Legjenda të sportit Shqiptar

Kjo rubrikë synon t’u japë informacion brezave më të rinj në lidhje me ish sportistë të njohur të trevave shqiptare të cilët me rezultatet e tyre na kanë bërë të gjithëve krenarë si komb. 

FADIL VOKRRI

Fadil Vokrri u lind më 23 korrik të vitit 1960 në Podujevë. Me futboll nisi të merret në moshën 15-vjeçare, kurse si 17-vjeçar debutoi në KF “Llapi” në Podujevë. Më pas në vitin 1980 kaloi tek KF “Prishtina”, ku luajti 84 ndeshje dhe shënoi 33 gola me këtë skuadër në Ligën e Dytë, kurse në Ligën e Parë të Jugosllavisë në fanellën e Prishtinës luajti 88 ndeshje dhe realizoi 22 gola. 

Periudha e viteve të 80-ta ishte e artë për Vokrrin, i cili në vitin 1984 debutoi në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që u luajti me këtë Përfaqësuese, e ku regjistroi 12 paraqitje dhe shënoi 6 gola. Në vitin 1986 u transferua te Partizani i Beogradit ku në 27 ndeshje shënoi 13 gola. Ai e fitoi me meritë epitetin e legjendës së futbollit kosovar, pasi ishte bartës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë në vitin 1984, ndërsa në vitin 1987 u shpall lojtari më i mirë në Jugosllavi. 

Në vitin 1989 Vokkri kaloi në Francë te skuadra e Nimes dhe më pas u transferua në klubin turk, Fenerbahçe ku luajti me mjaft sukses në edicionet 1990-1992. Pas karrierës në kampionatin turk ai u rikthye në Francë ku jetoi me familjen dhe luajti edhe për disa vjet për skuadrat e niveleve më të ulëta franceze, Bourges dhe Montluçon, para se t’i jepte fund karrierës. 

Pas çlirimit të Kosovës, Vokrri u rikthye në atdhe, fillimisht për ta ndihmuar ish-klubin e tij, Prishtina, në postin e drejtorit, kurse më pas në shkurt të vitit 2008 ai mori drejtimin e Federatës së Futbollit të Kosovës si njeriu më i duhur për ta drejtuar FFK-në drejt anëtarësimit në UEFA e FIFA. Më 15 janar, 2016, Vokrrit iu besua mandati i tretë katërvjeçar si president i FFK-së. 

Fadil Vokrri ishte i diplomuar në Fakultetin e Menaxhmentit dhe Biznesit, dhe përveç gjuhës amtare zotëronte edhe gjuhët frënge, turke dhe serbo-kroate. 

Vokrri u nda nga jeta më 9 qershor 2018 pas një ataku kardiak në moshën 57 vjeçare. Për nder të këtij futbollisti të madh të trojeve shqiptare, stadiumi kombëtar në Prishtinë mban emrin e Fadil Vokkrit. 

©️ VOTRA Magazine / Mars 2021 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights