Mposhti sëmundjen dhe u kthye në legjendë: 30 kuriozitete për Lionel Messin

Lionel (Leo) Andrés Messi është i datëlindjes 24 qershor 1987. Ai ka lindur dhe është rritur në qytetin Rosario në qendër të Argjentinës, ku ka jetuar së bashku me prindërit e tij Jorge dhe Celia, dhe vëllezërit e motrat e tij: Maria, Matias dhe Rodrigo. Messi filloi të takohej me gruan e tij Antonella Roccuzzo në vitin 2008. Ai dhe Antonella kanë dy djem, Mateo dhe Thiago.
Kur ishte fëmijë, Messi u diagnostikua me një mangësi të hormoneve të rritjes.
Në moshën 13-vjeçare, ai shkoi në Spanjë për tu bashkuar me Barcelonën, klub i cili pranoi të paguante për trajtimin e tij mjekësor.
Leo zhvilloi një pasion për sportin që nga mosha e hershme, duke luajtur vazhdimisht me vëllezërit e tij më të mëdhenj, Rodrigo dhe Matia, dhe kushërinjtë e tij, Maximiliano dhe Emanuel Biancucchi, të cilët u bënë të dy futbollistë profesionistë. Në moshën katërvjeçare ai u regjistrua në klubin lokal Grandoli nga babai i tij, megjithëse ndikimi më i hershëm si lojtar i erdhi nga gjyshja nga ana e nënës, e cila e shoqëronte atë përherë në stërvitje dhe ndeshje.
Shpesh Messi konsiderohet si lojtari më i mirë actual në botë së bashku me Cristiano Ronaldon dhe është konsideruar nga shumë specialist futbolli si futbollisti më i madh i gjitha kohërave. Messi është i vetmi lojtar në histori i cili ka ftuar pesë çmime Topi i Artë nga FIFA. Ai ka fituar 29 trofe me Barcelonën, duke përfshirë tetë tituj të La Ligas, katër tituj të Ligës së Kampionëve dhe pesë Kupa të Mbretit.
Si një golashënues i pagabueshëm dhe një lojtar tepër krijues, Messi mban prej vitesh rekordin e golave zyrtare të shënuar në La Liga në sezon dhe ka shënuar gjithsej mbi 700 gola në karrierën e tij si futbollist për klubin dhe kombëtaren e tij.
Por në këtë artikull do të folusohemi tek gjëra të tjera të cilat nuk kanë lidhje direkte me karrierën e tij si futbollist, sepse atë tashmë e njeh kushdo. Më poshtë po ju rrëfejmë 30 kuriozitete nga jeta e Lionel Messit të cilat mund të mos i keni ditur më parë.
1- NUK PËRSHKRUHET DOT ME FJALË Në mungesë të një epiteti që mund të përshkruajë magjitë e tij, në 2013-ën Real Academia Espanola krijoi mbiemrin “inmessionante” që përkthehet “mënyra perfekte për të luajtur futboll” për të përkufizuar lojtarin argjentinas të klasit të lartë.
2- KRYQI: Një nga përkufizimet më të mira për Messi-n i takon Thiago Silva-s: “Janë dy mënyra për të ndalur Messi-n: ta rrethosh me gjysmën e skuadrës ose të bësh kryqin.”
3- LEBROZ Lionel është me origjinë nga Las Heras i qytetit Rosario dhe është një “lebroz”, nofkë të cilën e përdorin tifozët e Newells Old Boys, skuadrës së tij të zemrës të qytetit ku është rritur.
4- LIDHJA ME FAMILJEN LEOPARDI Gjyshërit e babait të Messi-t ishin me origjinë italiane. Angelo Messi lindi në 1866 në Recanati, si Giacomo Leopardi, dhe jetoi me të shoqen Maria Latini në Montefano, provincë e Macerata-s, përpara së të emigronte për në Argjentinë.
5- MILANESA Një nga pjatat e preferuara të Messi-t është Milanesa, kotoleta alla milaneze të cilën e ëma e gatuan shkëlqyeshëm.
6- MISTERI LIONEL Prindërit gjatë viteve kanë folur për koinçidencë por emri Lionel është frymëzuar nga këngëtari Lionel Richie. Ata i frymëzoi kënga “Hello” të cilën këngëtari amerikan e pat lançuar në vitin 1987.
7- FESTIMI Kur Leo feston golin ngre sytë nga qielli, por nuk i drejtohet Zotit. Dedikimi është gjithmonë për Celia-n, gjyshen e tij e cila ndërroi jetë në vitin 1998 dhe që ka patur një rol thelbësor në hapat e tij të parë në futboll.
8- DEBUTIMI Ishte pikërisht gjyshja e tij e cila pat ndikuar që Messi t’i hynte futbollit. Salvador Ricardo Aparico, trajneri i skuadrës së fëmijëve të Grandolfi-t, po kërkonte një lojtar për një ndeshje dhe Celia i tha: “Merre atë, merre atë!” Dhe Leo, në moshën 4 vjeçare filloi t’i driblonte të gjithë.
9- AKULLORET Në moshën 9-vjeçare një drejtues i ekipit të moshave i propozoi një bast Leo-s së vogël: një akullore për çdo 100 xhonglime. Një herë ai arriti kuotën 1000 xhonglime dhe fitoi 10 akullore.
10- PËRJASHTIMI Debutimi i tij në 2005 me fanellën e Argjentinës ishte traumatik: karton i kuq vetëm pas pesë minutash për goditjen ndaj hungarezit Vilmos Vacznak gjatë tentativës për t’u çliruar nga markimi.
11- GJUMASH Leo e ka zakon të flejë shumë, edhe 10 orë në natë. Dhe shpesh pasditeve, pasi ka ngrënë drekë nuk i thotë jo një dremitjeje të vogël.
12- FACOLETA Kur Barça mori 13-vjeçarin Messi, sekretari teknik Carlse Rexach u impenjua të respektonte zotimin e marrë ndaj prindërve të Leo-s duke e shkruar premtimin për një kontratë në facoletë letre.
13- KATASTROFË NË SHKOLLË Në shkollë Messi ishte një katastrofë: “Nuk bezdisja njeri, isha i qetë, por lodhesha shumë për t’i mësuar në të gjitha lëndët, sepse nuk më pëlqente të studioja.”
14- WENGER Arsene Wenger ëndërronte të merrte Leo-n dhe një ditë i dërgoi një mesazh Jorge Messi-t, babait dhe agjentit të Leo-s: “Ditën që ai do të ketë ndonjë problem, kujtohu se dyert e klubit tonë për të do të jenë të hapura.”
15- AIMAR Idhulli i Leo-s që në moshë të vogël nuk ishte Maradona por Pablo Aimar. Fanella e ish-lojtarit të Valencia-s është më e çmuara në koleksionin e tij të madh.
16- INTERVISTA E PARË Në intervistën e parë për një gazetë (La Capital, 3 shtator 2000) Messi u shpreh se libri i tij i preferuar ishte Bibla, ndërsa filmi i parapëlqyer Baby Birba – Një ditë në liri.
17- PËRBINDËSH Kontakti i parë mes Messi-t dhe Maradona-s ka qenë pas fitores së Argjentinës ndaj Brazilit në gjysmëfinalen e Botërorit U-20 të vitit 1995. Diego iu drejtua Leo-s duke i thënë: “Çfarë bëre o përbindësh?”
18- FILANTROP Messi gjithmonë ka qenë aktiv në fushën e bamirësisë. Përveçse është ambasador i UNICEF-it, prej më shumë se 14 vitesh ai ndihmon fëmijët në nevojë përmes fondacionit të tij.
19- KËMBA E ARTË Linja japoneze e bizhuve Ginza Takana ka riprodhuar në ar një kopje të këmbës së majtë të Messi-t. Skulptura peshon 25 kg, është vlerësuar 5.25 milionë dollarë dhe është nxjerrë në ankand për viktimat e tërmetit të 2011-ës që goditi Japoninë.
20- ALERGJIA Messi ka deklaruar se nuk i sheh kurrë më pas ndeshjet e tij në televizor, vetëm kur është i detyruar nga trajnerët gjatë seancave me video.
21- KOINÇIDENCA Cristiano Ronaldo Jr. ka lindur në 17 qershor 2010 ndërsa Thiago Messi në 2 nëntor 2012. Mes të dyve janë 869 ditë diferencë, ekzaktësisht sa ç’është edhe diferenca mes dy baballarëve Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi.
22- KRENARIA Ginés Menéndez, trajneri i U-16 spanjolle i pat mërmëritur Messi-t: “Nëse ti do të ishe spanjoll mund të të kisha grumbulluar.” Leo iu përgjigj: “Nuk do të luaja kurrë për Spanjën: jam argjentinas, rosarin dhe lebroz.”
23- VËLLAÇKOJA Kur Messi mbërriti tek skuadra e parë e Barcelonës Ronaldinho ua prezantoi atë të gjithëve si vëllaçkon e tij.
24- EROS Është një i apasionuar i madh i cumbia-s, një muzikë popullore e famshme në Amerikën e Jugut. Në veçanti i pëlqen grupi La Banda del Tigre Ariel i cili i ka dedikuar edhe një këngë. Por mes këngëtarëve të tij të preferuar është edhe një italian, Eros Ramazzotti.
25- STATUJA Në 2016-ën u inaugurua një statujë e Lionel Messi-t në Paseo de la Gloria në Buenos Aires. Pas dëmtimit që iu bë nga vandalët, (i hoqën kokën), në fillim të janarit 2017 statuja u restaurua përsëri.
26- PARKU Në 2019-ën u inaugurua në Argjentinë “Messi Experience Park”, një park argëtues prej 83 mijë metrash katrorë dedikuar realitetit virtual.
27- BAGGIO Në 6 prill 2010, pas 4 golave të Lionel Messi-t ndaj Arsenal-it, Guardiola realizoi takimin mes Baggios dhe Messit. Italiani i tha: “Mos dëgjo ato që thonë njerëzit, përndryshe do të shkatërrohesh.”
28- FITIMET Sipas Forbes, në 2019-ën Messi ka fituar 92 milionë dollarë 252 mijë dollarë në ditë) mes pagës dhe sponsorizimeve. Në klasifikimin botëror, ai është i dyti pas Ronaldos.
29- TATUAZHET Mes tatuazheve të shumta në trupin e tij, spikat një lule lotusi në krahun e djathtë. Sipas personit që ka bërë tatuazhin, ky tatuazh u zgjodh, sepse simbolizon talentin që lulëzon edhe në momente shumë të vështira.
30- KUSHËRINJTË Messi ka dy kushërinj futbollistë, Emanuel Biancucchi, i cili luan si mesfushor në klubin e Club Rubio Ñú di Asunción (Paraguaj). dhe Maximiliano Biancucchi, i cili është një sulmues i madh i Ceara, skuadër e divizionit të dytë brazilian.

©️ VOTRA Magazine / Korrik 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights