallgë e detit tim
- I them shekullit mirëmëngjes
- Sytë e ditës vizatoj
- Zgjohu princesha ime
- Mollë zhvirgjëruar nga rrufetë
- Lojë shahu në shekullin XXI
- Engjëlli me virus H5N1
- Hallelulja
- Apo-ka-lypsi
- Lexuesi i buzëve: ar+sy+eja
- Mënd+afsh (poezi të zgjedhura)
- Miq të dyshimit
- Udhëtar me pluhur ferri
- Unë quhem Dje
- Para-j-sa?!
- Jetoj në një karusel të ndryshkur(poema të zgjedhura)
- Ankimi i Luciferrit
- I-magji-nata LotUS
- I hidhur mjalti i varreve (Francë)
- Kujdestar i dallëndysheve (Meksikë)
- Gjuetia e kuajve të detit (Rumani)
- Oboe e dashurisë (Spanjisht, në ShBA)
- Lojë shahu në shekullin XXI (anglisht, në ShBA)
- Njeriu me dritare në krah (Francë)
- Gostia moderne e Shekspirit (rumanisht, ShBA)
Nga krijimtaria për fëmijë:
- Qerosi dhe Pinoku në plazh – përralla
- Delfini Fin kërkon djaloshin – përralla
- Renato dhe shtatë vajzat e ylberit – përrallë
- Qerosi mund Katallanin – dramë përrallë për teatrin e kukullave
- Borëbardha – dramë përrallë
- Ditëlindja e Pinokut – dramë përrallë
- Miqtë e teto Muzikës – dramë përrallë
- Iriqi bën rrobe të reja – dramë përrallë, etj…
Disa mendime për poezinë e autorit:
AGIM SHEHU (Zvicër): Poeti Petraq Risto e ka këtë laborator, mrekullia e të cilit duket te figurat që krijon me lehtësinë që dega krijon lulet apo ngrica – kristalet… Te cili poet i shquar në botë nuk do ndalnim me adhurim mbi vargje të tillë, nëse do t’i shihnim në librat e tyre!?
LUAN RAMA (Francë): Ndër poetët bashkëkohorë shqiptarë, poeti Petraq Risto na vjen me një mision të ri, ashtu siç vinte Rembo në kohën e tij me “Letrat e Profetit” për të bërë një poezi moderne, krejt të re për një kohë tjetër… Poezia për të është kjo vorbull njerëzore, ku trallisen njerëz dhe engjëj…Të ngjan se nga dhimbja, ai do të godasë qiejt.
VANGJUSH ZIKO (Kanada): Petraq Risto është një poet novator, që i ka sjellë një këndvështrim të ri dhe një estetikë ndryshe poezisë sonë bashkëkohore, jo vetëm me brendinë, por edhe me ligjërimin e tij të spikatur dhe të larmishëm. Krijimtarinë poetike të Petraq Ristos do ta quaj një “poemë-mit” që synon kapërcimin e kaosit të jetës bashkëkohore. Një ligjërim poetik me pluhur Ferri dhe brymë Parajse.
VISAR ZHITI (ShBA): Libri “Unë quhem Dje” i shkrimtarit Petraq Risto më erdhi si një dhuratë e bukur këtej larg, por sikur vinte nga larg dhe në kohë, nga fëminia jonë. I madh si një roman, por i gjithë me poezitë e dy viteve, tê shkruara kohët e fundit në New York e përreth, ku dhe jeton Petraqi. Edhe shqetësimet e poezive të këtij libri ishin si të një romani, të gjera, edhe rrëfimet po ashtu, aq sa i lejon poezia e tij metaforike, me një figuracion të begatë, me befasira stilistikore, sintetike si proverbat, por dhe si dallgët e oqeanit përballë.
ANTON PAPLEKA (Francë): … Ashtu si në përmbledhjet e botuara, edhe në këtë cikël spikat shkrirja mjeshtërore e një figuracioni origjinal e befasues me një muzikalitet fluid. Mbase ky tipar përbën një pjesë të veçantisë së poezisë sate dhe të magjisë së saj…Ti ke një synim estetik të qartë dhe e zotëron si rrallëkush artin e fjalës.
MARK FOGARTY (ShBA): Revista mbyllet me një mini-epikë të Petraq Ristos, e cila bashkon historitë e Hiawatha-s, e të fundit të Mohikanëve dhe të një emigranti të ditëve tona në New York City. Poema me “Manhatanin – gisht i Zotit të Mikelanxhelos, që prekë Statujën e Lirisë”, është një imazh madhështor i vendosur përballë këtij viti të mbushur me katastrofa”.
PEDRO REYGADAS (Meksikë): Zëri i Petraq Ristos, si e gjithë poezia e tij, është përbërë nga zogj fantastikë, që zbresin nga qielli i kthjellët i Shqipërisë: të verbër, si Homeri, tragjikë si Shekspiri, dhe sarkastik (ende kali i Skënderbeut galopon në skakierën gjigante të Tiranës në kërkim të lirisë!). Fjala e Ristos na hedh nga nata kafkiane, në agimin e shkretëtirës ku kemi rezervuar një çmenduri normale të një kohe pa heronj …Poezitë e Ristos na marrin sytë për të përballuar që të shohim një botë të dytë, një botë ku çdo gjë është e shitur dhe vrastare. Ndërsa “Perëndia qëron një portokall”, ne zgjohemi në një bisedë në varreza, “të veshur me rrobet e të vdekurve të Evropës”, brenda të cilave ndiejmë iluzionin e fitores së të humburve, dhembjen e ëmbël të rrushit të shtypur nga këmbët e Dashurisë.
LUC VIDAL (Francë): E kam çmuar lirizmin që buron nga poezia juaj dhe që rrjedhë në kanalin drejt lexuesit si një muzikë e bekuar.
MIGUEL ÁNGEL BERNAO (Spanjë): Petraq Risto e ndan mendimin racional nga ndërlikimi i hamendësuar i kuptimit të tij, si një ambasador i shquar e mëson dhe e qetëson dëshpërimin te peizazhet natyrore dhe jashtëzakonisht të bukura, ku shpirti prehet dhe pafajësia e trishtimit bie të flejë përjetësisht. Poezitë e tij përmbajnë atë nevojën e njeriut për të gjetur vetveten në një botë çdo herë e më çnjerëzore, dhe, që nga kjo jetë, t’i bëjë ballë syrgjynosjes në skaje të largëta, larg monotonisë së një heshtjeje apo një vështrimi të thjeshtë. Padyshim, ngjyrimi i poezisë së tij është ekzistencializmi, i trazuar me një spërkë bohemi dhe i erëzuar me figura poetike, të cilat e lartësojnë gjithë veprën e tij poetike.
VAID HYZOTI (ShBA): Do të duhej një studim i gjatë dhe i mëvetshëm për tërë krijimtarinë e tij, për tematikën fleksibile, për vargun shushuritës të bashtingëlloreve fundore, për shtrirjen e paskajshme të vargut të tij në krijime si të strofuara, ashtu dhe unike, për paralelizmat kuptimore dhe ato stilistike, për metaforat, për të cilat Risto padyshim merr vlerësimin maksimal, për vargjet elipsoide dhe përsëritjen refrenistike të ndonjë vargu me peshë mendimi, apo butësi lirike.
FATMIR TERZIU (Angli): Te “Gruaja e Herodit” … mjeshtëria e Ristos shfaqet e ndjeshme dhe tepër filozofike.. Në këtë poezi shënohet pikërisht edhe poezia posmoderne e Petraq Ristos, cilësuar nga kritika si një poezi e “një niveli evropian”. Dhe kjo jo vetëm se është një poezi e përkthyer dhe vlerësuar në disa gjuhë, por… që sjell risi në poezinë shqiptare.
RAZI BRAHIMI: Një individualitet i spikatur, një novator.
NATASHA A. SPAHIU: E ke rrokur botën dhe universin në një simbol të vetëm polivalent dhe polikolor, si Salamandra. Siç duket Nju Jorku i jepka njeriut ndjesinë se mund ta përfshijë gjithçka brenda shikimit apo optikës së unit të ndriçuar së brendshmi nga Liria pa kufij, pa pengesa vogëlsie a pafuqie. Një superfuqi e konceptit Liri…Shtegton si një pelegrin nëpër botë në caqet e shenjta të fjalës së shqipes dhe fjalës së artit. Vendos nga një gur në muranën e secilit, edhe në emrin tonë. Ti po, që i ke dhënë kuptim lirisë së fituar…
ADEM GASHI: Sot nuk është puna thjesht ta vlerësosh poezinë e Ristos. Duhet mjeshtri më vete t’i japësh përmasën që meriton, të gjesh shprehësinë ekuivalente me vlerën që sjell poezia e tij. Më e pakta që mund të thuhet: kemi arsye të ligjshme të mburremi me të.
QAZIM MUSKA: Risto bëhet i paarritshëm në stilin e tij poetik… Poet vizionar dhe me përfshirje tematike nga ato subjektive e deri tek e preferuara e tij, ajo globale, ai frymon dhe krijon me ritëm dhe temp që, gati e mposht kohën dhe hapësirën. Të gjithë librat e tij (pothuajse të gjithë i kam lexuar) s’janë gjë tjetër përpos asaj që ai është një poet që vjen të shuajë misterin e ripërtëritjes së poetëve të mëdhenj që dukeshin se ishin fikur në këtë periudhë postkomuniste. Misteri i tij vjen me synim edhe më të përtejshëm se kufijtë shqiptarë…