MARATONISTI I FAMSHËM SHQIPTARO-AMERIKAN

Anastas Sturgis (Sterjo), ishte maratonisti i famshëm i fillimit të shekullit të kaluar, jo vetëm për Massaçusetsin por edhe për gjithë Amerikën.

Origjina e Anastasit ishte nga Korça, nga Opari, por prindërit dhe të afërmit e tij patën punuar për një kohë të gjatë në Konstadinopojë, ku janë marrë me tregëtinë e shitjes së mishit. Aty u lind edhe Anastasi në vitin 1890. Mbasi i vdiq i ati Qiriako Sterjo, e ëma e tij Noke u kthye në Korçë së bashku me fëmijët. Në vitin 1908 Anastasi emigroi në Amerikë me një grup korçarësh dhe u vendos në Boston. I formuar mirë fizikisht, djali i ri i familjes Sterjo u dallua menjëherë si një atlet i zoti, emri i të cilit do të përmendej jo vetëm në gazetat e Bostonit por edhe në shtypin e gjithë Amerikës. Dy ngjarje të rëndësishme shënohen në jetën e Anastasit në vitin 1908. Së pari, ai mori pjesë në ditën e hapjes së kishës së parë shqiptare nga Fan Noli në Boston dhe ka dalë në fotografi me Fan Nolin dhe një grup shqiptarësh, dhe së dyti, ai mori pjesë për herë të parë në maratonën e Bostonit të 1908-s. Anastasi ka qene kusheriri i Peter Sturgis (Sterjo), me fame boterore ne sportin e mundjes.

Maratona e Bostonit historikisht ka filluar në vitin 1896. Në librat regjistrues (“The record books”) të Maratonës së Bostonit, emri i Anastasit përmendet pesë herë për finish në krye te grupit, në periudhën prej vitit 1911 deri 1922. Që prej vitit 1908, emri i Anastasit
u pat permendur në shtypin e Bostonit dhe në atë amerikan si starter dhe finisher, shoqëruar edhe me fotografi te shumta gjate vrapimit.

Në vitin 1919 Anastasi zuri vendin e 9-të duke vrapuar si garues i pavarur pranë qytetit Natik. Ai atëhere ishte 29 vjeç dhe koha e vrapimit ishte 2: 51: 15 me 37 starters dhe 25 finishers.
Koha e vrapimit më e mira që është regjistruar per Anastas Surgis ishte në maratonën e vitit 1912 me  2:27: 59 kur ai vrapoi për “Shoqërinë e atletëve të Bostonit” dhe ku zuri vendin e 11-të në mes 123 starters. Ai ishte atëhere rreth 22 vjeç.

Më 17 gusht 1912 Anastasi fitoi çmimin e parë, kupën e maratonës, në Mançester, Nju-Hemshër në “Forester of America Maraton”.

Në “The Mançester Fair Marathon” Anastasi fitoi çmimin e parë për distancën 12 milje me kohën 1:04:33, më 2 shtator 1912.

Në “The Brockton Fair Marathon” ai fitoi mimin e parë për distancën 25 milje me kohën 2:39: 08, në Brokton, Massaçusetts, më 7 tetor 1912.
Viti 1912 ka qenë një vit garash të rëndësishme, përfshirë edhe garat e lojrave Olimpike të Stokolmit, Suedi, ne verën e 1912. “The Red Sox” fitoi disa ndeshje në botë. Atletët po përgatiteshin për maratonën e Bostonit. Anastasi kishte kundërshtarë të fortë gjatë garimit. Disa ditë para maratonës së Bostonit u mbyt në Atlantik anija Titanik, lajmi për të cilën mbushi faqet e para të gazetave të Bostonit, duke eklipsuar paksa lajmet sportive. Prandaj kjo maratonë është mbajtur mend gjatë nga amerikanët. Maratona e Bostonit ishte një garë kualifikimi për skuadrën pjesëmarrëse në Olimpiadën e Stokolmit. Anastasi, megjithese doli me rezultate të shkëlqyera (ai zuri vendin e 11-të dhe mund të bënte pjesë në skuadrën përfaqësuese të Amerikës në Stokolm) nuk shkoi dot në Lojrat Olimpike sepse nuk ishte nënshtetas Amerikan. Ai mbase mund të shkonte si përfaqësues i atdheut të tij, Shqipërisë, por në atë kohë, kur zhvilloheshin luftrat në Ballkan as që mund të imagjinohej një gjë e tillë. Megjithatë Anastas Sturgis e nderoi Shqipërinë, sepse në çdo garë vrapimi ose maratonë ai e quante veten shqiptar, duartrokitej nga bashkatdhetarët shqiptarë dhe fama e tij që përhapej në botë, arrinte edhe në kufijtë e vendlindjes. 

Marrë nga Massachusetts Albanian American Society “Besa”

©️ VOTRA Magazine / Maj 2021 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights